Partia Demokratike ka reaguar pas tryezës konsultative të reformës në drejtësi, ku folën ambasadori amerikan dhe kreu i delegacionit të BE-së, duke deklaruar se mbështet plotësisht këtë reformë. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi tha se diskutimi publik ka qenë një kërkesë e hershme e opozitës.
 
“Partia Demokratike e ka mbështetur dhe e mbështet plotësisht reformën në drejtësi, luftën pa kompromis ndaj korrupsionit në drejtësi, e bindur se vetëm gjyqtaret e ndershëm, profesionistë e të pavarur, do të mund të hetojnë e gjykojnë korrupsionin qeveritar”, tha Halimi.
 
Deputeti i PD-së u përpoq që të justifikonte qëndrimin e PD-së duke thënë se oponenca dhe propozimet e saj janë tërësisht racionale dhe në funksion të parimeve ndërkombëtarisht të pranuara, për një drejtësi të pakorruptuar, të aftë profesionalisht dhe njëkohësisht të pavarur nga politika.
 
“Tryezat duhet t’i shërbejnë sensibilizimit sa më të madh që drejtësia të bëhet më e pavarur. E kundërta, kapja dhe marrja nën kontroll, është vetëm asgjësim i drejtësisë, i shërben partisë, por jo qytetarëve dhe të ardhmes së vendit”, përfundoi Halimi.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)