​Mediet ndërkombëtare: Shqipëri
dinjitoze, Portugalia ishte me fat

​Mediet ndërkombëtare: Shqipëri<br />dinjitoze, Portugalia ishte me fat
Portugalia fitoi pa shkëlqim ndërsa Shqipëria humbi me dinjitet. Ndeshja e zhvilluar mbrëmë në “Elbasan Arena” nuk i ka shpëtuar vëmendjes së medieve ndërkombëtare.

E përditshmja sportive italiane “La Gazzetta Dello Sport” ka vlerësuar maksimalisht lojën e skuadrës së Xhani De Biazit, ndërsa fitoren e Portugalisë e ka quajtur të pamerituar.

“Portugalia mori një fitore të pamerituar falë dhuratës së Migel Velozos në minutën e 92-të. Skuadra e Ronaldos ka 15 pikë, 4 më shumë se Shqipëria dhe kualifikimi duket çështje pothuajse e mbyllur”, thuhet në artikull.

Për "La Gazzetta Dello Sport", skuadrës sonë kombëtare i mbetet shija e hidhur e dorëzimit pas një ndeshjeje vërtetë shumë të mirë; mbrojtje perfekte, me një pjesë të dytë kurajoze kundër një skuadre superiore në paga, emra dhe kualitete, por inferiore për sa i përket lojës me zemër dhe pasion. Shqipëria 1 vit më parë mundi Portugalinë në fushën e saj dhe ishte duke marrë 4 nga 6 pikët e mundshme ndaj kësaj skuadre.

Prestigjiozja sportive italiane vlerëson gjithashtu repartin e mbrojtjes me emra të tillë si Gjimshiti, Ajeti, Cana apo Agolli.

“Nëse në krahun e djathtë të mbrojtjes ke një lojtar 22-vjeçar që luante sfidën e dytë të tij me kombëtaren, një tjetër 21-vjeçar si Ajeti, që ende nuk ka gjetur skuadër pas largimit nga Bazeli, shkëmbin Cana dhe në krahun e majtë një futbollist që siguron jetesën te Karabag, nuk mund të kesh luksin të dalësh nga zona dhe të bësh pasime me mesfushorët”, thuhet në shkrim.

“Në mbrojtje Shqipëria ishte solide ku secili prej lojtarëve ishte gati të korrigjonte çdo gabim të shokut të tij. Shqipëria e De Biazit ka pësuar vetëm 3 gola në 6 ndeshje kualifikuese dhe ndaj Portugalisë ajo tregoi vlerat e saj. Kjo sepse Kristiano Ronaldo, Nani, apo Dani nuk mundën të bënin lojën e tyre më të mirë. E gozhduar në prapavijë, skuadra e De Biazit nuk kishte shumë interes për lojën sulmuese, por në momentin kur shtoi ritmin e lojës, arriti të godasë shtyllën me Cikalleshin. U duk se po shkonte gjithçka drejt rezultatit 0-0, kur Kuarezma gjeti Veloso për të djegur Shqipërinë, që gjithsesi e ka një motiv për të buzëqeshur; barazimi i Danimarkës me Armeninë e lë këtë kombëtare 1 pikë nga vendi i dytë me një ndeshje më pak”, shkruan “La Gazzetta Dello Sport”.

Sfida e kuqezinjve ka gjetur vend edhe tek portali i mirënjohur i futbollit “Goal.com”, i cili duke vlerësuar mbrojen dhe ndeshjen në përgjithësi të kuqezinjve, nënvizon se Ronaldo ishte protagonist i një mbrëmjeje nën nivelin e zakonshëm.

“Edhe pse të gjithë sytë ishin drejtuar nga Kristiano Ronaldo, si lojtari që duhej të frymëzonte Portugalinë, ai zhgënjeu”, shkruan “Goal.com”.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim