Demi: Jam semafor jeshil për femrat

(26/11/2000) "Për femrat jam semafor jeshil dhe mund të them se ato e kanë shtegun e hapur, në kryqëzimin e rrugës, ku zemrën e kam ngritur si një kurth për dashuritë e ardhshme”. Kështu thotë Leonard Demi, ish-sekretar për Marrëdhëniet e Jashtëme në PD, i cili shton se “beqaria ka qenë pasojë e punëve të shumta dhe të vazhdueshme të jetës, ku ka mbetur shumë pak kohë për argëtime”. Duke treguar haptazi preferencat e tij për vajzat, Demi thotë se parapëlqen femrat brune, kryesisht të veshura me maksifunde dhe më pak ato me minifunde, apo me dekolte. “Megjithëse nuk di të kërcej, unë jam një gjimnast i ndërkryer dhe megjithëse jam një notar profesionist, mund të them se në detin e dashurive asnjëherë nuk jam zhytur thellësive” shton ai. Lakuriqi i natës “Në Ndroq kam kryer shkollën tetëvjeçare, pasi të dy prindërit i kisha arsimtarë dhe për arsye politike qenë transferuar në fshatrat e Tiranës”. Duke rrëfyer fëmijërinë e tij, Demi thotë se një herë dikush futi në klasë një lakuriq nate, të cilin e lëshoi në orën e biologjisë, pikërisht ndërsa mësuesja shpjegonte zogjtë shtegëtarë që largohen në dimër. “Mbaj mend që u bë problem i madh dhe nxënësi rrezikohej të përjashtohej nga shkolla, kështu që mu lut ta merrja unë përsipër gabimin, ngaqë isha me të gjitha notat dhjeta. Duke parë pozicionin e vështirë të shokut tim, unë pranova duke e argumentuar sjelljen e zogut, me faktin që nevojitej për të konkretizuar orën e mësimit me shpendët përkatëse. Për këta arsye që atë ditë, filloi mobilizimi i mësuesve për të ngritur një kabinet modest biologjie, ku të gjithë nxënësit sollën zogj të ndryshëm, nga mali”, kujton Demi. Lopata “Megjithëse gjimnazin “Ismail Qemali” e kam mbaruar me nota të shkëlqyera, për arsye politike nuk mu dha e drejta e studimit. Për këtë shkak, kam punuar në fermën “17 Nëntori”, për dy vjet pikërisht në zonën e Babrusë”. Duke folur për këtë periudhë, Demi tregon se punonte me bel dhe lopatë me orë të tëra për të realizuar normat që ishin tepër të larta. “Në fillim e kisha të vështirë dhe duart më gjakoseshin nga puna, por më pas u bëra një specialist i mirë duke marrë edhe fletë-lavdërimi, si edhe një karakteristikë për shkollën e lartë”. Por ai shton se edhe pas fermës, nuk i doli universiteti dhe kështu nisi punë në minierën e Mëzezit, ku nxirrej qymyr. “Punonim me tre turne dhe çdo natë niseshim me autobusin e minatorëve për të mbërritur në galeri. Njëherë, ndërsa hapnim frontin me dinamit, një shokut tonë i ra një gur në brinjë dhe për shumë ditë ndenji në spital. Ne punonim në avancimin e galerisë në sektorin e plasjeve dhe megjithë rrezikun që kishim mbi kokë për fat nuk kemi pësuar gjë”, shton ai. Vallëzimet “Pas mbarimit të shërbimit ushtarak fillova punë në ndërrmarjen e Mjeteve Mësimore, pranë sektorit të hartave me relief, ku botova një libër dhe përktheva një tjetër për fotografinë”. Duke folur për këtë periudhë, Demi tregon se ishte ndër specialistët më të mirë gjatë orarit të punës, por në mbrëmjet e vallëzimit ishte më i ndrojturi. “Nuk dija të kërceja dhe kur më ftonte në vallëzim ndonjë vajzë, i lëvizja këmbët njëlloj sikur isha duke luajtur futboll. Gjatë gjithë kohës së vallëzimit, i shkelja këpucët e vajzave me dhjetëra herë dhe e gjithë periudha e muzikës më kalonte duke kërkuar ndjesë për paditurinë time. Por në mbrëmjet e tilla të vallëzimit, më e shumta e kohës më kalonte duke lëvizur këmbët sipas ritmit të muzikës, i ulur në karriget e sallës” thotë ai. Akademia “Një miku im, që është sekretar i Përgjithshëm i Akademisë, më ka ndihmuar të futem në Akademinë e Shkencave dhe po ai më hapi rrugën për të vazhduar shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi”. Kështu rrëfen Demi, për punën në Akademi, ku në fillim ishte botues dhe më pas bashkëpunëtor shkencor. “Në vitin ’92 kreva studimet në Jerusalem dhe më pas fitova konkursin për në SHBA, ku mbarova për marrëdhëniet ndërkombëtare. Kësisoj, duke zotëruar edhe çelësat 4 gjuhëve të huaja, fillova të hap dyert e së ardhmes, me lehtësi, deri në botimin e librit të fundit, “Shqipëria dhe diplomacia amerikane”, rrëfen Demi. Dashuria Megjithë aktivitetet e pasura shkencore, artistike dhe politike, gjurmët e dashurive të Demit, nuk kuptohen lehtësisht ku nisin dhe ku vijojnë aktualisht. “Gjithmonë kam pasur shoqe të mira, të cilat kanë qenë të bukura, të meçura dhe të respektuara”, thotë ai pa shpjeguar qartazi se në ç’masë janë ndërthurur lidhjet e tij shpirtërore me to, ose të paktën lidhjet e rastësishme fizike të cilat thjeshtësisht quhen marrëdhënie seksuale. Pa treguar haptazi cilat janë shkaqet e beqarisë, Demi shton, se”megjithëqë jam një semafor jeshil për femrat, unë kurrë nuk kam dashur të përfitoj nga rasti për të shfrytëzuar pozitat e mia në adresë të marrëdhënieve me to”. Duke treguar një rast në provimet universitare, Demi thotë se pas bankës së tij, një vajzë, së cilës i kishte rënë në tezën e provimit, poezia e Pushkinit iu lut atij t’i tregonte ndonjë strofë. “Unë duke ndjerë keqardhje i thashë disa strofa nga Pushkini i madh dhe faktikisht vajza e kaloi klasën. Pasi dolëm nga provimi ajo më falenderoi dhe më tha se dëshironte të ma shpërblente, duke më dhënë çfarëdo që t’i kërkoja. “Falendero Pushkinin që ishte aq i lehtë për t’u mbajtur mend, ndërsa unë të ndihmova nga keqardhja dhe nuk i përkas njerëzve që krijojnë lidhje të rastësishme apo ndihmojnë njeri-tjetrin për shkaqe interesi”, u përgjigja unë, shpjegon Demi. Dhe pyetjes “nëse do të martoheni”, Demi i përgjigjet se “megjithëse është vonë, treni i parafundit nuk ka ikur akoma”. Detaje “Kam lindur në 8 gusht të vitit 1953, në Delvinë dhe jam dehur vetëm një herë në jetën time, në moshën 13-vjeçare por më vonë nuk kamë vënë alkool në gojë”. Duke folur për karakteristikat e tij të veçanta, Demi thotë se “nuk di asnjë lojë bixhozi dhe vetëm në SHBA kam harxhuar 10 dollarë për të blerë llotaritë e fatit, por në njerën prej tyre kam fituar 4 dollarë, pra gjithsej në “bixhoz” kam humbur vetëm 6 dollarë”. Demi shton se pëlqen notin dhe hedhjen nga trampolina, “por njëherë në Porto Romano, jam ndjerë në rrezik mbytjeje. Gjithashtu pëlqej alpinizmin dhe vazhdoj gjimnastikën në shtëpi, ndërkohë që fle i qetë deri në mëngjes”, përfundon ai.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Koreja e Veriut kryen një provë me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi