​Veliaj: Parkimi nëntokësor me
pagesë. Lekët do investohen në pemë

​Veliaj: Parkimi nëntokësor me<br />pagesë. Lekët do investohen në pemë
TIRANE-Për pak ditë, çdo qytetar që do dojë të parkojë automjetin e vet në rrugët kryesore të Tiranës, ose siç njihet ndryshe si Zona A, do mund ta rezervojë vendparkimin duke dërguar një sms me celular në numrin 50 500.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot projektin më të ri inovativ, atë të rezervimit të një vendi parkimi nëpërmjet telefonit, i cili fillimisht do të zbatohet vetëm në Zonën A të qytetit.

Duke folur në analizën vjetore të punës së “Tirana Parking”, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi punën e kryer deri më tani nga kjo agjencia, si dhe shpjegoi mënyrën sesi do të funksionojë sistemi i ri rezervimit të parkimit me anë të celularit.
 
“Nga ky muaj, do të mundësojmë që çdo qytetar i Tiranës të paguajë me celularin e vet një vend parkimi për aq orë sa ka nevojë, vetëm duke çuar me sms targën në numrin 50 500, i cili është i aksesueshëm nga të gjithë operatorët celularë. Vetëm duke çuar një sms në nr 50 500 ke mundësi të paguash parkingun për një orë. 10 minuta përpara se të përfundojë koha e parkimit, qytetarit i vjen një SMS i cili do i kujton se duhet ta lëvizë makinën sepse po i përfundon afati i parkimit. Por, mund ta rinovosh afatin e qëndrimit duke çuar një SMS tjetër”, shpjegoi Veliaj. 
 
Kjo do të ofrojë mundësinë që edhe punonjësit e Agjencisë “Tirana Parking” të mund të kontrollojnë pagesat e çdo vendi parkimi, duke përdorur aparatura të posaçme, pa qenë e nevojshme për të prerë fatura apo bileta parkimi.

Të gjithë inspektorët do të pajisen me një aparaturë, pra me një tabletë, ku mjafton vetëm të fusin targën e makinës dhe do arrijnë të kuptojnë nëse parkingu është paguar dhe sa minuta i kanë mbetur secilit. Nëse parkingu rezulton se nuk është paguar, atëherë sigurisht do të aplikohet gjoba përkatëse”, tha Veliaj.
 
Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se projekti i përdorimit të teknologjisë për të parkuar makinën do të krijojë lehtësira të ndjeshme për qytetarët, duke shmangur si kontaktin fizik me punonjësit e Tirana Parking, ashtu edhe harxhimin e kohës që kërkohej me mënyrën se si veprohej deri më tani. “Kjo është mënyra më moderne se si sjellim qytetin e Tiranës në të njëjtin rang si shumica e qyteteve të zhvilluara. Projekti i modernizimit të parkingut do të pilotohet këtë muaj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe mandej, do e shpërndajmë në gjithë Tiranën, kur njerëzit mjafton vetëm një SMS në numrin 50 500 apo duke përdorur aplikacionin Tirana Ime, automatikisht paguajnë parkimin”, shtoi Veliaj.
 
Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se paratë që do mblidhen nga parkimi do të përdoren për të blerë pemët që do mbillen në Pyllin Orbital të Tiranës. “Propozimi që i kemi bërë financave të Bashkisë është që, çdo qindarkë që do të vijë nga parkimet, do të shkojë për të blerë pemë për Pyllin Orbital. Kjo do të thotë se çdo qytetar që paguan parkimin, në thelb nuk është duke paguar parkimin, por është duke blerë një pemë që ne e mbjellim për të dhe fëmijët e tij në Tiranë”, tha ai.
 
Për të shmangur trafikun e panevojshëm në Tiranë, Veliaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin mjetet alternative të transportit publik, duke njoftuar se operatorët e transportit urban po përmirësojnë cilësinë e shërbimit duke investuar edhe në flotën e mjeteve. “Shumë shpejt autobusët do të pajisen me biletë elektronike dhe siç e keni parë, kemi shtuar flotën e mjeteve. Dje shtuam flotën për linjën e Unazës, ndaj sot mund të them se gjendja në Unazë nuk është perfekt, por është dita me natën me ç’e kemi pasur. Shtimi i 14 autobusëve fizarmonikë bëri që, të paktën fluksin e mëngjesit ku qarkullojnë shumë njerëz, të ishte më i lehtë. Një qytet i dizenjuar për 200 mijë banorë dhe sot ka 1 milion, nuk do e ketë zgjidhur përfundimisht çështjen e trafikut, as parkimit, as transportit publik, por ajo që është e rëndësishme është se çdo ditë bëjmë pak progres”, tha Veliaj.
 
Kreu i Bashkisë komentoi edhe projektet e Bashkisë së Tiranës për hapjen e terminaleve të rinj, të cilët do të ndihmojnë në zgjidhjen parkingjeve jo vetëm për shërbimin e transportit ndërqytetas, por edhe për atë ndërkombëtar.

Veliaj bëri të ditur se shumë shpejt do të përfundojnë edhe terminalet në disa pika kyçe të kryeqytetit, të cilat do të lehtësojnë transportin e qytetarëve, por njëkohësisht edhe qarkullimin. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e automjeteve kur nuk është i nevojshëm, ndërsa garantoi se puna e bashkisë për rritjen e vendeve të reja për parkingje do të vijojë edhe në të ardhmen. 
 
Ai tha se falë projekteve për parkim nëntokësor që janë duke u realizuar qyteti i Tiranës ka fituar më shumë se 2 mijë vende parkimi. Veliaj u ndal edhe te çështja e cilësisë ajrit në Tiranë, duke theksuar se vetëm falë nismave të Bashkisë Tiranë u bë e mundur që për 2016 ndotja të ulej me 15%. Ai ka theksuar se ky trend do të ruhet edhe për vitin 2017. Gjithashtu, Veliaj shtoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë shtrirjen e projektit të parkimit rezidencial edhe në zona të tjera të Tiranës.

Tani jemi vetëm në fazën pilot. Kemi filluar me disa blloqe te njësia 5, por besoj se si për çdo gjë që ka bërë Bashkia e Tiranës dhe çdo risi që kemi sjellë, fillimisht përplasemi me një shkulm histerie, pastaj qetësohet, pastaj ndodh informimi, njerëzit përshtaten me gjënë e re dhe sot po të shkosh tek ajo lagje dhe t’u thuash: “a doni të kthehemi siç kemi qenë?”, të gjithë thonë: “në asnjë mënyrë’”, u shpreh Veliaj.
 
Ai bëri të ditur se shkurti do të jetë muaji i fushatës së sensibilizmit për t’ia shpjeguar publikut si do të funksionojë parkimi me celular, qoftë duke çuar një sms te 50 500 me targën, qoftë duke përdorur aplikacionin “Tirana Ime”, që shumë prej të rinjve e kanë nëpër telefonat e tyre.

Kryetari i Bashkisë premtoi zgjidhje të çështjes së pagesave që qytetarët detyrohen të paguajnë ndaj disa individëve të cilët uzurpojnë hapësirat publike padrejtësisht apo vendet e parkimit që janë falas në fundjavë.

[gallery]20946[/gallery]

(d.b/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi