Itali, FBI zbulon rrjetin vlonjat të drogës

(20/3/2002)ROME Një operacion shumë i rëndësishëm". Kështu është cilësuar nga drejtësia italiane aksioni i mbiquajtur "Florida". Për të zbuluar rrjetin e drogës, i drejtuar e i organizuar nga disa të rinj, të gjithë vlonjatë, kanë bashkëpunuar jo vetëm forca të ndryshme policore italiane, por edhe FBI-ja, DEA dhe policia shqiptare. Një rrjet i gjerë droge, e cila kalonte kufijtë e shumë shteteve, është arritur të copëtohet. Agjentë amerikanë e italianë, të infiltruar mes trafikantëve, kanë sjellë arrestimin e 6 shqiptarëve, të gjithë nga Vlora e Fieri. Në krye të grupit, sipas agjensisë ANSA, qëndronte Gramoz Murataj, i cili mori kryesimin e trafikut, pas arrestimit të vëllait të tij, Besnik Murataj. Në fakt Gramozi, 33 vjeç, nga Vlora, është një nga personat e paktë që nuk ka arritur ende të bjerë nën pranga. Të tjerët janë arrestuar në Vlorë, Fier apo qytete të ndryshme të Italisë. Fillimisht dosja është hapur pas një hetimi mbi një grup shqiptarësh, pjesa dërrmuese vlonjatë, e të tjerët nga Fieri, të cilët merreshin me trafikun e lëndëve nartotike. "Gjatë përgjimit të një telefonate u zbulua që shqiptarët ishin në kontakt me një italo-amerian, rezident në Nju-Jork, i cili interesohej për një pako me heroinë", ka shpjeguar dje në një konferencë për shtyp gjyqtari italian i ngarkuar me çështjen Giusepse Capoccia. Bëhet fjalë për Frank Morelon, si cili - pasi u takua në Itali me kreun e bandës së shqiptarëve, Besnik Murataj, për të tërhequr 1 kilogram heroinë - u arrestua nga policia shqiptare. Morelos iu vunë prangat në Vlorë. Ai, pasi qëndroi në Shqipëri vetëm 24 orë, të nesërmen tentoi të nisej, por u kap në port, pasi në valixhe, në xhepin e një palë pantallonash, iu gjet droga. Në këtë pikë hynë në lojë edhe agjentët italianë dhe amerikanë, të cilët u infiltruan në organizatë dhe hynë në kontakt me vëllain e Besnik Muratajt. Pas kësaj, nisën tratativa të gjata, të cilat konkluduan me dorëzimin në Firence të 1 kilogrami heroinë. Po atë ditë u arrestuan dhe 9 persona, pjesa më e madhe shqiptarë. Ndërsa 7 persona të tjerë, rezidentë në Shqipëri, në Poloni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, janë ende të kërkuar në rang ndërkombëtar. Falë këtij operacioni, është zbuluar prezenca e 5 qendrave të tjera trafikantësh droge në Venecia, Bolonja, Parma, Imperia e Kastelfranko. Shqiptarët e arrestuar ose të shpallur në kërkim janë të gjithë të moshave 20-30 vjeç. Trafikantët vlonjatë, përveç amerikanëve, duket se kanë preferuar vetëm fierakët, për t'i përfshirë në këtë trafik. Në fakt 4 prej personave të arrestuar janë nga Fieri. Qëllimi fillestar i agjentëve të infiltruar ishte të arrinin një marrëveshje për të dorëzuar 40 kilogramë heroinë, në këmbim të 800 mijë dollarëve. Gjithka ishte gati. Agjentët pothuajse i kishin përfunduar tratativat, por kanë qenë atentatet e 11 Shtatorit në Amerikë, të cilat kanë penguar dorëzimin për shkak të intensifikimit të kontrolleve nëpër pikat kufitare të shteteve të ndryshme. Shefi i FBI-së në Itali, Joe Genovese, dhe shefi i DEA-s (Departamenti Investigativ Antimafia) janë shprehur të kënaqur në fund të këtij superaksioni. "Ka qenë një operacion i organizuar mirë dhe që ka sjellë rezultate shumë të mira, falë një bashkëpunimi të plotë", janë shprehur ata. PERSONAT E ARRESTUAR 1. Besnik Murataj, 26 vjeç, nga Vlora 2. Maltin Kaçi, 30 vjeç, nga Fieri 3. Altin Maci, 30 vjeç, nga Fieri 4. Fadil Papa, 26 vjeç, nga Fieri 5. Ervin Qezi, 24 vjeç, nga Fieri 6. Edison Seferaj, 31 vjeç, nga Vlora PERSONAT NE KERKIM 1. Gramoz Murataj, 33 vjeç, nga Vlora 2. Orges Seferaj, 22 vjeç, nga Vlora 3. Agron Xhafaj, 27 vjeç, nga Vlora

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie