​Presidenca, skenarët e ikjes së
Metës, shkarkimi e dorëheqja

​Presidenca, skenarët e ikjes së<br />Metës, shkarkimi e dorëheqja
TIRANE-Paralajmërimi i Ilir Metës se nuk do të dekretojë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit në rast se preken votat, dhe deklarata e Gramoz Ruçit, se nëse e bën këtë, Meta do të jetë presidenti i parë i shkarkuar, kanë hapur një debat edhe mes juristëve. Interpretimet janë të ndryshme.

Ka nga ata që thonë se Kushtetuta është e qartë dhe se mosdekretimi apo pjesëmarrja në fushatë e Metës nuk përbën shkak për shkarkim, ndërsa të tjerë mendojnë se Kushtetuta lë mundësi të hapura për këtë çështje. Disa shkojnë edhe më tej në skenarët e situatës politike, teksa thonë se Meta mund të japë dorëheqjen. 

Pjesë e këtij debati është bërë edhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani me anë të një postimi ne Twitter, i cili i kujton Ruçit se me Kushtetutë shkarkimi i Presidentit kërkon 93 vota.  “Nuk e di për kushtetutën e Fierit, por ajo Shqipërisë thotë se: Shkarkimi i Presidentit të Republikës vendoset nga 93 deputetë“.

Argumentet kundër
Konstitucionalisti  Sokol Hazizaj e konsideron deklaratën e kreut të grupit të PS Gramoz Ruçi për shkarkimin e Metës nga Presidenca  si një qëndrim në  frymën e  fushatës elektorale por  të pamundur për tu realizuar. Gjatë një interviste për Report Tv, Hazizaj  thotë se Ilir Meta  ende nuk e ka marrë detyrën e  Presidentit, por edhe nëse do ta kishte marrë Kushtetuta ka parashikime të qarta kur mund të shkarkohet një President. Ky nuk është rasti thotë ai. “Të flasësh për shkarkimin e presidenti, kur ende mandati i presidentit të ri, i cili është i barasvlershëm në kohë  me betimin  tij para Kuvendit, më duket se është e nxituar dhe elektorale e emocionale, se sa e vërtetë. Presidenti largohet nga detyra kur është i sëmurë rëndë, kur aktet e tij janë në kundërshtim të thellë më ligjet dhe Kushtetutën, ejt. që janë raste me karakter të përgjithshëm. Nuk mendoj se në këto raste mund të bëjë pjesë presidenti i zgjedhur sot”,-tha Hazizaj.  

Argumentet pro
Juristë të tjerë thonë se, ndonëse Ilir Meta është president i zgjedhur, ekziston një mekanizëm fare i lehtë Kushtetues, përmes të cilit Partia Socialiste dhe ajo Demokratike mund të vendosin të largojnë Metën nga detyra e Presidentit ende pa marrë detyrën. Konkretisht, neni 88, pika dy e Kushtetutës parashikon se Presidenti fillon zyrtarisht detyrën e tij vetëm pasi bën betimin, 60 ditë pas zgjedhjes në këtë detyrë. Më tej, pika tre e të njëjtit nen përcakton formulën e betimit. Konkretisht, Meta duhet të bëj betimin e tij përpara Parlamentit në datën 24 korrik. Megjithatë, nëse Partia Socialiste dhe ajo Demokratike vendosin të mos paraqiten në atë seancë, nuk ka asnjë mënyrë për Metën që ai të bëjë betimin dhe të marrë kështu funksionet e kreut të shtetit. Në pamundësi për të bërë betimin, Presidenti humbet automatikisht funksionet dhe parlamenti i ri do të ketë detyrën që të zgjedhë një President të ri.

Dorëheqja, Skender Gjinushi
Kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, gjatë një interviste mediatike, tha se Ilir Meta praktikisht mund të japë dorëheqjen nga posti i Presidenti dhe de fakto e ka bërë këtë. “De fakto ilir Meta ka dhënë dorëheqjen nga Presidenti. Në fillim tha se do të rrijë derisa të bëhet betimi dhe pastaj e kapi situatën dhe tha që nesër unë largohem. Presidenti i Republikës është në konflikt të plotë të interesit që të dalë në krye të një partie politike në fushatë zgjedhore. Dhe për më tepër të kërcënojë me mandatin e Presidenti. Ky është shpërdorimi më i madh që mund t’i bësh Presidentit të Republikës. Unë mendoj që Ilir e ka në mend të japë dorëheqjen. Ka zgjedhur t’i rikthehet LSI-së” – tha Gjinushi. Se si do të vijojë ky debat, do të duhet të presim të paktën 24 korrikun për të parë se cili skenar mund të konkretizohet.

Kushtetuta
Neni 90 i Kushtetutës thotë se: “1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij. 2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. 3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit