Sipas lajmit të publikuar në faqen zyrtare të kësaj organizate, Taali ndërroi jetë në 8 gusht në një spital në Shqipëri, pas 40 viteve luftë kundër dy diktaturave në Iran. Para se të transferohej në Shqipëri ai kishte jetuar në kampet Ashraf dhe atë të Lirisë në Irak, ku shëndeti i tij ishte përkeqësuar për shkak të mungesës së shërbimeve mjekësore.
Ai është i 26-ti nga grupi i muxhahedinëve iranianë që humb jetën për shkak të mungesës së trajtimit mjekësor. Taali i pati dërguar dhjetra letra OKB dhe SHBA ku fliste pë rolin kriminal të forcave irakene, që i ndaluan kurat mjekësore dhe transferimin në Erbil apo në një prej vendeve të Europës, sipas kërkesës së mjekëve.
Në lajm nuk thuhet se kur Hadi Taali u transferua në Shqipëri dhe në cilin spital u kurua por besohet të ketë mbërritur në vendin tonë vetëm pak muaj më parë. Pas transferimit të tij këtu, ai iu nënshtrua menjëherë në trajtimit mjekësor por për shkak të avancimit të kancerit, përpjekjet e mjekëve ishin të kota dhe ai vdiq të shtunën më 8 gusht.
Hadi Taali ishte mbështetës i muxhahedinëve, një lëvizje opozitare iraniane në azil që kërkonte rrëzimin e Republikës Islamike të Iranit, e themeluar në vitin 1965 një nga grup studentësh me bindje progresive dhe demokratike. Organizata e njohur ndryshe dhe si Muxhahedinët e Popullit të Iranit luftuan kundër Shahut dhe mbështetësve të tij duke kryer edhe sulme kundër regjimit.
Në vitet 70, Taali u arrestua nga diktatura pikërisht për shkak të mbështetjes së tij ndaj muxhahedinëve dhe ishte një prej qindra personave që u rrahën brutalisht gjatë sulmeve të korrikut 2009 prej forcave të regjimit. Për tre dekada ai qëndroi në kampin e Ashrafit në Irak përpara se të transferohej në Shqipëri.
Në maj të 2013-ës, 14 muxhahedinë iranianë, mbërritën në Shqipëri si pjesë e grupit prej 210 personash të pranuar nga qeveria e atëhershme shqiptare me kërkesën e SHBA-ve. Ishte vetë ish kryeministri Sali Berisha i cili i premtoi SHBA-ve gatishmërinë për ti ofruar strehim për arsye humanitare muxhahedinëve që vinin nga kampet e refugjatëve në Irak. Ata u sistemuan në qendrën e pritjes së azilkërkuesve në Babrru ndërsa u morrën në mbrojtje nga shteti shqiptar.
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)