Shumica e shqiptarëve ndihen të sigurt në zonat ku jetojnë dhe kanë vlerësim kryesisht pozitiv për punën e Policisë së Shtetit. Këtë e tregon “Barometri i Sigurisë së Jetës dhe i Punës së Policisë së Shtetit për vitin 2025”, i publikuar nga Qendra “Agenda”, bazuar në një sondazh kombëtar me mbi 1180 të anketuar në të gjithë vendin.
“Shqiptarët e zakonshëm e shohin lagjen e tyre në qoftë se ndodh diçka. A vjen menjëherë reagon policia? A e ndjejnë praninë e policisë? A e ndjejnë veten të sigurt kur kthehen natën, ecin vetëm natën?",- thotë Eduart Zaloshnja, i cili është dhe drejtues i Qendrës Agenda.
Sipas sondazhit të prezantuar në Akademinë e Sigurisë, mbi 85% e qytetarëve deklarojnë se ndihen të sigurt kur ecin vetëm në errësirë, ndërsa më shumë se 76% vlerësojnë se niveli i kriminalitetit në zonën ku banojnë është i ulët ose shumë i ulët. Po ashtu, rreth 70% e të anketuarve besojnë se policia reagon shpejt ndaj vjedhjeve dhe krimeve, ndërkohë që afro 79% pohojnë se ndiejnë praninë e bluve në zonën ku jetojnë. Në tërësi, mbi 70 për qind e qytetarëve e vlerësojnë punën e policisë si pozitive ose kryesisht pozitive.
Perceptimet e sondazhit përputhen me treguesit e sigurisë, të cilët dëshmojnë një përmirësim të ndjeshëm në krahasimin me vitin 2010.
“Këtë vit që mbyllën kemi pasur 153 vdekje më pak vdekje rrugore më pak sesa në vitin 2010. 43 vdekje nga vrasjet e qëllimshme këtë vit, 109 kanë qenë në vitin 2010. Pra një reduktim me mbi 60%",- thotë Zaloshnja.
Në raport vlerësohet se indeksi i vdekshmërisë nga krimi ka rënë nga 38.2 vdekje për 1 milion banorë në vitin 2010 në 18.2 në 2025-ën. Shqipëria paraqitet më e sigurt se Mali i Zi, ndërsa diferenca me mesataren e BE-së lidhet kryesisht me peshën e krimeve brenda familjes, të cilat përbëjnë rreth 18.6% të vdekjeve nga krimi në vend.
Edhe në fushën e aksidenteve ka rënie nga 352 raste në 2010-ën në 199 në 2025-ën. Ky përmirësim ndodh pavarësisht rritjes së ndjeshme të makinave në rrugë. Vetëm ato me targa shqiptare janë trefishuar, nga rreth 380 mijë në vitin 2010 në afro 1 milion në vitin 2025. Me gjithë këtë rritje, vdekshmërisë rrugore ra ndjeshëm, nga 96.2 vdekje për 100 mijë automjete në vitin 2010 në vetëm 19.9 në vitin 2025, duke e bërë sigurinë rrugore gati 5 herë më të lartë se 15 vjet më parë.
Edhe sa u takohen aksidenteve, në krahasim me rajonin dhe BE-në, Shqipëria paraqitet me tregues pozitivë. Vdekshmëria rrugore rezulton më e ulët se në Malin e Zi.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Komente








