Mahir Domi, shkencëtari i madh i letrave shqipe

(10/11/2000)Më 19 shtator të këtij viti, në moshën 86 vjeç-are në shtëpinë e tij në Tiranë, u nda nga jeta një nga gjuhëtarët e shquar të fushave të historisë së gjuhësisë shqiptare, ose më saktë nga të fundmit e plejadës së gjuhëtarëve, Profesor Mahir Domi. Po kush ishte Mahir Domi, ku kishte studjuar ai dhe cili është kontributi i tij në letrat shqipe? Kush është Prof. Domi? Ai u lind në vitin 1914-të në qytetin e Elbasanit në një familje të shtresës së mesme qytetare. Babai i tij Sul Domi, kishte një dyqan të vogël me të cilin zhvillonte aktivitetin e tij tregtar sa për të mbajtur familjen. Mahiri mësimet e para i mori në qytetin e tij të lindjes në Elbasan, i njohur për traditat arsimdashëse që me Konstandin Kristoforidhin një nga korifejtë e Rilindjes Kombëtare shqiptare. Pas mbarimit të shkollës fillore prej gjashtë klasësh, ose siç quhej asokohe shkolla plotore, në vitin 1927-28, Mahiri ndoqi mësimet në shkollën "Normale" të Elbasanit, të cilën nuk pati mundësinë ta përfundonte për arsye shëndetsore. Pas kësaj mjekët i rekomanduan një klimë malore dhe ai e ndërpreu shkollën në Elbasan, për të vazhduar më tej në Liceun e qytetit të Korçës të cilin e filloi në vitin 1929 dhe e vazhdoi rregullisht deri në vitin 1937. Mahiri ishte pjekuar para kohe dhe që në bangat e shkollës fillorë kishte etje të madhe për të lexuar libra e gazeta të ndryshme. Në moshën nëntëvjeçare ai ishte abonuar në shtypin e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, si dhe në atë të Bostonit ("Dielli"), Kostancës ("Shqipëria e Re"), si dhe "Albania" në Bruksel e Londër. Lidhur me shkollimin e tij në qytetin e Elbasanit, në kujtimet e tija të shkruara që në atë kohë (të cilat ruhen në arkivin familjar) Mahiri shkruan: "Në vitin 1929, pasi e kisha ndërprerë për një vit për arsye shëndetsore "Normalen" e Elbasanit, shkova të studjoj në Lyceun e Korçës, ku vazhdova rregullisht deri në vitin 1937, kur mora Bakalaureatin e kreva mësimet e shkollës së mesmë. Gjatë vitit shkollor 1935-36, e ndërpreva frekuentimin e mësimeve dhe u ktheva në Elbasan për arsye familjare e shëndetsore. Gjithë këto kohë qëndrova herë si nxënës internatist (konviktor) në inernate private dhe ato të shtetit e herë si nxënës i jashtëm, por gjithmonë me të hollat e familjes time". Disa nga bashkëmoshatarët e Mahir Domit që kanë studjuar me të në Liceun e Korçës, tregojnë se ai ishte një nga nxënësit më të rregullt dhe më të mirë në mësime të asaj shkolle. Në veçanti prirjet e tija ishin për letërsinë ku ai kishte njohuri të thella e shpesh debatonte me profesorët që e zhvillonin atë lëndë. Lidhur me këtë gjë Mahiri në kujtimet e tija shkruan :" Kontaktet me një letërsi të pasun si letërsia franceze dhe njohja me vepra dhe ide përparimtare, zhvilluen te un idena demokratike, por tuj qenë i mbyllët e i përqëndruem në botën e librave, e nga temperamenti jo i hedhun në jetën praktike, këto simpatina mbeteshin të pa konkretizume, e interesi për të qëndronte si të thuhash në planin moral e teorik, pa mbërritë të jetë aktiv e të shoqënohet me ndonjë lloj aktiviteti." Student në Universitetin e Grenobëlit Pasi mbaroi me rezultate të larta Liceun klasik në qytetin e Korçës në vitin 1937, Mahiri mundi të përfitonte një të drejtë studimi nga qeveria mbretërore për të vazhduar më tej shkollimin e tij në një nga Universitetet perendimore. Kjo mundësi ju dha edhe nga gjendja e kënaqëshme ekonomike që kishte familja e tij dhe dëshirës së babait Sulë Domit, për ta shkolluar djalin e tij në Francë, duke ja pagur vetë të gjitha detyrimet financiare për të gjitha vitet e shkollës, gjë të cilën jo shumë familje shqiptare në atë kohë kishin mundësi ta bënin. Lidhur me këtë gjë Mahiri shkruan:" Në tetor të vitit 1937 shkova po me të hollat e familjes, të ndjek mësimet e nalta në Francë dhe hyna në Fakultetin e letërsisë t` Universitetit të Grenobëlit. 7 Prilli i vitit 1939, më gjeti aty bashkë me shokët e tjerë studentë shqiptarë t` atij qyteti si Dhimitër Shuteriqi, Bilbil Klosi etj, me të cilët bëmë telegrame protestimi dhe bëmë demostrata e mitingje kundër konsulatës italiane duke manifestuar qëndrimin tonë në mënyra të ndryshme për të skjaruar opinionin e huaj. Ngjarjet e 7 prillit më shtynë të kaloj në një interesim më aktiv për problemet politike e më afruen me rrethet progresiste. Kështu hyna në kontakt me persona e grupe përparimtare si Qamil Çela e grupin e Thanas Zikos e më vonë me atë të Sejfulla Malëshovës. Po kështu pata kontakte me korespodencë me vullnetarët shqiptarë të Spanjës të internuem në kampe përqëndrimi si Skënder Luarasin, Hulusi Spahiun etj, duke kontribuar në mënyrë aktive si sekretar i grupit të studentave të Grenobël-it e ma vonë i kolonisë shqiptare të Francës dhe të organizatës antifashiste "Federata Shqiptare" që ajo ngriti. Në vjeshtën e vitit 1939 kreva mësimet e Universitetit e mora "Lecencë d`Ensegnament" në Letërsi klasike, e nuk u ktheva në Shqipëri, në Elbasan.Vijova të qendroj në Grenoblë deri në vitin 1941 tue përgatitë punimin e provimit e "Diplome d` Etudes Superjeures" në Letërsi. Këtë e fitova në prillin e 1941-it, dhe në qershor u ktheva në Shqipëri në Elbasan". Internohet në Porto- Romano Me tu kthyer në Shqipëri në vitin 1941 Mahiri lidhet me grupet e rezistencës antifashiste në krye të së cilës qëndronin grupet komuniste,.e kryesisht me vëllezërit Gogo e Kozma Nushi me të cilët kishte një miqësi që nga Franca ku ata ishin në krye të emigracionit shqiptar. Në vitin 1942 Ministria e Arsimit duke parë rezultatet e tija të larta, si dhe nevojën që kishte asokohe për mësues (shumë arsimtar shqiptarë u dërguan të punojnë në Kosovë) e mëroi si profesor të jashtëm (me orë) në "Normalen" e Elbasanit. Krahas punës si profesor, Mahiri u lidh dhe me lëvizjen antifashiste në atë qytet. Lidhur me këtë gjë Mahir Domi në kujtimet e tija shkruan:" Në luftë kundra fashizmit kontribova në mënyrë aktive duke zhvilluar veprimtari antifashiste dhe punova në ambjente të ndryshme e në mënyra të ndryshme sipas rasteve duke pasur kontakte me Tomorr Sinanin, Ptoleme Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin e më vonë me Kol Papariston. Në funt të qershorit 1943 u arrestova nga karabinieria fashiste italiane dhe u internova në kampin e përqëndrimit në Porto-Romano afër Durrësit. Aty në atë kamp qëndrova më shumë se dy muaj në një aneks të veçantë së bashku me nja 20-25 vetë të tjerë, ndërmjet të cilëve ishin shokët Manol Konomi, Thanas Gjoka etj. Më pas dhe gjatë okupacionit gjerman vijova që të jap kontributin tim në mënyrë aktive gjatë muajve të fundit të vitit 1943. Në vitin 1944 bëra pjesë vazhdimisht si antar në këshillin klandestin Nacional-Çlirimtar të qytetit të Elbasanit, duke punuar sidomos për mbajtjen më këmbë të këshillave në të gjithë qarkun". Me Xhuvanin e Çabejn për arsimin Pas mbarimit të luftës Mahir Domi u angazhua tërsisht në problemet e arsimit shqiptar së bashku me Aleksandër Xhuvanin, Kostaq Cipon e Eqerem Çabejn të cilët hartuan projektet më të rëndësishme të fushës arsimore, kryesisht të gjuhësisë. Lidhur me këtë gjë Profesori kosovar Rexhep Ismajli në studimin e tij për Profesor Mahir Domin të titulluar "Motori që vuri në lëvizje studimet e gjuhësisë shqiptare" ndërmjet të tjerash shkruan:" Profesor Mahir Domi së bashku me Xhuvanin, Çabejn e Kristaq Cipon, u angazhuan në projektet më të rëndësishme arsimore dhe shkencore siç ishin projektet e hartimit të ortografisë së shqipes, në studimet për shqipen nga aspektet më të ndryshme në mësimdhënien e disiplinave filologjike dhe posaçërisht gramatologjike në nivelet më të larta të shkollimit që kishte Shqipëria atëhere. Me fillimin e punës të Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë, më vonë të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Mahir Domin e gjejmë me tërë angazhimin e tij atje". Në vitin 1957, kur u themelua Universiteti Shetëror i Tiranës, Mahir Domi u caktua profesor i fakultetit të Historisë në Katedrën e Gjuhës Shqipe duke dhënë mësim në të gjitha nivelet e studimit. Në Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë, përveç punës së tij si studjues Profesor Mahiri kryente dhe shumë detyra të tjera organizative. Kështu ai për shumë vjet ka qenë drejtues i Sektorit të Dialektologjisë, i sektorit të Gramatikës, redaktor për disa vjet në revistat "Buletini i USHT-së, "Studime Filologjike", "Studia Albanica" dhe "Dialektologjia shqiptare". Po kështu gjatë kësaj kohë Mahiri ishte dhe drejtues studimesh dhe tezash të realizuara në këtë Institut dhe në fakultetin e Histori-Filologjisë, duke qenë një nga pjesmarësit kryesorë të veprimtarive shkencore me rëndësi siç ishin konferencat albanalogjike, Kongresi i Drejtshkrimit, pjesmarrja në kongreset ballkanologjike etj. Në studimet albanologjike të pas viteve 50-të Mahir Domi zë një nga vendet më të rëndësishme si shkenctar i përmasave të mëdha. Studjues i historisë së gjuhës shqipe Profesor Mahir Domi përveç studimeve në fushën e gjuhësisë është marrë për një kohë të gjatë dhe me studimin e historisë së gjuhës shqipe. Lidhur me këtë gjë Profesor Rexhep Ismajli shkruan:" Në fushën e studimit të historisë së gjuhësisë shqipe, Profesor Mahir Domi ka lënë gjurmët e tija që në vitet 60-të, kur botoi tekstin e parë të universitar për morfologjinë historike të shqipes. Deri atëhere në historinë e albanologjisë ishin bërë parqitje sintetizuese për fusha të ndryshme të historisë së shqipes, ishin bërë gjithashtu dhe tekste sintetizuese për tërë historinë e gjuhës shqipe nga Eqerem Çabej, në 1947-ën dhe u mbarua në 1960-ën, i Selman Rizës në Prishtinë në 1952-in e në Sarajevë në 1959-ën, i Henrik Bariqit, po në Prishtinë në 1955-ën e në Sarajevë në 1959-ën, por jo në morfologjinë historike. Mahir Domi.botoi dispensat për Morfologjinë historike të shqipes, disiplinë që pastaj njohu zhvillime të rëndësishme në Tiranë, në Prishtinë dhe gjithandej në botën albanologjike. Po në këtë fushë Mahir Domit i bie merita e hulumtimit të gjerë dhe me me metoda të mirfillta filologjike të leksikut të shqipes, para dokumentave të para, ashtu si dhe nxitja e diskutimeve për historinë e herëshme të shqipes, sidomos për raportet midis shqipes dhe ilirishtes. Në thelb Mahir Domi ashtu si gjithë albanologjia shqiptare e asaj kohe, në të gjitha diskutimet e tija për atë çështje përpiqej të argumentonte hipotezën për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe. Në historinë e Letërsisë së bërë nga shumë autorë të viteve 70-të, Mahir Domi është një nga hartuesit kryesorë të pjesëve për letërsinë e vjetër shqiptare, ai nuk u muar me atë letërsi vetëm pse ishte njohës i shqipes së vjetër dhe i dokumenteve të herëshme të shkruara, por sepse aty ishin bazat e gjuhës shqipe". Ai ka qenë antar i Institutit të Shkencave dhe anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i shumë forumeve të larta shkencore e arsimore të vendit tonë si dhe i disa formueve ndërkombëtare, ku ka përfaqsuar me dinjitet shkencën dhe kulturën shqiptare. Ai është shumë i njohur dhe i vlerësuar e jashtë Shqipërisë në botën albanalogjike e ballkanologjike. Për Profesor Mahir Domin, flasin me respektin më të thellë të gjithë ata që e kanë njohur nga afër dhe kanë punuar me të. Një nga ata, Profesor Ali Xhiku kujton:" Profesor Mahir Domin e gjeje gjithnjë në bibliotekë dike studjuar dhe "të humbur" pas punës. Dukej sikur asnjë "ngacmim" tjetër nuk e shkëpuste dot prej saj. Po ai e linte punën e tij, menjëherë sapo dikush t`i kërkonte ndihmë. Ai nuk kursehej dhe u gjendej gjithmonë të tjerëve. Nuk është e rastit që kontributet më të mëdha i ka dhënë në punë të përbashkëta. Profesori i nderuar Eqerem Çabej më pa thënë njëherë për Profesor Mahir Domin : ai është një njeri i rrallë, punon shumë më tepër për kolegët dhe pak për vete".Profesor Mahiri pati fatin të jetonte për një periudhë relativisht të gjatë dhe gjithë atë jetë ja kushtoi studimeve në fushën e gjuhësisë, ku ka lënë me mijra faqe të botuara. Për gjuhësinë shqiptare, humbja e tij ndonëse në moshën 86 vjeçare, është një humbje e madhe sepse siç e ka cilësuar një nga bashkpunëtorët e tij, me Profesor Mahir Domin mbyllet plejada e fundit e gjuhëtarëve shqiptarë. Në lamtumirën për në banesën e fundit, që i dhanë shokët të afërmit dhe bashkpunëtorët Profesor Mahirit, një nga miqtë më të ngushtë të tij, Profesor Dhimitër Shuteriqi u shpreh:" I ëmbëli dhe i urti Mahir. E lehtë është toka mëmë për bijtë që i kushtuan jetën. Mahiri ynë la një vepër të madhe, e cila u çmua fort në gjallje të tij, por që do të fitojë dhe më shumë vlera dhe bukuri në shekullin që sapo agoi".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Milani përballet me Real Madridin, Fonseca: Jemi të motivuar, Leao luan nga minuta e parë