ELBASAN - Në prag të fillimit të vitit të i shkollor ata që e kujtojnë me nostalgji ditën e parë janë sidomos ish normalistët e Elbasanit. Një prej tyre është Rudolf Deliana. 

Ai është ish nxënës i vitit 1937 sot 82 vjeç. Tashmë në rolin e kryetarit të shoqatës Normalisti dhe ish mësues me mjaft emocion Rudolfi uron të gjithë nxënësit në ditën e parë të shkollës.

“Dita e parë e shkollës në mënyrë të veçantë për nxënësit e klasës së parë, është një ditë që lë mbresa të thella, mbresa që fëmijët ndoshta pak i kanë, por kur i kanë i ruajnë gjatë. Dita e parë e vitit shkollor është një gëzim për të gjithë nxënësit dhe ne si shoqatë e kuptojmë sa gëzim ka edhe sa përkushtim ka për mësueset viti shkollor. “- u shpreh Rudolf Deljana.

Me shumë nostalgji ai kujton hapat e para në shkollë pikërisht në vitin kur festohej 25 vjetori i pavarësisë. Vlerësimet e asaj kohe, mësuesit dhe lëndët që mësoheshin janë pjesë e rrëfimit të mësuesit të nderuar që vazhdon edhe sot të shpjegojë matematikën. 

“Kam shumë kujtime nga klasa e parë. Nuk kam kujtime për ditën e parë, po mbaj mend që kur kemi shkuar ditën e parë, ne ishim gjashtë fëmijë, më ka përcjellë gjyshja, meqë isha te klasa e parë, dhe sipas zakonit të kohës më hodhi cik ujë përpara që mësimet të shkonin mbarë si shkon uji përpara. “- tha 82-vjeçari.

Ai gjithashtu jep një mendim mbi tekstet dhe teknologjinë se sa kjo ndikon tek të nxënit. Por gjithashtu Rudolf Deliana nuk do të shkëputet nga tradita duke kujtuar shkollën Normale si simbol i Elbasanit dhe nevojën për të pasur një muze kombëtar të arsimit.

“Që të flasësh për tekstet aktualisht duhet të thuash diçka shumë të drejtë dhe shumë me vend. Tekstet tona sot janë kaq të mira saqë nuk mund ta marrësh me mend. Po përpiqem ta them arsyen pse, së pari aparatin pedagogjik, pra mënyra e ndërtimit të orës së mësimit në tekstet e sotme është kaq e mirë saqë e lehtëson shumë edhe nxënësin për ta mësuar mësimin, edhe mësuesin për ta shpjeguar mësimin.”-shtoi 82-vjeçari Deljana.

Mes traditës së shkollës Ushtrimore dhe shkollës Normale, Elbasani ka qenë qyteti i arsimtarëve duke kontribuar mjaft në arsimin kombëtar. Kjo traditë më shumë se 100 vjeçare vazhdon të ruhet e paprekur nga ish normalistë, simbol të dashurisë për mësimdhënien si dhe nga breza të tërë mësuesish që vazhdojnë në gjurmët e tyre.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)