Mandoi në Tiranë për dosjet e Grorit dhe Kokainës

TIRANE (5/29/2001) Superdosjet e drogës sjellin në Shqipëri zëvendësshefin e Antimafias italiane, Françesko Mandoi. "Grori" dhe "Kokaina", janë dy dosjet për të cilat do të testohet direkt akuza shqiptare, nga ana e kreut të Antimafias së vendit fqinj. Prokuroria shqiptare do t'i paraqesë përfaqësuesit të akuzës italiane rezultatet konkrete të hetimit në dy muajt e fundit. Dje, ka mbërritur në Tiranë, zëvendësshefi i Antimafies italiane Françesko Mandoi. Ka qenë ora 14 e mesditës së djeshme, kur përfaqësuesi i akuzës italiane ka ndalur hapin në portën e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas burimeve nga organi qëndror i hetimeve,"inkursioni" i Mandoit në Shqipëri është special, pasi ai lidhet me hetimet e përbashkëta që po bëjnë dy vendet për dosjet e mëdha të drogës dhe pikërisht "Grorit" e "Kokainës". I dërguari i palës italiane do të bëjë një testim të mirëfilltë të punës së kolegëve shqiptarë mbi hetimet e dosjeve në fjalë. Dhe "testi" ka filluar që dje. Menjëherë pas mbërritjes në Tiranë, Mandoi ka realizuar një takim me njëshin e akuzës shqiptare, Arben Rakipin, si dhe me specialistë të sektorit të Antidrogës në Prokurorinë e Përgjithshme. Megjithëse nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për takimin e djeshëm, burime të sigurta nga organi hetimor pohojnë se në "tavolinën" e bisedimeve janë "ulur" dy dosjet e mëdha të drogës. Ndryshe nga herët e tjera, kur "vizitorët" italianë sillnin me vete materiale voluminoze, të cilat bënin autopsinë e plotë të të pandehurve të dosjes "Grori" dhe "Kokaina", kësaj radhe specialistët hetimor të përtejdetit nuk kanë marrë asnjë "pako" me vete. Përkundrazi, Mandoi do të jetë ai që do t'i kërkojë palës shqiptare "peshqeshin" në të cilin mbështillet puna hetimore e këtyre dy muajve të fundit. Sipas burimeve nga akuza, prokurorët shqiptarë që merren m hetimet e "Grorit" dhe "Kokainës", do t'i paraqesin kreut të Antimafies italiane një ekspoze të saktë për stadin aktual të këtyre hetimeve. Analiza hetimore do të përfshijë periudhën që nga pas marsi e deri në ditët e fundit të këtij muaji. Bilanci i kësaj analize do të bëhet duke u bazuar mbi faktet dhe provat e sjella nga pala italiane e akuzës, si dhe me atë se çfarë kanë bërë hetuesit shqiptarë. Kjo në disa aspekte; si në verifikimin dhe studimin e materialeve të sjella nga vendi fqinj, pyetja e dëshmitarëve dhe përballja e tyre me këto fakte, grumbullimi i provave të reja nga ana e palës shqiptare të akuzës. Gjatë tre ditëve të qëndrimit të Mandoit në Shqipëri, dosjet "Grori" dhe "Kokaina" do të kalojnë në një vlerësim të imtësishëm, pasi insistohet që me suksesin e tyre t'i jepet një goditje e fuqishme trafikut të lëndëve narkotike në rajon . Për dosjen "Grori", raportimi i hetuesve shqiptarë (sipas ekspertëve) do të konsistojë në njohjen e plotë të materialit të sjellë nga Italia, si dhe me ndonjë fakt të ri të mundshëm të servirur nga të dyja palët. Ndërsa për dosjen "Kokaina", "rrëfimi" i hetuesve shqiptarë do të jetë më i plotë, pasi në disa muaj hetimi, ata kanë realizuar disa "ekspedita" në territoret e preferuara të trafikantëve, si dhe seanca pyetjesh. Gjithashtu, takimi midis specialistëve të dy vendeve do të rekordojë dhe për veprimet e mëvonshme hetimore për dy dosjet e drogës. Nuk përjashtohet mundësia që vizita e përfaqësuesit të lartë italian të vërë nën pranga ndonjë tjetër emër të drogës. Vetëm për dosjen "Grori", janë gjashtë shtetas shqiptarë në kërkim.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie