Kapet me 50 kile heroinë durrsaku me "strehim politik"

ITALI (8/12/2001) Zbulohet një tjetër rrjet droge në Itali. Mes protagonistëve, përsëri një shqiptar. Bëhet fjalë për Anton Berrin, 29 vjeç, nga Durrësi. Durrsaku jetonte në Milano që nga viti 1994, kur kishte marrë dokumentet si emigrant politik. Të mërkurën pasdite ai është kapur me 50 kilogramë heroinë. Policia Italiane ka arrestuar fillimisht italianin 53-vjeçar, Bruno Pavese, ish-roje. Ai është dhe pronari i një banese, të cilën e jepte me qira, ku, sipas kreut të grupit të policëve, Gianfranco Vaccaneo, "edhe nga muret derdhej drogë". Shqiptari, sipas Policisë Italiane, është i gjatë një metër e 90, një djalosh simpatik dhe tip i qetë, megjithatë mënyra se si ka reaguar në momentin kur e kanë arrestuar, të bën të mendosh që, pavarësisht nga pamja e qetë dhe e rregullt, në fakt ai është krejt ndryshe. Durrsaku, sapo ka vënë re që ishte zbuluar nga karabinierët italianë, ka shtyrë, duke i rrëzuar në tokë, dy gra që i kishin zënë rrugën në trotuar. Më pas ka nisur të vrapojë, i ndjekur nga agjentët, në një gjendje që tregonte pothuajse dëshpërim, deri sa është ndaluar nga policia. Sipas akuzës së ngritur tashmë nga organet e Drejtësisë Italiane, ai është dhe pronari i sasisë të konsiderueshme të drogës dhe i 536 milionë liretave, të gjitha të sekuestruara. Paratë ishin ndarë në prerje 10, 50 dhe 100 mijë liretëshe, të gjitha të lidhura me kujdes në pako të vogla. Edhe këto parà janë gjetur në ndërtesën ku ishte fshehur droga, ndërtesë kjo që, me sa duket, shërbente si bazë për të gjitha rastet e trafikut. Djaloshi ishte dhe qiraxhiu i kësaj banese. Përpara shtëpisë së tij, si tregojnë fqinjët, gjithnjë ndalonte një makinë e tonazhit të rëndë. Makina nuk vinte çdo natë, por kishte njëfarë grafiku, duke respektuar ditë të caktuara, dhe gjithnjë mbërrinte në orët e vona të natës. Gjithashtu në këtë shtëpi bëheshin vizita misterioze, pothuajse të fshehta. Apartamenti ishte në katin e parë të një pallati dhe i mobiluar mirë. "Dukej që apartamenti ishte zgjedhur me kujdes, pasi ndodhej në një zonë të populluar, por pa asnjë pallat përballë, në mënyrë që të evitohej ndonjë vështrim kurioz", ka sqaruar kuestori Perocle Bergamo. Gjithçka ishte planifikuar. Ndërsa italiani Pavese është justifikuar te prokurori i çështjes, Sebastiano Sorbello: "Nuk jetoja atje prej 6 muajsh. Edhe çelësat i kisha unë. Shtëpinë nuk ia kam dhënë askujt me qira." "Po si ka mundësi që Berri ka ndërtuar një rafineri droge në shtëpinë tuaj e ndërkohë ju nuk keni vënë re asgjë?" Kjo është pyetja që i ka bërë policia Paveses. Dhe përgjigjja ka qenë gjithnjë e njëjta: "Nuk dija asgjë, nuk kam parë asgjë. Atje nuk shkoja kurrë, pasi jetoj me gruan dhe me 3 fëmijët e mi në një apartament në rrugën 'Galleria Argenta'". Megjithatë ai do të merret përsëri në pyetje nga policia, kësaj radhe në prezencë të avokatit. Akuza për dy të arrestuarit është e rëndë, pasi edhe sasia e drogës së kapur është e madhe. Mendohet që në këtë apartament janë trafikuar tonelata të tëra me heroinë e hashash. Destinacioni i drogës ishte Shqipëria, më pas vendet e ish-Jugosllavisë, për të përfunduar në fund në shtetet e tjera.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie