"Dua fotot me Çestarin"

TIRANE (5/20/2001) Prokuroria të më sjellë fotot e Lida Çestarit dhe kolumbianit Pako." Kjo është kërkesa e të akuzuarit kryesor të superdosjes "Kokaina", Sokol Koçiut, përcjellë dje nëpërmjet avokatit Arben Qeleshi. Dita e djeshme e planifikuar nga prokurorët e çështjes "Kokaina" për një seancë pyetjesh me të pandehurin Sokol Koçiu, çon në portën e burgut të Librazhdit vetëm avokatin e tij, Qeleshin. Prokurorët kanë "prishur" agjendën e tyre, pasi ende nuk janë bërë gati për realizimin e seancës së dytë të pyetjeve. "Ende nuk jemi gati për seancën e radhës." Kjo ka qenë përgjigjja që ka marrë pala e mbrojtjes nga specialistët që ndjekin hetimet për kartelin shqiptar të drogës. Në këtë seancë, përveç pyetjeve që do të bënin prokurorët, Koçiut do t'i paraqiteshin ca foto, të cilat ishin kërkuar prej tij që në seancën paraardhëse. Në portën "speciale" të Koçiut kanë trokitur vetëm avokati dhe bashkëshortja e tij. Ndërkohë që Koçiu është zhgënjyer nga mosparaqitja e palës së akuzës, ka kërkuar sërish nëpërmjet avokatit të tij, që akuza t'i sjellë fotot e italianes Lida Çestarit dhe kolumbianit Pako, me të cilët thuhet se ai është takuar. Ndërkohë, mbrojtja e Koçiut pohon se nuk disponon asnjë provë që flet kundër klientit të tyre, përveç dokumentit të hyrjes së skafit të Hadërgjonajt në portin e Durrësit. "Disa herë i kemi kërkuar palës së akuzës që të na njohë me provat që flasin në disfavor të klientit tonë, por deri tani nuk na është dhënë përgjigje pozitive. Është e domosdoshme që ne të njihemi dhe me pretendimet e italianes Çestari, dhe ta pyesnim atë me anë të një letër-porosie për versionet që ngre", pohon avokati Qeleshi. Që nga fillimi i hetimeve, Sokol Koçiu, i cili akuzohet për drejtimin e kartelit shqiptar të drogës, është marrë vetëm dy herë në pyetje nga akuza, një herë në polici dhe një herë në burg.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie