Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka lënë në burg 3 efektivët e policisë private të "Jaguar Security", nga automjetet e të cilëve u grabitën 3.2 milionë dollarë mesditën e 9 shkurtit në Qafë Kashar.
 
Masa arrest me burg është lënë në fuqi për Përparim Logun, Gentjan Dedjan dhe Dashamir Ballën, të tre me detyrën e grupit të shoqërimit të blindave.
 
Ndërkohë, nesër pritet të njihen me masën e sigurisë tre policët e tjerë, Endrit Daçi, Xhemil Metaj dhe Fatmir Gapi.
 
Efektivët e "Jaguar Security" akuzohen se nuk kanë reaguar në momentin e grabitjes.
 
Ndërsa dyshimet e grupit hetimor për bashkëpunim të policëve me grupin e grabitësve, janë rritur pasi gjatë hetimeve ka rezultuar se ata kishin fikur kamerat dhe GPS-n e blindave që po transportonin paratë.

Justifikimi i efektivëve të policisë private ka qenë se do pinin kafe pasi të dërgonin paratë në aeroportin e Rinasit.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com