Gjykata e Tiranës vendosi të caktojë masën e sigurisë burg pa afat për 11 nga 25 të arrestuarit e operacionit “Epilog”. Organi i akuzës, i përfaqësuar nga prokurori Enklid Gjini kishte kërkuar vlerësimin e ligjshëm të arrestit për 11 personat që u paraqitën të shtunën përpara gjykatës. Avokatët nuk ishin dakord me kërkesën e prokurorisë duke kërkuar caktimin si të paligjshëm të arrestimit të klientëve të tyre për mungesë provash. Pas shqyrtimit të kërkesave të palëve dhe shqyrtimit të provave gjyqtari, Astrit Faqolli vlerësoi të ligjshme arrestimet 11 personave, duke vendosur edhe masat e sigurisë burg pa afat për të gjithë ata. Të dielën pritet të njihen me masën e sigurisë edhe 19 persona të tjerë nga të cilët 14 janë të ndaluar me urdhër nga prokuroria. Operacioni “Epilog”, u krye pak ditë më parë, në Tiranë dhe përfundoi me arrestimin e 25 personave, shpalljen në kërkim të pesë të tjerëve dhe ndërsa persona ndiqen në gjendje të lirë.

“Qorri” furnizonte
Policia e Tiranës arrestoi dy ditë më parë 26 persona në kuadër të operacionit “Epilog”, ku rol kryesor luanin tre shtetasit, Gëzim Demiri, Julian Bushati, Kol Kllapi dhe Alfred Naço. Me finalizimin e këtij operacioni, policia sekuestroi 1 kg heroinë dhe 180 doza kokainë. Ky operacion ka pasur si protagonistë dy grupe të cilët bënin shpërndarje të lëndës narkotike kokainë dhe heroinë. Këto grupe, sipas bluve kishin lidhje të përbashkët me shtetasin Astrit Beka. Ndërkohë, furnizuesi i grupeve me kokainë dhe heroinë ishte Gëzim Demiri ose “Qorri”.

Ky i fundit është arrestuar në fund të muajit shtator 2015, në një hotel në kryeqytet me 30 gramë kokainë. “Qorri”, mësohet se lëndën narkotike që furnizonte grupet e siguronte në Turqi. Efektivët e policisë thonë se ai ishte një ndër personat, i cili kishte monopolin e kësaj droge në Tiranë. Më pas, 3 koordinatorët Julian Bushati, Kol Kllapi dhe Alfred Naço, merrnin sasinë e heroinës te Gëzim “Qorri”.Maksimumi që mund të merrnin heroinë në një muaj, Bushati, Kllapi dhe Naço, ishte afërsisht nga 0.5 kilogramë deri në 1 kilogramë.

Rolet e anëtarëve
Me presimin e heroinës burimet thonë se merreshin Kol Kllapi dhe Julian Bushtai. Shpërndarësit kryesorë të drogës në doza të vogla (0.3 gram) në Tiranë, ishin shtetasit Alkan Markaj, Haki Belaj dhe Donal Belaj, të cilët e shisnin lëndën narkotike nëpër lokalet e natës në kryeqytet por edhe në zona të tjera si, “Shkolla e Bashkuar”,rruga “5 Maji”,“Tirana e Re”, rruga “Fortuzi”, lagja “Laprakë”,dhe zonë e ish-­Bllokut. Cilësia e heroinës ishte shumë e mirë, por sipas agjentëve të antidrogës, shpërndarësit kishin zgjedhur një taktikë për t’i shpëtuar policisë. Ata e ndanin kokainën ose heroinën në copa të vogla  dhe pas i vendosnin poshtë gjuhës, duke ia vështirësuar kapjen e drogës në flagrancë.
 
Dy femra të grupit koordinatorë përshitjen e drogës
 Dy femrat e arrestuara nga Policia e Tiranës, si pjesë e grupit të shitjes dhe shpërndarjes së drogës së rënda në Tiranë, dyshohet se kanë pasur rol kyç në grup. Një fakt i tillë konfirmohet nga Prokuroria, e cila ka hetuar rastin në bashkëpunim me Policinë e Tiranës. Të dyja ato mësohet se ishin në rolin e koordinatorëve të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Veç këtyre dy femrave, policia thotë se në grup është përfshirë edhe një femër tjetër roli i së cilës mendohet se është ai i shpërndarjes së lëndëve narkotike.

 Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Nentor 2015

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)