Gjykata e Lartë transferon Nehat Kullën në Tiranë

TIRANE(17/6/2000) Nehat Kulla do të gjykohet në Tiranë. Gjykata e Lartë ka vendosur që gjyki mi ndaj "gjeneralit" të mos vazhdojë në qytetin e Elbasanit, por të vijë në kryeqytet, gjë e cila ka sjellë mjaft reagime në Ministrinë e Rendit. Këta të fundit nuk janë dakord që ky vendim i gjykatës më të lartë shqiptare të zbatohet ose më saktë nuk kanë qenë shumë dakord me të. Kolegji i kësaj gjykate ka marrë në shqyrtim dy ditë më parë kërkesën e bërë nga ana e mbrojtjes për transferimin e Kullës në Tiranë, ku ka marrë parasysh edhe pretendimet e Prokurorisë për të mos e pranuar një gjë të tillë. Gjykata e ka gjetur të bazuar në ligj kërkesën e Kullës për të pasur të drejtën të gjykohet në Tiranë, edhe pse është arrestuar në Elbasan. Pasi ka marrë të gjitha pretendimet e palëve, ka vendosur që njeriu i fortë i Tiranës të lërë qelitë e policisë së Elbasanit dhe të transferohet në burgun e Tiranës, ndërkohë që gjykimi do të fillojë në Gjykatën e Faktit në kryeqytet. Këtë kërkesë Kulla e ka bërë edhe në gjykatën e Elbasanit, por kjo e fundit e ka rrëzuar një gjë të tillë, duke e quajtur si të pajustifikuar. Pretendimi i akuzës është për faktin se bëhet fjalë për një vepër që është kapur në flagrancë në këtë qytet dhe nuk ka pse të gjykohet në Tiranë. Sipas tyre, ai është arrestuar nën akuzën e armëmbajtjes pa leje nga ana e bluvë të Elbasanit dhe nuk hyn fare Tirana këtu. Në vendimin e saj, kjo gjykatë ka pasur parasysh edhe faktin se edhe persona të tjerë që kanë kryer vepra penale në rrethe të tjera janë transferuar në Tiranë për gjykim. Këtu mund të përmendet rasti i Zanit apo Gaxhait dhe shumë banda të tjera. Kulla tashmë do të përballet me akuzën për krijim të bandave të armatosura dhe armëmbajtje pa leje jo më në qytetin ku është arrestuar, por në qytetin e tij. "Gjenerali" siç thirret ndryshe Kulla, e ka kërkuar me shumë ngulm një transferim të tillë, duke bërë edhe rekursin në Gjykatën e Lartë pas rrëzimit në shkallë të parë dhe apel. Ndërkohë vendimi i dhënë nga kjo gjykatë ka sjellë reagime te njerëzit e Ministrisë Rendit. Sipas burimeve nga kjo Ministri, një vendim i tillë nuk është pritur mirë, pasi sjellja e tij mund të krijojë më shumë probleme për policinë. Por, tashmë që ka fituar një nga kërkesat e tij, Kulla duhet të mendojë të gjejë një avokat tjetër. Gruaja që e ka mbrojtur deri tani Mimoza Arbëri prej një jave është emëruar në KQZ dhe nuk mund të jetë në krah të tij në seancat që do të zhvillohen në Gjykatën e Faktit në Tiranë. Kulla tashmë do të caktojë një njeri tjetër për t'i bërë mbrojtjen, pasi Arbëri nuk mund t'ja ofrojë një gjë të tillë, pasi ka marrë votat e KLD-së për të qenë në Komisionin e Zgjedhjeve. Gjithsesi Kulla do të jetë më së fundi në Tiranë dhe do të lërë qelitë e Elbasanit.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur