"Ja pse u pushkatuan 104 të burgosurit e Prishtinës"

(17/1/2002)Dëshmia e 81 vjeçarit Kristo Budo: "Ato ditë para se të pushkatoheshin 104 shokët tanë, aty në kamp diskutohej se ishte bërë një marrëveshje në mes gjermanëve dhe Shtabit partizan të Enver Hoxhës për shkëmbimin e dhjetë të burgosurve të atij kampi me tri vajza gjermane që mbaheshin peng në Tiranë. Nuk e di sa e vërtetë ishte kjo gjë që u tha atëherë, por gjermanët ato ditë i pushkatuan shokët tanë" -------------------------------------------------------------------------------- Dashnor Kaloçi Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm u njohëm me një biografi të shkurtër të 81 vjeçarit Kristo Budo i cili pasi shpëtoi i gjallë nga Kampi nazist i Prishtinës në nëntorin e vitit 1944, u bashkua me partizanët kosovarë dhe më pas u kthye në Shqipëri ku u ngarkua me disa detyra si Komisar i rrethit të Matit, Sekretar Politik i Qarkorit të Peshkopisë dhe Nëndrejtor i Punëve të Brendëshme të po atij Qarku, instruktor për edukimin në Ministrinë e Brendëshme, inspektor i Pushtetit Lokal në Kryeminstri, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Fierit ku dhe u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe pasi dy vjet e gjysëm hetuesi u internua 8 vjet në Zvërnec të Vlorës. Kristo Budo u arrestua përsëri në 1980 dhe u dënua me 10 vjet burg politik, pasi më parë komunistët i kishin pushkatuar dhe babanë të akuzuar si agjent të grekëve. Gjithashtu në pjesën e parë të intervistës z. Budo rrëfeu historinë se si përfundoi në Kampin e Prishtinës në gushtin e 1944, rrëfim i cili vazhdon në shkrimin e sotëm. Si u sistemuan në atë kamp? "Që kur mbërritëm në Kampin e Prishtinës, ushtarët gjermanë na zbritën nga makinat duke na bërtitur e na qëlluar me kamzhik. Nga goditjet e tyre disa pleq të vjetër u rrëzuan përtokë. Aty na vendosën në dy kapanone, ku në njerin prej tyre u vendosëm ne të burgosurit e Tiranës dhe në tjetrin ata të Shkodrës. Kurse gratë i vendosën në dy dhoma ngjitur me kampin tonë, por të ndarë nga një gardh me tela me gjemba. Kapanonet kishin nga dy rreshta me krevate dërrasash dopio (lart e poshtë) dhe me nga një dyshek me kashtë e dy batanije të vjetra. Në ato dy kapanone ishim gjithsej afro 200 veta dhe flinim ngjitur me njeri-tjetrin sa mezi lëviznim. Aty gjetëm dhe të internuar të tjerë kosovarë, serbë, malazezë, italianë, e ndonjë çifut e nga kontaktet me ta mësuam për trajtimin çnjerzor që u bëhej të burgosurve aty dhe veçanërisht për pushkatimet që ishin bërë deri në atë kohë sidomos të burgosurve kosovarë ku kishte qenë dhe një grua". Po në kohën që shkuat ju në atë kamp, a pati pushkatime të tjera? "Po, kur nuk kishte kaluar shumë kohë nga dita që shkuam ne aty, gjermanët morën 26 të burgosur që ishin të gjithë nga rrethi i Shkodrës dhe i pushkatuan në rrethinat e qytetit të Kukësit. Pushkatimin e tyre gjermanët e bënë në shenjë hakmarrje, sepse ato ditë partizanët kishin sulmuar një autokollonë naziste që ishte duke u tërhequr në rrugën Kukës-Prizëren ku kishin vraë disa ushtarë dhe kishin kapur edhe tre femra gjermane që kishin punuar në Shqipëri, ku thuhej se njera prej tyre ishte sekretarja e Gjeneralit nazist Fizstumm. Pas pushkatimit të 26 të burgosurve shkodranë, gjermanët vazhduan përsëri avazin e tyre dhe natën e 23 tetorit 1944 ata pushkatuan 104 të burgosur shqiptarë nga ai kamp". Si qëndron e vërteta e pushkatimit të 104 të burgosurve, sepse është thënë se gjermanët i ekzekutuan ata, pasi Enver Hoxha prishi marveshjen që kishte bërë me ta për lirimin e atyre tre vajzave gjermane që i mbante peng në Tiranë? "Po, e vërteta është se për këtë marveshje që pyesni ju, u përfol asokohe në Kampin e Prishtinës dhe për këtë ishin në dijeni pothuaj të gjithë të burgosurit. Ato ditë para se të pushkatoheshin 104 shokët në kamp u hap fjala se ishte bërë një marveshje në mes gjermanëve dhe Shtabit të Përgjithshëm që e komandonte Enver Hoxha, për shkëmbimin e tre vajzave gjermane që mbaheshin peng në Tiranë, me dhjetë të burgosur të Kampit të Prishtinës. Kjo marveshje, gjithnjë sipas fjalëve që qarkullonin nga të burgosurit, nuk u arrit të realizohej sepse Shtabi i Përgjithshëm nuk i liroi tre vajzat dhe gjermanët në shenjë hakmarrje, jo vetëm që nuk i liruan dhjetë të burgosurit, por pushkatuan 104. Po kështu asokohe thuhej se pushkatimi i tyre u bë si shenjë hakmarrje ndaj 16 gjermanëve të plagosur që u sulmuan e u vranë nga guerilet e Tiranës në Rrugën e Dibrës. Nuk e di sa të vërteta janë këto dy versione që diskutoheshin atëhere nga ne të burgosurit e Prishtinës lidhur me ekzekutimin e 104 shokëve tanë, sepse atë gjë e dinin vetëm gjermanët". Është thënë se për ndërmjetsimin e marveshjes për shkëmbimin e tre vajzave gjermane me dhjetë komunistët e burgosur, asokohe në Kampin e Prishtinës ka ardhur Kapiteni Petraq Pekmezi që shërbente si përkthyes në Gestapo? " Po është e vërtetë se Kapiteni Petraq Pekmezi ka ardhur disa herë në Kampin e Prishtinës ku edhe ka liruar disa nga të burgosurit që ishin në atë kamp. Por nuk mund të them me saktësi nëse ai ka ardhur atëhere për atë marveshje që thuhet për lirimin e tre vajzave gjermane me dhjetë komunistët e burgosur. Petraqi që është vëllai i dëshmorit Trajan Pekmezi, ka ditur shumë gjëra, sepse ai ka ndërmjetësuar në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës gjermane ku thuhej se në atë kohë është bërë një marveshje në mes tyre, ku partizanët nuk do t'i godisnin forcat gjermane gjatë tërheqjes së tyre nga Tirana. Sidoqoftë këto janë me të dëgjuara sepse të vërtetën e tyre e ka ditur vetëm Petraq Pekmezi të cilën partizanët e pushkatuan në oborrin e shtëpisë dy tre ditë para çlirimit të Tiranës. Petraqi u kishte bërë shumë punë komunistëve dhe duke e ndjerë veten të pastër, nuk pranoi të largohej nga Tirana me gjermanët. Por fatkeqësisht atë e vranë". Si e kujtoni pushkatimin e 104 të burgosurve të atij kampi nga gjermanët? "Si çdo ditë dhe ditën e 23 tetorit na nxorrën në punë që në orët e para të mëgjezit dhe na çuan për të hapur transhe përreth Prishtinës. Mirpo atë ditë si asnjëherë tjetër afër drekës papritur na urdhëruan ta ndërprisnim punën dhe u kthyem në kamp. Mbas dite na rradhitën të gjithëve jashtë kapanonit dhe një oficer gjerman me një listë në dorë filloi të lexojë emra nga ne të burgosurit e Tiranës. Ata që dëgjonin emrat, dilnin nga rreshti dhe qëndronin të veçuar. Mbasi thërritën 104 vetë, i mbyllën të gjithë në një nga dhomat ku banonin gratë. Kur i futën aty ne filluam të diskutonim me njeri-tjetrin dhe disa thonin se do t'i transferonin në një kamp tjetër, por mbajtja e tyre deri në mbrëmje na vuri në pikpyetje se do të pushkatoheshin dhe kjo gjë u vërtetua sapo u ngrys. Në atë kohë ne na mbyllën shpejt dyert e kapanonit dhe pas pak filluan të dëgjohen të shtëna armësh me ndërprerje, fare pranë kampit. Gjermanët kishin filluar t'i merrnin dy e nga dy ata 104 që i kishin mbyllur tek kapanoni i grave dhe pasi i çonin afër një grope që ne e kishim hapur vetë një ditë përpara pa e ditur psenë. Aty pasi i xhvishin, i qëllonin me armë dhe i hidhnin në gropë" A mbani mënd ndonjë nga ata që u pushkatuan? "Po më kujtohen shumë prej tyre që i njihja nga afër. I pari që u muar nga dhoma për t'u pushkatuar ishte Sadik Petrela i cili kur po dilte tha: "Çuna, unë po shkoj se jam plak". Në atë kohë shokët e kuptuan se po e çonin në pushkatim dhe menjëherë hoqën një dërrasë nga tavani dhe disa prej tyre si Spiro Velko, Musa Agolli, Servet Tepelena etj u ngjitën dhe filluan të kalojnë nga një kapanon në tjetrin deri sa zbritën në kapanonin tonë. Gjermanët e kuptuan se të burgosurit po iknin nga vrima e tavanit dhe u futën brenda në kapanon duke qëlluar me automtatik. Aty teksa kishte ngjitur trupin në vrimën e tavanit, mbeti i vrarë Hektor Shyti nga Vlora, ndërsa të tjerët i gjetën në kapanonin tonë. Nga ata mundën të shpëtojnë katë-pesë vetë si Servet Tepelena, që gjermanët nuk i diktuan dot dhe ata i plotësan me ata të infermerisë. Më kujtohet Musa Agolli, kur e morën tha: "Vdekje fashizmit, lamtumirë shokë". Atë e pushkatuan që aty. Me Xhavit Jukniun ndodhi ndryshe, ai nuk figuronte në listën për pushkatim, por kur oficeri gjerman ia pa kokën të lidhur me fasho, vendosi ta marrë për pushkatim duke kujtuar se ai e kishte vrarë gjatë kalimit në tavan. Xhaviti i shkretë i tha oficerit se nuk ishte në listë, por ai e mori dhe e pushkatoi". A mundi të shpëtonte njeri nga ata 104 që u doli emri për pushkatim? Gjatë kohës që gjermanët i merrnin shokët tanë për t'i pushkatuar, Grigor Gjikës (ish-gjykatës) i takoi të ishte bashkë me Greblleshin (emri s'më kujtohet). Kur po i xhvishnin ata nxituan për t'u larguar duke ikur me vrap. Grigori mundi që ta kalonte gardhin dhe u arratis, ndërsa Greblleshin e qëlluan me automatik dhe e vranë. Grigori ashtu i xhveshur siç ishte mundi që të arrinte në Prizëren dhe u strehua tek një miku i tij gjykatës". Si ju trajtonin gjermanët në atë kamp dhe çfarë punësh bënit aty? "Trajtimi ishte çnjerëzor njëlloj si në të gjitha kampet naziste. Ushqimi ynë i përditshëm ishte një lugë supë ose çaj dhe disa gram bukë e zezë. Nuk lejohej të blinim asgjë, as cigare, as ndonjë pako me ushqime nga familjet apo Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, siç veprohej në kampet e tjerë. Nga uria ne shkonim në stallat e kafshëve dhe mblidhnim copa buke të mbetura aty. Kur