Kanë kaluar 11 vjet që kur Michelangelo Rizzi (në atë kohë 39-vjeçar) vrau me një pistoletë që mbante në shtëpi, Dritan Osmaj, një hajdut shqiptar 24 vjeç, i cili i kishte hyrë në banesë për ta vjedhur.
 
Në mbrëmjen e 26 janarit 2006, Rizzi dëgjoi zhurmë në shtëpi, ku jetonte me gruan dhe qenin. Në fillim vuri re një hije e më pas e kuptoi se i kishin hyrë dy hajdutë, nga dritarja e katit të parë.
 
Vendos të zbresë poshtë dhe merr pistoletën. Hap derën e u bërtet të largohen, pastaj shtie dy herë për paralajmërim, më vonë edhe disa herë të tjera. Godet dhe vret Dritan Osmajn, shqiptarin me një listë të gjatë krimesh: sherre, blerje sendesh të vjedhura, sulm verbal kundër policisë. I specializuar për emra fals, aq sa identifikohej edhe me emrin Andi Saraçi.
 
Pas një procesi të gjatë, Rizzi lirohet nga akuzat për vrasje dhe tejkalim të veprimit për vetëmbrojtje. Por, disa javë më parë, motra e Osmajt shfaqet në jetën e tij.
 
"Çështja ime është mbyllur, por në dhjetor na u njoftua, nga familja e të vdekurit, se kërkojnë një dëmshpërblim rreth 200 mijë euro”, thotë Rizzi për një gazetë të Breshias.
 
Një kërkesë absurde e që e vë në vështirësi. Në fakt, e gjitha jeta e tij ndryshoi pas asaj grabitjeje të mbetur në tentativë: "Kisha një firmë timen, krijuar bashkë me gruan. U sakrifikua e gjitha në bankën e të akuzuarve. Edhe pa pasur probleme ligjore ishte e vështirë të punoje, imagjino në ato kushte”.
 
"Nuk vdes për bukë. Punoj si kuzhinier, ndihmoj një mik. Në verë punoj në liqenin e Gardës dhe në dimër shkoj jashtë. Me gruan jemi ndarë, efekti ishte tepër i fortë. Por i duam të mirën njëri-tjetrit. Askush nuk arriti të na bënte keq dhe nuk do të jemi ne që t’i bëjmë keq njëri-tjetrit”, thotë Rizzi për Brescia Today.
d.i./Shqiptarja.com