Lul Caka ekzekuton dy të rinj

FIER (6/19/2001) Vriten dy të rinj, në gjendje të rëndë një i tretë. Sipas policisë, vrasësi është Lul Caka ose bashkëpunëtorët e tij. Të dielën, rreth orës 18.00, në segmentin rrugor Fier-Seman, në vendin e quajtur Ura e Hoxhadës, u vranë në pritë dy të rinj të cilët ktheheshin nga plazhi. Viktimat Ata janë Alket Hamiti, 26 vjeç, lindur e banues në fshatin Fermë-Çlirim, 8 kilometra larg qytetit, si dhe Dashamir Jaha, 28 vjeç, lindur në Savër të Lushnjes dhe banues në Tiranë. Viktimat kanë qenë duke u kthyer nga plazhi me një automjet tip "Rang Rover", me targë FR 96 98 A, në bordin e të cilit kanë qenë edhe dy persona të tjerë, njëra femër, e cila ka shpëtuar vetëm për fat. I plagosur rëndë ka mbetur Dritan Çakalli, 24 vjeç, nga Ferma e Çlirimit, djalë teze me Alket Hamitin. Sipas drejtorit të policisë, "brenda në makinë ka qenë edhe një vajzë vlonjate, prostitutë në pronësi të Alket Hamitit, i cili e shfrytëzonte në Itali". Vajza është dërguar në shtëpinë e saj, pasi i ati ka ardhur dhe e ka marrë në polici. Për shkak të hetimeve, policia nuk e bën të ditur emrin e vajzës që ka shpëtuar nga plumbat. Hetimet Në vendngjarje shkuan menjëherë agjentët e policisë dhe agjentët antikrim. Ata kanë punuar gjatë gjithë natës dhe kanë mundur jo vetëm të rindërtojnë ngjarjen, por edhe të identifikojnë autorët. Sipas informacionit zyrtar, kanë qenë tre persona, të armatosur me kallashnikov dhe pistoleta, të cilët kanë kryer vrasjen. Megjithëse policia nuk i bën të ditur emrat, dyshohet se mes autorëve ka qenë edhe i superkërkuari Lulzim Caka. Policia fierake, duke studiuar biografinë e viktimave, ka arritur ta klasifikojë vrasjen si hakmarrje. Motivet Dy personat që kanë humbur jetën, janë të afërm të F.Emirit, i cili njihet si vrasësi i nënës së Lul Cakës, 3 vjet më parë, akuzë për të cilën asnjëherë nuk është gjykuar. Kjo vrasje është e lidhur me arrestimin e Lul Cakës, më 18 mars 1998. Disa muaj më pas ai u transferua në birucat e Fierit për t'u gjykuar atje, sipas kërkesës së tij. Por kjo i ka kushtuar rëndë. Atje i vranë të ëmën, 54 vjeçe, e cila kishte shkuar në takimin e radhës. Nëna e të tmerrshmit Caka u gjet e masakruar dhe e hedhur në një kanal në Seman të Fierit. Sipas akuzave të ngritura në atë kohë nga grupi i Cakës, vrasjen e ka kryer pikërisht Fatmir Emiri, i mbiquajtur "Milja i tmerrshëm" në Fier, në bashkëpunim me djalin e motrës, që është një nga viktimat e së dielës në plazh. Milja, 45-vjeçar, banues në lagjen "1 Maji", para 6 muajve është arrestuar, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e një të riu 25 vjeç, në stacionin e autobusit të Fierit, që shkon për në Patos. Bëhej fjalë për një nga djemtë e fisit Çala. Aktualisht ai është në gjendje të lirë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?



×

Lajmi i fundit

Derbi Tirana - Partizani, mësoni formacionet zyrtare