dilnim në punë, banorët e Prishtinës na jepnin ndonjë ushqim, sidomos bukë, por kjo gjë ishte me rrezik sepse kontrolloheshim kur ktheheshim në kamp dhe për çdo send të gjetur, dënoheshe me rrahje me kamzhik. Kështu e pësuan shumë nga ne. Më kujtohet motra e Vasil Shantos, Bojka që i gjetën bukë të fshehur dhe e lanë në këmbë për orë të tëra në të ftohtë jashtë kapanonit. Përsa i përket mjekimit, asnjëherë nuk na vizitoi ndonjë mjek, megjithse shumica prej nesh ishin të prekur nga dizanteria e sëmundje të tjera. Për të punuar ne merreshim me punët e kampit dhe një pjesë e burrave punonin në hapjen e transheve apo në ngarkim-shkarkimin e trenave me ushqime, materiale ndërtimi si hekur e çimento që përdorej për ndërtimin e objekteve ushtarake. Puna ishte e rëndë dhe raskapitëse e megjithatë nën hundën e gjermanëve ne krijuam Batalionin me të gjitha strukturat përkatëse ku Komandant u caktua Luigj Filipi, i cili kishte dhënë një kontribut të madh në krijimin e çetave partizane "Dajti" dhe "Erzeni" e kishte punuar në shtypin e partisë". Si shpëtuat ju dhe të burgosurit e tjerë pa u pushkatuar nga gjermanët? "Nga fundi i tetorit 1944 duke përfituar nga rasti që mu dha, unë u arratisa nga kampi së bashku me Filip Muçin e disa shokë të tjerë. Kur ika që andej shkova në Drenicë ku ishte Batalioni partizan i Kosmetit, kurse shokët e tjerë që u arratisën me mua u inkuadruan në Brigadën e 18. Përpara se të arratisesha unë, aty nga fillimi i tetorit të gjithë ne të burgosurit politik të atij kampi ishim në një dilemë të madhe: Do të na merrnin gjermanët me vete që po tërhiqeshin drejt Berlinit, apo do të na ekzekutonin aty ashtu siç po vepronin edhe në kampe të tjera? Por fatmirësisht nuk ndodhi asnjera dhe as tjetra sepse Komanda e Kampit u largua së bashku me trupat gjermane dhe ne na lanë të lirë duke mos na ekzekutuar e mbuluar në gropat që ne i kishim hapur vetë. Kjo mrekulli ndodhi pasi në momentet e fundit kur gjermanët donin të zbatonin planin për ekzekutimin tonë, kosovari Xhelal Mitrovica, një nga Ministrat e Qeverisë shqiptare të Regjencës Kuislinge, mori kontakt me Komandën e Kampit dhe iu tha atyre: "Jeni të rrethuar nga forcat kosovare dhe në rast se nuk do t'i lironi të gjithë të burgosurit, asnjë prej jush nuk do të lejohet të dalë nga ky kamp. Ju jeni në tranzit dhe nuk keni pse t'i pushkatoni të burgosurit e kampit. Na i dorzoni ata sipas listave që keni, pastaj do t'u lejojmë të largoheni". Të ndodhur në këto kondita, Komanda gjermane u detyrua të pranojë kushtet e vëna dhe u lejua të largohej. Përpara kësaj, Xhelal Mitrovica kishte liruar nga ai kamp edhe Gaqo Floqin që e kishte pasur shok gjatë studimeve në Perëndim si dhe disa familje e gra të tjera që i nisi me këmbë për në Shqipëri. Dihet që Xhelal Mitrovica ishte njeriu që gjatë luftës në Tiranë kishte shkruar artikullin "Gjaku kërkon gjak" i cili nxiti vrasjet e 4 Shkurtit në rrugët e Tiranës, por e vërteta duhet thënë hapur se ne të gjithë të burgosurit e Kampit të Prishtinës që dolëm të gjallë që andej, ai na shpëtoi pa u pushkatuar".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie