Kryebashkiaku Erion Veliaj i është përgjigjur këshilltarëve të djathtë në lidhje me akuzat për ndërtimin e pallatit tek Parku i Autobusave.

Teksa inspektonte punimet për ndërtimin e rrugëve tek Parku i Liqenit, Veliaj kërkoi që të gjithë të përqendrohen tek investimet dhe të mos merren me histeritë kolektive të atyre qe s’mbollën një pemë.
Disa këshilltarë të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj se po prish hapësirat e gjelbra duke dhënë leje ndërtimi, teksa u shprehën se PD do të kërkojë referendum për këtë cështje.

“Kryqëzimi këtu te sheshi “Ataturk” është zona me ajrin më të ndotur në Tiranë, cila është përgjigja e qeverisë së sotme? Prishi edhe të vetmin park që bashkia e shkuar kishte ndërtuar në zonë. Janë të paktën 12 parqe dhe lulishte që kjo bashki i ka prishur në Tiranë nën drejtimin e Edi Ramës dhe më pas me Edi Ramën si kryeministër. Partia Demokratike këmbëngul se qytetarët duhet të dëgjohen, që zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet përmes referendumeve vendore dhe të vendosin qytetarët nëse duan parqe për fëmijët tanë apo duan pallate për Edi Ramën”, u shpreh Jamarber Malltezi, kreu i departamentit të Mjedisit në PD.

Ndërkohë Leonard Olli, këshilltar i Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, është shprehur se Partia Demokratike do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar ndërtimin e pallatit.

“Do të vijojë të kundërshtohet me forcë nga Partia Demokratike, e cila do të ndjek si gjithmonë të gjitha hapat ligjor duke filluar që nga pjesa e drejtësisë por edhe e referendumeve vendore sikundër e tha zoti Malltezi për të shpëtuar edhe atë pak gjelbërim që ka mbetur në kryeqytet”, tha Olli

Teksa mori pjesë në përurimin  e një rruge lidhëse tek liqeni, Veliaj u është përgjigjur këtyre akuzave, duke kërkuar që të gjithë të përqendrohen tek investimet dhe të mos kapen në histeri kolektive.

 “Unë besoj se janë këto investime konkrete, këto mbjellje konkrete dhe këto parqe konkrete, ato që bëjnë diferencën dhe jo histeria kolektive e atyre që s’kanë mbjellë asnjë pemë, që nuk kanë bërë asnjë investim konkret, që nuk kanë  sjellë asnjë kënd lodrash, që nuk kanë riparuar asnjë çerdhe. Ndaj i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, të fokusohem te gjërat konkrete dhe të prekshme dhe jo te histeria kolektive që sa herë fillon një investim i shoqërohen punët e bashkisë”, është shprehur kreu i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj.

Prej disa ditësh po zhvillohet një debat mbi këtë objekt që ka nisur të ndërtohet. Firma e ndërtimit tha se ish-kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha kishte dërguar kunatin e tij për të marrë ryshfet për lejen e ndërtimit, akuzë për të cilën, këshilltarët e PD-së e quajtën të pabazë.
 
(D.T/Shqiptarja.com)