Arrestohet fotografi trafikant

LEÇE (26/5/2000) Një fotograf italian arrestohet në Otranto me 26 kilogram heroinë. Ignazio Montenegro ishte nisur me makinën e tij nga Vlora në një traget që bënte linjën Vlorë - Otranto. I ndodhur prej disa ditësh në Shqipëri, fotografi po kthehej në Itali me makinën personale tip Xhip. Ai është ndaluar nga Guardia di Finanza gjatë kontrollit të makinave që bëhen në port. Droga e paketuar në pako të vogla 250 gramëshe - nga ato që zakonisht trafikantët shqiptarë i përdorin për mbështjelljen e marijuhanës - ishte fshehur në një ndarje të serbatorit. 34 vjeçari është marrë në pyetje nga policia e ka treguar misionin e tij në Shqipëri. Ai nuk ka pranuar të kishte dijeni për heroinën që iu gjet në makinë dhe është justifikuar se mund t'ia kishin futur pa dijeninë e tij. Këtë përgjigje përdorin zakonisht të gjithë trafikantët e miellit të bardhë. Organet e policisë që janë marrë më pas me këtë çështje kanë deklaruar se sasia prej 26 kilogramësh është më e madhja e kapur ndonjëherë në zonën e Salentos. Për të zhdukur erën e athët të drogës, që me pakicë merr vlera miliardash, trafikantët kanë përdorur një lëng të errët, që lëshonte një erë shpuese. Por, kjo gjetje, veç vendit të sigurtë të zgjedhur, nuk ka hutuar Grillon, qeni i stërvitur nga Guardia di Finanza posaçërisht për gjetjen e heroinës. Droga u sekuestrua dhe Ignazio Montenegro, i padyshimti klasik, u vu në pranga. Ai është pronar i një studioje profesionale në Barletta të Italisë. Në momentin e zbarkimit nga trageti "Niobe", gjatë kontrollit të financierëve dhe të policëve të Kufirit, fotografi është dukur i qetë, por ishte ngutur të largohej dhe kjo gjë ka ngjallur dyshimet e ushtarëve. Këta të fundit u vunë në kërkim me qenin "Grillo", duke kërkuar në çdo cep të fuoristradës "Jeep Cheeroke". Pikërisht te serbatorët, njëri prej të cilëve kishte një vidë të liruar, qeni antidrogë ka insistuar. Pastaj një mekanik ka çmontuar serbatorët dhe ka gjetur 26 kilogramët. Agjentët e policisë e kanë marrë me vete dhe pas vendosjes së masës së arrestit, prokurorët e antidrogës do të kërkojnë prej tij të rrëfejë të gjithë linjën e trafikut dhe njerëzit që bëjnë pjesë në të. Heroina që vjen nga Turqia kalon tranzit nga Shqipëria për në Itali. Zakonisht përdorën skafet për të bërë transportin, por në raste të shumta edhe tragetet shërbejnë për të fshehur gjurmët e trafikantëve. Në një të tillë, fotografi italian ka kërkuar të kalojë një sasi prej 26 kilogramësh heroinë, e cila është arritur të kapet nga policia fqinje.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni turin e Ramës me diasporën?



×

Lajmi i fundit

‘Anti-korrupsioni’, avokat Cakrani: SPAK duhet të japë llogari diku! Ibsen Elezi: Kjo rezolutë ka synime të fshehura