Amfiteatri, nisin gërmimet

DURRES (20/7/2000) Amfiteatri do të dalë në dritë. Ka qenë ky vendimi, por dhe investimi i fundit i Bashkisë së Durrësit.Mjete të rënda të NATO-s, kanë dy ditë që kanë nisur gërmimet në pjesën jugore të amfiteatrit. Kryebashkiaku Gorea i bëri thirrje forcave të AFOR-it, që të lëvizin masat e dheut që mbajnë të mbuluara prej shekujsh pothuajse gjysmën e këtij objekti gjigand të antikitetit. Ata i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryebashkiakut të Durrësit. Në krye të punimeve është arkeologia Lida Miraj. Ajo thotë se "do të zhvendosen me mijëra metra kub dhera, derisa të arrihet në shtresën e objekteve arkeologjike. Sipas të dhënave, mendohet se shtresa e parë është e përbërë nga varreza të qytetarëve durrsakë të mesjetës. Pas kësaj, faza tjetër e punimeve do të vazhdojë me kazma dhe lopata". Por për të mbërritur deri në këtë fazë ekskavatorëve të NATO-s do t'iu duhet shumë punë. Vetëm gjatë dy ditëve të para të punimeve janë hequr 170 metra kub dhera. Kjo sasi dheu është depozituar një pjesë në plazhin e Currilave, ndërsa pjesa tjetër në Porto-Romano. "Pronari" i amfiteatrit I vemti incident, që kanë pasur ushtarakët e NATO-s, ka qenë me një banor të asaj zone, i cili kërkonte të ndalonte punimet, pasi kishte shtëpinë shumë pranë. Por ky rast nuk është përsëritur më deri tani. Miraj sqaron se "ai me preteksin e pronësisë kërkonte të frenonte punimet, kur dihet se Amfiteatri edhe me ligj është monument kulture dhe është pronë e shtetit". Sidoqoftë, ende mbetet një problem për t'u zgjidhur në mënyrë që gjigandi i antikitetit të dalë i gjithi në dritë. Janë 8 familje që kanë ngritur shtëpitë e tyre të banimit në atë zonë. Ata duhet të largohen, por më parë iu duhet gjetur një tjetër strehë. Kryetari i Bashkisë, Arqile Gorea, thotë se "ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për t'i shkuar deri në fund kësaj pune". E rëndësishme është se pas 9 vitesh heshtjeje kanë rinisur gërmimet në amfiteatër. Krahas punimeve në këtë objekt, po punohet edhe pranë "Oazit Arkeologjik" për të nxjerrë në pah "Forumin Bizantin". Janë 500 mijë lekë të Bashkisë që kanë vënë në punë Muzeun Arkeologjik. Gërmimet në këtë pjesë po drejtohen nga drejtori i muzeut Afrim Hoti. Në fakt, gërmimet kanë nisur që vitin e kaluar dhe një pjesë e madhe e tij ka dalë në pah.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Milani përballet me Real Madridin, Fonseca: Jemi të motivuar, Leao luan nga minuta e parë