90 vjet nga vrasja e Gurakuqit

90 vjet nga vrasja e Gurakuqit
90 vjet më parë,  në Bari të Italisë, një vrasës i paguar do të shtinte me armë mbi Luigj Gurakuqin. Vargjet e elegjisë së famshme të Fan Nolit e shprehin sot e kësaj dite peshën e madhe të kësaj humbjeje për Shqipërinë.

Nëno moj, mbaj zi për vllanë, /Me tre plumba na i ranë,/ Na e vran' e na e shanë, / Na i thanë trathëtor.
 Se të deshte dhe s'të deshnin, /Se të qante kur të qeshnin,/ Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

 Nëno moj, vajto, merr malin, /Larot t'a përmbysnë djalin/ Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror….


Dhe Fan Noli nuk do të mjaftohej me këtë elegji kshtuar patriotit të madh Gurakuqi. Ai vlerësonte maksimalisht mendimin dhe qëndrimin perëndimor të këtij burri të madh, duke u shprehur se  Gurakuqi ishte “pionier i qytetërimit përëndimor në Shqipëri, një nga shqiptarët e flakët që thithi me themele kulturën e Përëndimit dhe si njeriun që punoi më gjate e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellur farën e saj në Shqipëri”.

Luigj Gurakuqi lindi në Shkodër më 20 shkurt 1879 dhe u rrit në gjirin e një familje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi.  Shkollën fillore e të mesme jo të plotë i ndoqi në Kolegjin Saverian në rendin tekniko-tregtar, që ishte shkolla më e organizuar dhe më e kompletuar që kishte Shqipëria e asaj kohe. Luigji qe ndër nxënësit më të zellshëm të shkollës dhe shumë shpejt, që në moshën 13 vjeçare i shfaqen prirjet për gjuhën shqipe dhe krijime letrare. Prej Kolegjës Saveriane doli më 1897.

Më pas plotëson arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues De Radën, figurë që e frymëzoi për tërë jetën. Diplomën e pjekurisë e merr në Kozencë për ‘Sciences naturelles’, duke ndjekur edhe kurse të veçanta në filozofi. Vijoi studimet universitare në Napoli (Itali) në Fakultetin e Mjeksisë në vitet 1901-1906, ku njohu Zef Skiroin, profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Institutin Lindor të Napolit.

Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati më 1904 nga shkaku i një botimi të vogël mbi kolonitë shqiptare në Itali «Dy Koloní Shqiptare n'Italí deri tash të panjohtuna».  Më 1905 u shtrëngua të marrë malet për t'i shpëtuar ndjekjeve.Me shpalljen e Kushtetutës falen të gjithë ç'kishin bërë faje politike.

Më korrik 1908 mbërrin në Shkodër i adhuruar nga populli, mban një fjalim në shqip në praninë e Komitetit të Turqve të Rinj, e përcjellin deri në shtëpi.
Në nëntor 1908 merr pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqsuesve nga Shkodra: Atë Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit; ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit.

Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i "Bashkimi"-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqsonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqsonte arbëreshët e Italisë. Gurakuqi pati meritën dhe fatin që udhëhoqi drejtpërdrejtë luftën për krijimin e shkollës kombëtare shqiptare dhe të sistemit tonë arsimor. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri.

U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentat e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Dora e tij shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve. Në tetor të 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare.  

Në prill 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, harton së bashku me Atë Mati Prennushin Memorandumin e Greçës, apo Librin e Kuq siç njihet ndryshe të malësorëve kryengritës, zjarri i armëve të të cilëve do të paralajmëronte pavarësinë. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës.

Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, dhe do merrte pjesë në shtegtimin nga Bukureshti në Vienë. Me vaporrin e dhënë nga austro-hungarezët duke shoqëruar Ismail Qemalin zbret në Durrës më 24 nëntor në orën 4 mbasdite, u nisën të nesërmen me 25. Një natë fjetën në Çermë tek Dervish bej Biçakçiu, dhe një natë në Fier tek Omer Pashë Vrioni. Në Vlorë mbërritën më 27 dhjetor në darkë.

Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Nga gjendja e tensionuar në Shqipërinë e mesme, pasi qëndresa nuk u shfaq e frytshme tërhiqet në Shkodër me Aqif pashën ku vihet në krye të një Komisioni Sundimtar të Përkohshëm.

Me Luftën I Botërore Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916.
Gjatë pushtimit austro-hungarez, prania e Komparmatës XIX të komanduar nga gjen. Trollmann vihet drejtor i përgjithshëm i Arsimit, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916. Profesori i Filologjisë romane në universitetin e Ljubjanës, më parë prof. në Univ. e Gratz-it në Austri që bëri pjesë në punimet e kësaj Komisie, Radomir Nachtingall, e çmon Gurakuqin.

Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ku ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës, u emërua zëvendës i dr. Mihal Turtullit në ministrinë e Arsimit të kabinetit të Turhan Pashë Përmetit. Që në mbledhjen e parë të Kongresit të Durrësit, më 1918, L.Gurakuqi "âsht kundër që në një mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman", kërkon që fjalë të tilla të jenë të ndaluara dhe shton se "...çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: "Feja e lirë në shtet të lirë". I ngarkuar nga kjo qeveri si anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris ku qendroi 15 muaj. Çdo shkresë e përdorur nga delegacioni u shkrua nga duart e tij e të Mustafa Merlikës.

Iu dha edhe posti i ministrit të brendshëm, në kabinetin disa ditor të H. Prishtinës. Këto ide e mendime L.Gurakuqi i shtjelloi hollësisht në diskutime në parlamentin shqiptar dhe, posaçërisht n'artikullin "Bazat e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëvet muhamedanë e të krishtenë". Ai ishte kategorikisht kundër atyre që mendonin se për të larguar konfliktet fetare që mund te lindnin, duhet, me të butë e me të fortë, të shuhen besimet fetare në Shqipëri.

Më 1921-1924 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. I qëndroi besnik deri në fund të jetës idealit për të parë një ditë të bashkuar rreth tokës amtare gjithë vëllezërit e kombit.  

Më 5 mars 1924 u sëmur rëndë nga një grip i fortë që e mbërtheu afro një muaj në shtrat. Shtypi i dha vëmendje të veçantë, aq sa Avni Rustemi i thoshte Dom Shantojës "Opozita po pushon: Kemi Gurakuqin e sëmurë".

Në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua Ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Nolit më 1924.

Pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra në Bari prej Baltjon Stamollës në derë të Hotel Cavour, kushëri i vetë Luigjit.
Ishte mbrëmja e 2 marsit, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke i paraqitur arsyen: do t'shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij. Në xhepat e shkyer të ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira.  

Autoritetet italiane nuk lejuan që funerali të mbahej në qytet, por vetëm brenda mureve të varrezave. N'ato çaste tragjike miku i afërt i Gurakuqit, Lin Kamsi ruajti veshjen me të cilën ishte vra "trimi i bardhë si dborë" për t'ia lanë si kujtim brezave të ardhshëm. Në Bari rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, prej Hasan Prishtinës, Llazar Fundos, Beqir Valterit etj.

Në nderim të 90 vjetorit të vdekjes së këtij intelektuali dhe patrioti të madh, sjellim për lexuesit tanë nëj grup artikujsh e letërkëmbish mes Gurakuqit dhe disa miqve të tij, të gjithë mblkehdur në fondet e arkivit qendror  të shtetit dhe përgatitur për botim nga Eugjen Merlika, të cilit I jemi mirënjohës për kontributin e tij ën krijimin e këtij numri të posacëm të Rilindasit kushtuar përvjetorit të humbjes tragjike të Luigj Gurakuqit.

luigj gurakuqi

















Shenim: te dhenat per kete pershkrim jetesor te Gurakuqit i kemi konsultuar nga Wikipedia

*Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Mars 2015


Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar