"Aldo Bare", ndalohen dy në sallën e gjyqit

ELBASAN (5/10/2001) Shtohen edhe dy dëshmitarë të ndaluar, nga të thirrurit për të dëshmuar mbi bandën e Aldo Bares. Dje në seancën e tetë gjyqësore për bandën e Lushnjes, gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç i kishin parashikuar togat e zeza. Dy dëshmitarë nga Lushnja, Petrit Selami e Hasan Kipkiu, janë shoqëruar në komisariat për dëshmi të rreme. Ndërkohë avokatët e të pandehurve kanë kërkuar që klientët e tyre, Enver e Arben Boriçi, Ysniqemal Ymeri, Ilir Stregu, Erion Cici e Arian Aliçka, të lihen të lirë, "pasi u ka kaluar afati i paraburgimit". Por kjo kërkesë nuk është marrë në konsideratë nga prokurorët e çështjes "Bare", "pasi dosjet janë paraqitur vetëm 3 muaj më parë, në fund të janarit 2001". Organi i akuzës kishte thirrur për të dëshmuar në seancën e djeshme, tre dëshmitarë. I pari ka dëshmuar Petrit Selmani nga qyteti i Lushnjes. Por, duke kujtuar se mund "të lahet" shpejt me Drejtësinë e të kthehet në shtëpi, si dhe nga frika për të dëshmuar në sy të të pandehurve, ai ka përfunduar në pranga. Me urdhër të prokurorit të çështjes, uniformat blu e kanë shoqëruar atë për në Komisariatin e Elbasanit. Selami, sipas prokurorëve, 8 muaj para arrestimit të shokëve të Bares, ka ngritur një padi ndaj disa prej pjesëtarëve të saj. "Ata ma kanë rrahur e masakruar tim bir", ky ka qenë edhe denoncimi i Selamit, i cili ka dhënë emrat e personave. Por, kur ka hyrë në seancën e djeshme, megji-thëse është betuar për "të treguar të vërtetën", ai i ka mohuar fjalët e tij: "Nuk është e vërtetë. Nuk e kam bërë një gjë të tillë. Nuk kam pasur arsye, pasi familja ime nuk ka pasur asnjë problem me këta persona. Madje është hera e parë që i shikoj." Kaq u është dashur njerëzve të Drejtësisë që të urdhërojnë prangosjen e dëshmitarit, nën akuzën e "dëshmisë së rreme". Edhe dëshmitari i dytë, Hasan Kipkiu, ka pasur të njëjtin fat me paraardhësin e tij. Megjithëse nuk është bërë publike se çfarë ishte shkruar në një letër, ai e ka hedhur poshtë atë. Pasi prokurorët i kanë treguar letrën e nënshkruar prej tij, ai e ka mohuar atë. "Nuk është e vërtetë. Unë nuk kam firmosur asnjë letër." Edhe pas kësaj deklarate, me urdhër të prokurorëve, policët që ndodheshin në sallë e kanë dërguar Kipkiun në komisariat. Para disa seancash, një tjetër dëshmitar nga Lushnja është arrestuar. Në sallën e gjyqit ai deklaroi se njërin nga të akuzuarit, të cilit iu drejtua me gisht, e kishte parë në qytetin e tij, me një kokë njeriu në qese. Por, pas tensionimit të të afërmve të të pandehurve, ai deklaroi një tjetër gjë: "Nuk e mbaj mend se kush ka qenë, ndoshta janë persona tjerë, se këta këtu nuk i kam parë ndonjëherë." Duke rënë kështu ndesh me fjalët që kishte thënë para 1 minute.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm