Ka mjaftuar një pakujdesi, duke hedhur në tokë një cigare të pafikur, që një 17-vjeçar të arrestohej nga policia.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Korçës, nga ku mësohet se shtetasi 17-vjeçar me iniciale P.H, është autori i dyshuar i një zjarri i cili fatmirësisht është arritur të parandalohet para se të përhapej dhe të shkaktonte dëme.

Policia e Korçës bën me dije se nëpërmjet një denoncimi në “Komisaritin Dixhital” nga një qytetar, sipas të cilit në kodrat pranë fshatit Dishnicë kishte rënë zjarr, u bë e mundur që shërbimet e emergjencës të shkonin në vendngjarje dhe të parandalonin përhapjen e mëtejshme  të zjarrit.

Zjarri dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia e të riut i cili ka hedhur një cigare të pafikur në pyll, gjatë kohës kur ka qenë duke kullotur bagëtitë.

Njoftimi i policisë:
Shoqërohet në Komisariatin e Policisë, autori i dyshuar i ngjarjes.

Më datë 03.07.2017 në portalin e Komisariatit Dixhital ka ardhur një raportim nga një qytetar, sipas të cilit në kodrat pranë fshatit Dishnicë, ka rënë zjarr.

Menjëherë u njoftuan shërbimet e Policisë dhe Emergjencat Civile të cilat shkuan në vendin e ngjarjes. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe efikase, u bë i mundur parandalimi i përhapjes të mëtejshme të flakëve, lokalizimi dhe më pas shuarja e zjarrit.

Në Komisariatin e Policisë Korçë, u bë shoqërimi i shtetasit P.H, 17 vjeç, banues në fshatin Belorta, i cili po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen e sipërme pasi dyshohet se zjarri në pyll është shkaktuar nga një cigare e hedhur në pyll nga pakujdesia e këtij të fundit, kur ka qenë duke kullotur bagëtitë, i cili më pas mori përmasa të konsiderueshme.

Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet do t`i kalojnë Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

(D.T/Shqiptarja.com)