Bllokohen 37 kile heroinë

(15/12/2000)Shpartallohet një klan mafioz, me lidhje të fuqishme me familjen shqiptare Hasani në Durrës. Sipas ANSA-s, një operacion i Departamentit të Antimafias ka kryer gjashtë arrestime dhe ka bllokuar një sasi prej 37 kilogramësh heroinë të pastër. Hetuest e Prokurorisë lokale të Antimafias në Bari, bëjnë të ditur se droga kishte ardhur nga Shqipëria dhe shkonte drejt Italisë, e cila shërbente si trampolinë për vende të ndryshme të Evropës. Droga e bllokuar ishte e një cilësie mjaft të lartë dhe çmimi i saj kapte shifra astronomike. U ka kushtuar më shumë se 2 miliardë lireta blerja e 37 kilogramëve heroine të pastër, por nuk kanë arritur ta shpërndajnë deri në destinacion. Tashmë ajo ndodhet e sekuestruar dhe mjaft fije, që kanë pasur lidhje me kupolën mafioze italiane që drejtonte dhe klanin Hasani, janë këputur. Operacioni Kështu kanë pohuar për agjencinë ANSA, hetuesit e Departamentit të Antimafias të Barit, të cilët prej kohësh ishin vënë në përgjim të personave të dyshuar për trafikun ndërkombëtar të drogës. Pikërisht ky hetim, i koordinuar nga sektori i Antimafias në Prokurorinë e Barit dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Republikës në Brescia, ka bërë të mundur ndalimin e gjashtë personave dhe sekuestrimin e 37 kilogramëve heroinë të pastër, e një cilësie shumë të lartë. Agjentët e Antimafias, kanë pohuar për ANSA se kishte kohë që ishin vënë në ndjekje të këtij grupi. Pas sinjalizimeve që kanë mbërritur në lidhje me zbarkimin e drogës nga Shqipëria në Itali, ata e kanë lënë të lëvizë dhe për pak kohë, me qëllim për të pikasur ndonjë lidhje tjetër të trafikantëve. Sipas hetuesve italianë, droga do të kalonte nga Italia në Veri të Evropës. Një shqiptar është ndaluar nga ana e policisë, ndërkohë që pesë persona të tjerë, janë shoqëruar për verifikime në policinë italiane. Bllokimi i drogës është bërë në autostradën A 21, në afërsi të Cremonës. Pas kontrollit të imët, që i është bërë makinës, droga është gjetur në një dysheme të dyfishtë, të ndërtuar enkas për fshehjen e saj. Të ndaluarit I pari që është vënë në pranga nga ana e policisë, është një 27- vjeçar nga Tirana. Amarildo Cepani, që prej kohësh ndodhej në Belgjikë dhe që ishte një prej personave më të besuar të organizatës mafioze, është bllokuar ndërsa udhëtonte me një Renault Megane Scenic. Sipas pohimeve që kanë bërë hetuesit italianë, Cepani është një nga personat mjaft aktivë të organizatës. Droga Ai vinte nga Greqia dhe duhej të shkonte në Lombardi, ku e prisnin disa bashkëpunëtorë. Por ai është ndaluar në afërsi të Cremonës, ndërsa niste makinën e mbushur plot me drogë. Ndërkohë kapja e personave të dyshuar në lidhje me këtë trafik, ka vazhduar në Brescia. Tre persona, të cilët, sipas policisë, duhej të prisnin drogën dhe më pas ta shpërndanin në tregje të ndryshme. Bëhet fjalë për një italian Pierangelo Lombardi, nga Brescia, 27 vjeç dhe për dy të reja shqiptare Dave Prenga, 24 vjeç dhe Enkelejda Bodlli, 23 vjeçe. Të dyja vajzat mendohet të jenë të dashurat e njeriut, që cilësohet koka e organizatës, Ndue Jushi. Sipas policisë, ai thërritej me emrin "Viktor" dhe është 33 vjeç. Gjithmonë sipas hetuesve, ai është një njeri shumë i besueshëm i Hasanëve të Durrësit, me të cilët kanë lidhje shumë familje keqbërëse shqiptare që drejtojnë trafikun e drogës dhe atë të emigracionit klandestin. Bashkë me Jushin është ndaluar dhe një tregtar këpucësh shqiptar Nikolin Lleshi, i cili është gjetur në apartamentin e Jushit. Sipas policisë, organizata duhej të shpërndante këtë sasi droge në Holandë, Belgjikë dhe në zonën e Italisë, mes Puljas dhe Lombardisë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Mesfushori goditet me thikë në fushë gjatë Klasikes në Amerikën Latine