Sot shkrimtari Kasëm Trebeshina do të mbushte 93 vjeç. Ndonëse i përjashtuar, si shkrimtar edhe nga letrat shqipe, sipas studiuesit Behar Gjoka, letërsia shqipe sot dhe nesër ka nevojë për Kasëm Trebeshinën (1926-2017). Në një intervistë për kamerën e “ReportTV” studiuesi i letërsisë shqipe Behar Gjoka teksa shpjegon në këtë 93-vjetor të lindjes, se përse lexuesit duhet që të lexojë edhe jo të keqkuptojë veprën e tij pa e lexuar, mendon se mospranimi i emrit të tij në arealin e letrave shqipe, vazhdon vetëm për arsye jashtëletrare.
“Nuk është çështje detyrimi, por është çështje nevoje që ka lexuesi shqiptar për letraren që endi në gjallje Trebeshinën. Është fjala këtu për mbi 80 tekste dramatikë; në prozë, tregim, novelë, romane. Është fjala këtu për tekste të tjera që kanë të bëjnë me estetikën edhe mënyrën sesi ai e vështronte letërsinë, sepse në fakt në pamundësi për të bërë jetë normale, Trebeshina jetoi me letërsinë dhe për letërsinë. Në këtë dimension, edhe duke u nisur nga fakti që vetëm një pjesë e veprave të tij është botuar, një pjesë janë ende në dorëshkrim edhe një pjesë jo vetëm që nuk është e lexuar e gjitha, por më së shumti është keqkuptuar. Në gjallje nuk u kuptua. Bën pjesë tek ata autorë, që pasi ka ndërruar jetë ne kemi shansin të merremi me tekstin, edhe të kuptohemi apo të keqkuptohemi nuk duhet është parësore”.
Për Gjokën, Trebeshina me veprën edhe jetën e tij ka dëshmuar lirinë edhe pse nuk është futur në programet shkollore dhe universitare.
“Ky autor nuk u fut në programe, në Teatrin Kombëtar është dhënë vetëm një shfaqje një natë edhe pastaj nuk u vendos më. Ky autor ishte i vërtetë në pohimet e tij sa i përket komunikimit me diktaturën edhe me jetën, por ishte po kaq i vërtetë edhe në komunikimin letrar. Mesa duket të jesh mendjehapur në shoqërinë tonë është pak e vështirë. Unë mendoj se Trebeshina me jetën edhe veprën e tij dëshmoi lirinë. Në momentin që ne jemi do të duhet që jo të merremi me këtë fakt, por të merremi me atë që shkroi Trebeshina, se është pjesë e letërsisë shqipe, se nuk e bëri jetën si gjithë të tjerët. Është pjesë e letërsisë shqipe, për shembull, ne e dimë të gjithë se çfarë është “Lahuta e malcisë” e Gjergj Fishtës, por mendoj se “Kënga shqiptare” e Trebeshënës, është një dimension tjetër i letërsisë shqiptare. Në këtë kuptim, normalisht që mund të ketë tekste që mund t’i vësh në dyshim, por ka tekste që nuk mund që të vihen në dyshim për marrëdhënien estetike”.
Me tej Gjoka shton se mesa duket Trebeshina pret lexuesin real, lexuesin e së ardhmes, që nuk ka nevojë që të merret me biografi apo me tematikën, por do të merret thjesht me artin.
“Unë mendoj se merita e Trebeshinës lidhet me lëvrimin e surrealimzit. Edhe surrealizmi edhe si pasojë e refuzimit të estetikës së realizmit socialist. Edhe duke qenë fillimisht brenda, duke ja njohur mungesat ai tërë rezistencën ia bëri duke sendërtuar një model tjetër të ligjërimit letrat, surrealizmit”, thotë ai.
Nëse emri në gjallje na trembi, sipas studiuesit, shkrimi tij nuk ka asnjë arsye të mos na tërheq për ta lexuar edhe për të keqkuptuar.
“Aty ku është keqkuptimi, unë jam i sigurtë, që do të vijë një moment, që ne do të themi: Këtu, po. Ka një situatë që unë nuk e dija. Nuk e dija si dimension në art edhe si dimension dije etj”, shpjegon Gjoka.
Në 30 vjet institucionet e arsimit edhe kulturës, nuk e panë vlerën e artit të Trebeshinës, nuk kthyen sytë nga dramatika e tij, që sipas Gjokës do ta nxirrte përfundimisht nga kriza dramën shqipe.
“Për momentin ato janë në duart e familjarëve, ku natyrisht që familjarët kanë pësuar një fat të tmerrshëm, sepse të birin e hoqën nga puna, para pak ditësh ndërroi jetë një nga mbesat e tij, edhe aty nisi që të humbasë çdo lloj marrëdhënie me mjedisin. Unë mendoj se autorë si Trebeshina nuk i përkasin mjedisit, por kulturës shqiptare. Institucionet shqiptare të mos hezitojnë tashmë, se as nuk ka shans që t’i urrej edh as t’i adhurojë edhe të fillojë botimi sipas detyrimeve që ka mbi të drejtën e autorit, sepse është një punë e jashtëzakonshme, sepse disa tekste Trebeshina i ka përkthyer vet në anglisht, sepse në momentet e fundit, ai deklaronte se “do të komunikojë më lexuesin e gjerë, edhe nuk më intereson pjesa tjetër”. Por deklarimet edhe tekstet e tij kanë një lloj hapësire bosh. Unë e marrë tek tekstet”, tregon Gjoka, duke shtuar se asnjëherë nuk është pjesë e interesimit të tij biografia, nuk është pjesë e interesit të tij jashtëletrarja, por vetëm teksti letrar në dimensionin e një shkrimtari që i bën nder letërsisë shqipe.
Sipas tij, në dimensionin e një shkrimtari, kur Trebeshina është përkthyer në Francë vlerësimet për të kanë qenë të jashtëzakonshme, që nuk janë fort të shpeshta jashtë Parisit.
“Por ne këtu kemi nevojë gjithmonë që të na pohohet diku tjetër edhe pastaj ta marrim seriozisht. Puna është këtu që në raport me gjuhën, me stilin, është një shkrimtar që është përkarshi Camajt, Kadaresë, Pashkut, Agollit edhe Arapit edhe Qoses, por ne duhet që të themi se asnjë prej tyre nuk është tepër, sepse secili prej tyre ndërton mozaikun e letrave shqipe. Edhe nëse heqim njërin humb jo pak nga ngjyresa e mozaikut. Në këtë kuptim i ndëshkuari, i refuzuari ka qenë Trebeshina. Është e tepërt tani pas vdekjes së tij ta vazhdojmë me refuzimin. Unë mendoj se me zgjedhjen që bëri Trebeshina, duke u varrosur në tokën shqiptare mbylli të gjitha keqkuptimet që herë pas here janë munduar të tjerët, edhe tani jemi në marrëdhënie me tekstin. Tekstin e tij duhet që ta hipotekojmë si vlerë shumë e rëndësishme e letërsisë shqipe”, përfundon studiuesi.
Shkrimtari edhe studiuesi Behar Gjoka përfundon se veprën e Trebeshinës duhet që ta hipotekojmë, si një vlerë shumë të rëndësishme të letërsisë shqipe.