TIRANE-“Është bukur që sot po tregohemi solidarë e humanistë”.

Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë fushatës solidare “Ti je heroi ynë” për fëmijët me nevoja shëndetësore të punonjësve të policisë.

Një kuti qelqi ishte vendosur në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ tek zona e Bllokut në Tiranë me qëllim të një kontributi financiar. Aktiviteti nisi në orën 12:00, ku shumë qytetarë nuk kursyen lekë qytetarët duke hedhur monedha e kartëmonedha ndërsa në stenda të veçanta shiteshin produkte të ndryshme, nga pijet e ushqimet, ku çdo fitim do të kalojnë në ndihmë të fëmijëve me nevoja të veçanta të policëve në mbarë vendin, të cilët numërohen rreth 200.

Sipas ministrit Tahiri, kjo është mundësia më e mirë për të falënderuar të gjithë ata që kontribuojnë në Policinë e Shtetit dhe për t’iu gjendur pranë fëmijëve të atyre që kanë nevojë për ndihmë të veçantë.

[gallery]20191[/gallery]
Kjo për mua është ditë shumë e veçantë, si qytetar, si njeri, si prind, edhe si ministër patjetër. Sepse më në fund kemi gjetur mundësinë të shohim Njeriun brenda nesh. Dhe këtë ta bëjmë për fëmijët e punonjësve të Policisë të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë. Janë mbi 200 fëmijë të veçantë, me nevoja të veçanta, të cilët përveç vuajtjes së përditshme të prindërve në punë dhe sakrificës së përditshme në përballjen me botën e krimit, kanë edhe vuajtjen familjare që nuk është e lehtë. Ndaj, bashkë me punonjësit e Policisë dhe shumë partnerë po mundohemi të krijojmë një mundësi për t’ua bërë më të lehtë Vitin e Ri dhe patjetër shërimin.

E ritheksoj, për mua është ditë e veçantë, sepse një gjë është të bësh Ministrin, një gjë është të bësh Njeriun në detyrë. Ndaj dua të falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë kontribuar. Dua të falënderoj të gjithë ata që na kanë dhënë mundësinë të shohim se sa solidarë mund të jemi me njerëz që mund t’i kemi përditë në punë, që mund të jenë përditë në shërbim të qytetarëve – por vjen dita kur duhet të jemi dhe ne në shërbim të tyre. Kjo është mundësia jonë më e mirë për të falënderuar të gjithë ata që kontribuojnë në Policinë e Shtetit dhe për t’iu gjendur pranë fëmijëve të atyre që kanë nevojë për ndihmë të veçantë 
”, tha Tahiri.

Ministri i Brendshëm ka refuzuar t’u përgjigjet gazetarëve mbi pyetjet për çështje të ndryshme si Kelmend Balili.

Unë jam sot këtu për fëmijët e punonjësve të Policisë që kanë nevojë për ndihmën tonë. Kjo është shumë më e rëndësishme se çdo debat tjetër i ditës. Mos më ngatërroni me asgjë tjetër. Ju faleminderit që jeni këtu. Faleminderit për ndihmën që jepni dhe ju fëmijëve të veçantë të punonjësve të Policisë. Është shumë e rëndësishme të gjejmë humanizmin dhe solidaritetin tek ne dhe tek njëri-tjetri. Ndaj ju lutem transmetojeni këtë mesazh tek publiku. Të bëhemi të gjithë bashkë për të ndihmuar këta fëmijë që kanë nevojë për ndihmën tonë sot më shumë se kurdo tjetër.

Aktiviteti në kuadër të fushatës “Ti je heroi ynë” në ndihmë të fëmijëve me nevoja të veçanta shëndetësore të punonjësve të Policisë së Shtetit, pritet te mbylet në 23:00.

[gallery]20193[/gallery]

(d.b/Shqiptarja.com)