Pas shtrimit në spital të 50 personave në Durrës, pasi dyshohej se ishin helmuar nga ushqimi i konsumuar në një lokal gjatë një dasme, inspektorati shëndetësorë publikoi dje analizat toksikologjike duke hedhur poshtë dyshimin për helmim ushqimi të dasmorëve.

Inspektorati shëndetësor dhe AKU-ja kanë kryer analizat toksikologjike të kampionëve të ushqimeve,  dhe sipas tyre, ato kanë rezultuar negative.

Menjëherë pas kësaj ka reaguar doktoresha, njëkohësisht profesoreshë e Sëmundjeve Infektive pranë Fakultetit te Mjekësisë në UT, Silva Bino

Nëpërmjet një statusi në facebook, doktoreshë Bino e cilëson “barsoletë” konstatimin e inspektoratit. Kjo, sipas saj, për shkak se “inspektorati nuk përcakton e nuk vendos diagnoza, nëse është helmim apo diçka tjetër”, pasi, sipas saj diagnozat i vendos klinika.

Bino shkruan ndër të tjera se roli i inspektoratit është të “ndihmojë në hetimin , të lehtësojë marrjen e masave dhe të zbatojë ato”.

Një tjetër fakt absurd, sipas Binos, është edhe evidentimi i kondicionerit nga pronari i lokalit, si shkak i sëmundjes së 50 personave.

Shijak, helmohen 50 persona në dasmë
Një javë më parë, 50 persona u paraqitën në spitalin rajonal të Durrësit me diarre e temperaturë.

Dyshohej se shkak i përkeqësimit të tyre ishte helmimi nga ushqimi që kishin konsumuar gjatë një dasme në Shijak, dhe për këtë AKU vendosi edhe mbylljen e lokalit në fjalë.

Postimi i plotë i doktoreshë Silva Binos në facebook:
Kur inspektorati thotë që shkak është kondicioneri për diarre e të vjella këtë nuk mund ta besoj se kjo është për barsoletë. E para inspektorati nuk përcakton nëse është helmim apo diçka tjetër pra inspektorati nuk vendos diagnoza se nuk ka as kapacitet për këtë. Ai duhet të kuptojë që diagnozat i vendos klinika dhe duhet të kuptojë që hetimi epidemiologjik i kryer nga epidemiologjia përcakëton nëse është helmim apo diçka tjetër dhe jo analizat. Analizat lidhen me specifiken e helmimit. Inspektorati është të ndihmojë hetimin dhe të lehtësojë marrjen e masave dhe zbatojë ato.
Kemi lloj lloj inspektoratësh që as vetë nuk dinë përse janë.
Harrova këtu ka dale dhe pronari i lokalit që vë diagnozë dhe patjetër që gazetarët e promovojnë këtë. HAJDE KU KEMI MBRIT.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com