Caka rrëfen lidhjet me politikanë

(4/1/2002) TIRANE Lulzim Caka vetëm pak ditë pas kapjes nga policia italiane është shndërruar nga një supervrasës ordiner, në një person me "imunitet" politik. Ka qënë një spektakël i vërtetë karta e "azilit politik", që ai ka përdorur, i këshilluar nga avokati i vet menjëherë pas arrestimit. Rrëfimi i gjatë përballë prokurorëve të vendit fqinj nuk është mbushur me tregime për atentatet e shumta që ai ka bërë për t'u hakmarrë, as për gjobat marramendëse që u ka vënë tregtarëve në Shqipëri, por për lidhjet e tij me politikën në vendin tonë. Pasaportën false të një bariu kosovar dhe pistoletën që posedonte në momentin e kapjes, "i tmerrshmi i Samaticës" i ka justifikuar për të njëjtën arsye: "Di shumë dhe kërkojnë të më zhdukin. Mos më çoni në Shqipëri". Azil Politik Konfirmimi i palës italiane mbi kërkesën e Lulzim Cakës për azil politik ka bërë që shumica e opinionit, por edhe krerëve të policisë "që shumë gjëra nuk i dinë", të qeshin. Të tjerë janë ata që janë shqetësuar...Pavarësisht se Caka mban mbi kurriz të paktën 10 vrasje dhe hetohet për 13 të tjera në Shqipëri, "dikush" e ka këshilluar "të lozë" me rolin e tij dhe të njerëzve që e kanë rrethuar në ngjarjet e dhunshme në vitet 1997-1999 (por edhe më pas). Lulzim Caka vazhdon të qëndrojë në qelitë e policisë së qytetit të Foxhas, duke pritur një lirim të shpejtë. Qindra milionë lireta janë vënë në dispozicion të lirisë së superkillerit shqiptar. Një familje shqiptare shumë e fuqishme në tregti dhe "biznese të tjera" ka ofruar kaucionin dhe është duke përdorur të gjitha mënyrat për të hequr prangat e "mitit" më të madh të krimit shqiptar. Janë po ata që paguan dhe organizuan arratisjen e bujshme të 6 janarit 2001 nga burgu i Lushnjes. Ndërkohë "i tmerrshmi i Samaticës", pasi është konsultuar dhe rrëfyer gjatë te një nga avokatët më të mirë përtej detit, i ka habitur të gjithë me kërkesën spektakolare që i ka drejtuar Drejtësisë Italiane. Tridhjetegjashtëvjeçari që mundi të arratisej nga burgu "pa asnjë problem", që arriti brenda një viti të vrasë vrasësit e vëllait dhe nënës, duke lozur me policinë si "macja me miun", killeri më i kërkuar nga Interpoli në 78 shtete, u kap fare "rastësisht" në një fshat të vogël të një province italiane. Të gjithë e besuan, por ngjarjet po rrjedhin ndryshe. Caka, sipas burimeve të besueshme, është "vetëkapur" për të shpëtuar nga një ekzekutim i sigurt në Shqipëri (të gjitha palët e kanë kërkuar dhe shpallur këtë fakt). Deportimi Ndërkohë që nuk ka asnjë lajm të mirë për një mbërritje të shpejtë nga Spanja të superkillerit tjetër beratas, Kastriot Jaupi, për Lulzim Cakën pritet që mes një "marrëveshje" gjysmëligjore (deportimit) të Interpol-TIRANES dhe Interpol-ROMES, ai të "arrestohej" brenda këtyre ditëve në Rinas si një person "non grata" për italianët, por shumë i kërkuar për palën tonë. Nuk ka për të ndodhur kështu. Pala italiane nuk ka dërguar në Ministrinë e Rendit asnjë njoftim për "fatin" e mëtejshëm të Cakës, as për nisjen e procedurave të ekstradimit, të cilat zgjasin të paktën 3 muaj. Gjithçka që ndodhi brenda pak orëve mesditën e 25 dhjetorit të vitit të shkuar... identifikimi i bariut kosovar me emrin Bekim Arifi, insistimi për verifikimin e plagëve të Cakës në vetullën e djathtë dhe këmbën e majtë, moslejimi i procedurave të shpejta të gjykatës së Foxhas për lirimin e të arrestuarve, pas kaucionit në shuma të mëdha, është bërë pas një kombinacioni të Interpolit Shqiptar, INTERFORC-ës dhe policisë së Foxhas. Në mënyrë të kuptueshme, por edhe "të çuditshme" Caka është kërkuar nga pala jonë që të "trasportohet urgjentisht". Italianët vazhdojnë të tregohen indiferentë për ngutjen e homologëve shqiptarë për të pasur në dorë supervrasësin Caka, por edhe i kanë njoftuar ata (pa dhënë asnjë hollësi), se ai i ka kërkuar shtetit të tyre azil politik. Loja është e hapur. Lul Caka gjendet nga njëra anë i "blinduar" në Itali (akuzohet për armëbajtje pa leje) me një avokat të fortë, me miliona në dispozicion, por edhe me "misterin e tij politik ". Nga ana tjetër, policia dhe drejtësia jonë e kërkon thjesht si një supervrasës ordiner.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit për sot