83 vepra në tri kategori: poezi, prozë dhe përkthim kanë konkurruar në edicionin e këtij viti për çmimet “Gjergj Fishta” në Lezhë.
Rudolf Marku u vlerësua për vëllimin më të mirë poetik, Flutura Açka mori çmimin për veprën më të mirë në prozë, ndërsa Agron Tufa u vlerësua për përkthimin më të mirë letrar.
Për Flutura Açkën:
“Ky çmim nuk ka ngjyrë, gjë që është shumë e mirë, dhe po merr përmasat kombëtare. Këto janë dy gjëra shumë të rëndësishme për një çmim që të kthehet në institucion.”
“Nga gjithë çmimet letrare që jepen, nuk mund të përmend një çmim tjetër, me emër tjetër më të rëndësishëm se çmimet ‘Gjergj Fishta’”, tha poeti Rudolf Marku.
Risia e këtij viti ishte çmimi “Gjurmë Fishtjane”, që synon të vlerësojë krijimtarinë që përcjell dhe zhvillon trashëgiminë letrare të Fishtës dhe që iu akordua Zef Përgegës për librin “Epika Malësore”.
“Para kësaj bukurie lehane këtu në Lezhë po ndërtohet kalaja e Fishtës. S’po e ndërtojnë intelektualët, e ndërton rinia, institucionet dhe poetët, shkrimtarët.”, tha autori Zef Përgega.
“Çmimet Gjergj Fishta vendosin kështu një stad cilësie, që formon kriterin e konkurrimit dhe prestigjin e trofeut. Njëherësh, ky çmim shndërrohet në pelegrinazh të shenjtë, në tempullin e një korifeu në Lezhë.”, tha shkrimtari Preç Zogaj, kryetar i jurisë.
Çmimet u ndanë në Lezhë me rastin e 155 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. Ndërsa për rëndësinë e trashëgimisë së Fishtës është shprehur edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ajo e cilëson “Lahutën e Malcis” si thesarin e çmuar të letërsisë kombëtare, që përcjell historinë dhe identitetin shqiptar nga brezi në brez.








Komente
Komento