Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në aktivitetin për dhënien e Çmimit “Vullnetari i Vitit 2015”. Në këtë aktivitet të zhvilluar në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, që organizua nga “Neë Vision” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, merrnin pjesë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, Zv. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, përfaqësues të organizatave rinore dhe qindra të rinj vullnetarë.

Meta duke folur gjatë aktivitetit, Kryetari i Kuvendit tha se Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit na fton të gjithëve që të reflektojmë dhe të kthejmë vëmendjen tek rëndësia dhe angazhimi dhe pjesëmarrja e secilit prej nesh. “Shqipëria ka shumë nevojë për këtë dimension social dhe pozitiv, i cili bazohet te kontributi për një të ardhme të përbashkët”, tha kreu i Kuvendit.

Kreu i LSI-së në këtë prizëm u bëri thirrje organizatave që të angazhojnë dhe deputetët në aktivitetet vullnetare, por kërkoi që ftesa të bëhen çdo ditë përveç ditëve të enjte.
“Në këtë drejtim unë dëshiroj t’ju ftoj që të na angazhoni më shumë sidomos ne deputetëve që jemi edhe pjesë e grupit të deputetëve për të drejtat e fëmijëve në aktivitete konkrete. Prandaj na ftoni në mënyrë ta vazhdueshme përveç ditës së enjte, jemi të disponueshëm bashkë edhe me Malaj, bashkë edhe me Ministrin Klosi, edhe me gjithë të tjerët për të dhënë një shembull në kontribut të lartësimit të vullnetarizmit në vendin tonë pasi ka ardhur koha që vullnetarizmi të vlerësohet më ndryshe ën mënyrë që shoqëria jonë të jetë një shoqëri më e drejtë, një shoqëri më pozitive”, tha Meta.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi përmendi gjatë fjalës së tij diskutimet për projektligjin mbi vullnetarizmin, duke e vënë theksin te diskutimet që po bëhen për hartimin e këtij ligji dhe për kontributin e të rinjve në bërjen e Shqipërisë më vullnetare. “Një punë vullnetare është një punë që i shkon komunitetit. Ne po flasim shumë për një ligj për vullnetarizmin. Unë mendoj se procesi për ta realizuar atë, diskutimi mbi këtë ligj janë më të rëndësishme dhe nuk e bën ligji shoqërinë me vullnetare, por kontributi juaj mund ta bëjë Shqipërinë më vullnetare”, tha Klosi.

Pas votimit që u zhvillua në përfundim të aktivitetit, fituesja e çmimit “Vullnetari i Vitit 2015” u shpall Brisilda Hasaj. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)