Kompozitori Jakova shpallet "Nderi i Kombit"

SHKODER(28/6/2000) Prengë Jakova shpallet "Nderi i Kombit". Pas dhënies së titullit Artisti i Popullit, shteti shqiptar ka vlerësuar kolosin shkodran të muzikës shqiptare, duke e ngritur në piedestal figurën e tij. Një spektakël i madh është zhvilluar mbrëmë në Teatrin "Migjeni" i organizuar nga institucionet e pushtetit lokal, shoqata artistike "Prengë Jakova". Kanë ardhur emrat më të njohur të muzikës shqiptare në 83-vjetorin e lindjes së muzikantit të madh. Edit Mihali, Ibrahim Madhi, Florinda Gjergji, Marjana Leka, Sokolin Asllani, Sabahet Vishnja, kori polifonik "Prengë Jakova" janë prezantuar mbrëmë nga Roza Anagnosit dhe Rikard Ljarja, në programin e ideuar nga Tonin Zadeja dhe Ritvan Karakaçi. I lindur në një familje që i nuk i ndahej për asnjë çast këngës qytetare shkodrane, Prenga do të ushqehej me jaret shkodrane që në fëmini. Madje dhe emri Prengë i ishte vënë nga e ëma, me dëshirën që ai t'i ngjante Prengë Pashës të Mirditës, të cilit i shkonte te shtëpia orkestra për ta nderuar. Ishte fillimi i korrikut 1917 dhe Prenga i vogël sapo kishte mbushur javën. Fran Ndoja, që kishte krijuar sërishmi bandën muzikore të Bashkisë dha koncertin e parë në lulishten popullore. Të gjitha lulet që iu drejtuan bandës ia dhanë Kolës, të atit të Prenkës. - Çoji në shtëpi e veni në një vazo, që Prenga i vogël të kënaqet me aromën e tyre - i thanë Kolës. Fran Ndoja e dinte pse ia kishin vënë emrin Prengë. Mbas koncertit, ndryshe nga herët e tjera dirigjenti nuk i shpërndau muzikantët, por i nisi drejt Serreqit, ku dhe ishte shtëpia e Kolë Jakovës, argjendarit të njohur. E ndërsa i ati po i vinte lulet në gjoksin e njomë të Prengës së vogël, dëgjohen tingujt e një melodie të bukur, që vinte gjithnjë e më pranë. Kola e kupton se ç'kishte bërë miku i tij Frano Ndoja. - Eja, grua, merre Prengën megjithë lule e të dalim në obor - i thotë Rozës. Banda muzikore kalon prakun e derës së oborrit, ndërsa e ëma, me vogëlushin Prenkë në duar, kënaqet për këtë të papritur. Ky do të ishte pagëzimi i parë i Prengë Jakovës mes luleve e muzikës. Gjatë 25 vjetëve të karrierës së tij, ai ka krijuar nga shembujt më të mirë në gjinitë më të ndryshme që nga kënga e vogël lirike, romanca, kënga fëminore, këngë korale masive, kantata, përpunime i këngës popullore dhe muzika skenike, derisa vdiq në moshën 52- vjeçare më 16 shtator të '69-ës.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

BBC: Si u kthye Donald Trump nga humnera politike?