Lul Caka maskohej si bari kosovar

(30/12/2001) TIRANE I akuzuar dhe dyshuar për 23 vrasje. Gjobvënës me nam. I kërkuar në të gjithë globin si një nga kriminelët më të rrezikshëm në botë. Lulzim Caka, superkilleri që u arratis nga burgu për të vazhduar hakmarrjen e tij dhe sfiduar hapur shtetin shqiptar, në Itali ishte thjesht një bari kosovar me emrin Bekim. Ka mundur të penetrojë dhe të lëvizë aty, duke përdorur një pasaportë kosovare ku fotografia e tij ishte montuar në mënyrën më profesionale. Ndërkohë është zbuluar edhe indentiteti i vërtet i personit tjetër që u arrestua bashkë me të. Ai është i vëllai i vrasësit të famshëm, Nëntor Caka, i cili lëvizte me pasaportën e Artan Rezit. Në momentin e kapjes së 2 vëllezërve (që për 1 vit rresht i bënë "zbor" policisë shqiptare), në fshatin Borgo Cervaros të Foggia-s, karabinierët italianë prangosën edhe 20-vjeçaren Klodiana Selfa, e cila njihet si prostituta që ka furnizuar me shuma të mëdha liretash Cakën për vite me radhë. Specialistë të Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe të INTERPOL-Tirana, janë duke hetuar me intesitet të gjitha lidhjet e "të tmerrshmit të Samaticës", në Shqipëri dhe Itali. Nga ana tjetër agjentë të Kontrollit të Brendshëm (ish SHIR), janë duke mbushur dosje voluminoze me fakte dhe informacione të shumta që implikojnë si bashkëpuntorë të Cakës, në komisariatin e Beratit, jo vetëm policë të thjeshtë, por edhe me grada. Në Itali Mëngjesin e datës 25 dhjetor, rreth orës 11.30, një telefonues anonim, ka lajmëruar nga përtej detit Ministrinë e Rendit Publik, se policia italiane kishte arrestuar Lulzim Cakën dhe vëllain e tij, të cilët posedonin pasaporta me indentitet tjetër. Lajmi ka qenë i pabesueshëm, sepse informacionet e policisë kriminale në Berat ishin se Caka vazhdonte të "vërtitej" në kodrat e fshatit Kutalli. Gjithsesi krerë të INTERPOLI-it shqiptar në një kohë rekord janë lidhur me homologët italianë, të cilët iu kanë dërguar listën e gjithë personave shqiptar që ishin ndaluar natën e 24 dhjetorit dhe mëngjesin e asaj dite. Nga të gjithë personat e shoqëruar 2 të kapur me armë në fshatin Borgo Cervaros të Foggias (njëri me pasaportë kosovare dhe tjetri shqiptare), ishin më të dyshimtët. Vëllezërit Caka të njohur si mafiozë të sofistikuar mund të arrinin të fshihnin indentitetin e tyre të vërtetë. Gjithashtu duke paguar kaucion në shuma të mëdha rrezikonte të liroheshin brenda ditës. Por kanë qenë krerët e INTERPOL-Tirana, të cilët nëpërmjet kolegëve të misionit italian në Shqipëri INTERFOC, në një kohë rekord i dërguan karabinierisë së Foggias disa shenja të veçanta fizike të supervrasësit beratas. Brenda pak orëve mbërrin përgjigja. Po, kosovari i kapur me pistoletë të kalibrit 7.62 me emrin Bekim Arifi, i biri i Ahmedit dhe Xhevries, i lindur në 11.03.1972 në Kosovë, me profesion bari, ka mbi vetullën e djathtë një shenjë plage 2 cm të gjatë dhe në këmbën e majtë një tjetër plagë të vjetër plumbi. Në zyrat e krerëve të policisë në Ministrinë e Rendit Publik dhe në Berat pihet shampanjë. "Bariu kosovar", ishte superkilleri që akuzohet për të paktën 10 vrasje dhe dyshohet të ketë mbi kurriz edhe 13 të tjera. Ekstradimi Lul Caka nuk do të transferohet në vendin tonë sipas procedurave të zakonshme që përdoren për ekstradimet. Në këtë rast do të duheshin të paktën 3 muaj që super vrasësi të binte në duart e hetuesve dhe drejtësisë shqiptare. Por ai edhe pse është në pranga në Itali vazhdon të jetë person "i super kërkuar" nga policia kriminale dhe prokuroria, sepse jo vetëm di shumë për organizatat mafioze që veprojnë në vend, por edhe mund të rrëfejë njerëzit e shtetit që e kanë ndihmuar atë dhe Kastriot Jaupin në veprimtarinë e tyre kriminale. Krerë të policisë shqiptare kanë deklaruar se 35-vjeçari mund të mbërrijë në Tiranë brenda 3-4 ditëve të ardhshme nëpërmjet "deportimit". Që do të thotë se ai do të "përzihet" nga Italia si person i padëshiruar dhe do të "arrestohet" nga policia jonë në momentin që karabinierët do ta "lëshojnë" në aeroportin e Rinasit.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie