Mark Ndoja Enverit: "O të drejtat e mija, o përsëri në burg

(6/9/2000)(vijon nga numëri i kaluar) Pata një kënaqësi kur Leks Buda në Komisjon duke krahasuar vjershërimin t`im konstatoj ndryshimet e largimet e mbëdha të tekstit gjerman nga origjinali. Sa për urrejtjen artistike të Sejfullait kundër meje ( të cilën unë e sodas me ëmbëlsi të durimëshme) përsëris këtu atë që i thashë në zyrë të tij kur ish në fuqi si Ministër i Kulturës Popullore : njëqind napolona po t`i kem mund të m`i marrë me dinakëri, por karakterin dhe artin t`im s`ma merr dot me inkriminiacione cirkumvoltative. Duke përfunduar po kuxoj t` Ju lutem të kini mirësinë të më lejoni një vonim prej dy javësh, për të fituar tani në vjeshtë edhe pak shëndet. Mos dërgimin e një telegrami paraqitje urgjente, do t` a konsideroj me mirënjohje si një shenjë kondescedence mirëdashëse nga ana Juaj. Pranoni nderimet e mija të shquara me të fala nga zemra ime." Juaji Lasgush Poradeci. V.F.-L.P. Siç shihet dhe nga kjo letër e shkurtër e Lasgushit drejtuar Mark Ndojës në periudhën kur ai ishte në krye të Institutit të Shkencave, pa u nisur aspak nga pozita e vartësit kur dihet fare mirë se Lasgushi nuk ka qenë kurrë konformist (shembull tipik perplasja e tij e konflikti deri në shtyp me Ministrin e Kulturës Sejfulla Malëshova) del në pah karakteri njerzor e human i Markut, po ashtu dhe përgatitja e lartë profesionale e bagazhi intelektual. Kështu dhe miku i tij i afërt Lasgushi e vlerson për vërejtjet që Marku i ka bërë atij me dashamirësi. Pas më shumë se katër vjet pune në krye të Institutit të Shkencave të Shqipërisë, në vitin 1949 Mark Ndoja largohet prej andej dhe emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ku kryetar ishte Shefqet Musaraj njeriu që ishte bërë i njohur për "Epopenë e Ballit Kombëtar". Po kështu Marku ishte zgjedhur dhe deputet i Kuvendit Popullor që nga legjislatura e parë në vitin 1946, e u zgjodh përsëri në legjislaturën e dytë deri në 1954-ën kur u prejashtua si antiparti. Në detyrën e Sekretarit të Përgjithshë të Lidhjes, Marku qëndroi për afro pesë vjet me rradhë deri në vitin 1953 kur do të largohej prej andej pasi u akuzua për kundërvënije të vijës së partisë. Në atë vit ai u prejashtua dhe nga kreu i Lidhjes pasi u akuzua si kryetar i një grupi ku bënin pjesë dhe shkrimtarët Kasem Trebe-shina e Mehmet Myftiu të cilët në veprat e tyre kishin mbajtur një qëndrim nihilist kundrejt letërsisë së realizmit socialist dhe përkundër tyre kishin vënë letërsinë romantike e dekadente. Përjashtohet me Trebeshinën e Myftiun Lidhur me këtë gjë në shkurtin e vitit 1954, në Lidhjen e Shkrimtarëve u mbajt një mbledhje plenare ku u dënuan Mark Ndoja dhe dy shokët e tij Kasem Trebeshina e Mehmet Myftiu. Në referatin e mbajtur në atë mbledhje midis të tjerave thuhej :" Kjo punë e dobët e udhëheqjes së Lidhjes ka lejuar që midis nesh të shfaqen pikpamje të kundërta me frymën e partisë në letërsi, pikpamje antiparti. Ju keni dëgjuar për punën e Mark Ndojës, Kasem Trebeshinës e Mehmet Myftiut. Mark Ndoja si ambicioz, megalloman, kritizer e vazhdimisht i pakënaqur e duke përfituar nga megallomania e Kasem Trebeshinës dhe e Mehmet Myftiut krijoi bashkë me ata të dy, një si grup të vogël, të cilët synonin ta zgjeronin me shkrimtarë të tjerë. Cilat ishin pikpamjet e këtyre shokëve ? Së pari ata mbanin një qëndrim nihilist kundrdrejt letërsisë sonë të sotme të realizmit socialist. Mark Ndoja ngrinte e vinte po çështjen e rrezikut të shkëputjes nga klasikët, por asnjëherë çështjen e rrezikut të shkëputjes nga letërsia sovjetike, në një kohë kur shoku i tij i ngushtë Kasem Trebeshina e kishte shpallur veten romantik. Në të vërtetë Kasem Trebeshina e shpallte veten ashtu, e Marku me Mehmetin në vend që të tronditeshin nga ky anakronizëm, e shpallnin "shkrimtar të madh" të kohës sonë…" Mbas kësaj mbledhje Mark Ndoja e me dy shokët e tij Trebeshinën e Myftiun u prejashtuan nga partija dhe Lidhja e Shkrimtarëve. ( Në fakt K. Trebeshina kishte deklaruar që gjashtë muaj më përpara daljen nga Lidhja). Pas prejashtimit nga Lidhja, Marku dërgohet si pedagog i gjuhës shqipe në gjimnazin "Qemal Stafa" të Tiranës ku punoi për dy vjet deri në 1955-ën. Raportohet tek Enveri nga Hazbiu Disa muaj përpara arrestimit të Mark Ndojës, më 20 shtator të vitit 1954 Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu i dërgon një relacion tepër sekret Enver Hoxhës "Mbi punën armiqësore të disa elementëve antiparti", ku mbas Sejfulla Malëshovës njeriu i dytë renditet Mark Ndoja. Në atë relacion të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit midis të tjerash thuhet :" Shkurtimisht po ju përshkruajm të dhënat e agjenturës sonë që kemi mbledhur gjatë përpunimit të elementave antiparti si Sejfulla Malëshova e Mark Ndoja. Sejfullai ka pasur kontakte të vazhdueshme me Mark Ndojën dhe të dy së bashku shkojnë tek hotel "Dajti" ku bisedojnë me orë të tëra, gjithashtu Sejfullai i shkonte dhe në shtëpi Mark Ndojës. Marku flet me admirim për Sejfullanë e të tjerët. Mark Ndoja siç dihet u godit nga Partija për pikpamje antiparti që kish futur në lëmin e Artit e të Kulturës. Këto pikpamje ky i manifeston në një rreth të ngushtë elemntësh edhe këta si Mark Ndoja siç është Kasem Trebeshina e Mehmet Myftiu, i pari në burg dhe i dyti i internuar. Në një bisedë që Mark Ndoja ka bërë me agjentin tonë i ka thënë:" Sejfullau është njeri i mirë dhe ka sakrifikuar mjaft për këtë ditë. Ay ka qenë në Bashkimin Sovjetik dhe ka qëndruar në llogoret e Spanjës,(?) është komunist i vjetër por kalemi e ka marrë ters. Nga njerëz si Sejfullau ke dobi dhe përfitime, kurse nuk ja vlen të harxhosh kohën kot me njerëz si Dhimitëer Shuteriqi e Llazar Siliqi të cilët janë analfabet e që nuk marrin vesh. Mua nuk më intereson se Partija e ka dënuar Sejfullanë, ti njihu me të dhe konsultohu për çdo problem të letërsisë." Mark Ndoja tani që është goditur nga Partija flet me urrejtje kundër udhëheqjes së Partisë e veçanërisht kundër drejtuesëve të Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai thotë :" Unë nuk do heshtë kurrë së kritikuari çdo Ministra siç thoshte Fishta. Burgjet po mbushen për ditë më njerëz të pafajshëm dhe këto nuk janë shenja të mira. Populli po trajtohet keq nga barkmëdhejtë që kanë zënë postet në parti dhe në pushtet e që kanë frikë se mos ju fluturon karrikja. Shumica e atyre që drejtojnë sot janë nga ata që dje kanë lëpirë sahanet edhe në regjimet e tjera, janë njërëz me shumë flamurë në xhep, mbahen e trashën gjithnjë kurse populli vuan. I varfëri i varfër ka mbetur edhe sot, shërbëtor i Ministrave ka qenë dhe është. Vallë kështu qenka demokracija ? Kjo, çdo ditë po kalon në një demokraci borgjeze. Populli mos kujtoni se fle, ai do të revoltohet ndonjë ditë dhe do të ngrihet sa të çuditet bota. Këtu çdo gjë po kthehet mbrapsht, mjerë populli dhe artistët që duan të predikojnë të vërtetën të cilët i ndalojnë dhe i persekutojnë. Këta kërkojnë që të fshehin të vërtetën dhe duan që të aplikojnë ligje dhe norma kudo. Ata duan të bejnë një letërsi hipokrite të gënjejnë dhe të shtrembërojnë çka është e vërtetë." "Shkrimtarit nuk i vihen caqe" " Arti nuk ka ligje, shkrimtari është mirë që të shkruaj atë që ndjen. Unë nuk do të pajtohem kurrë me këta që duan ta fusin poezinë në kuti, ta bëjnë letërsi partije. Ti vesh caqe shkrimtarit është një krim i madh dhe koha nuk mund ta durojë. Gjepura janë ato që thonë se talentet po përkrahen, përkundrazi ato po varrosen. Kasem Trebeshina ishte talent i madh, por e muarën në qafë e futën në burg. Kisha më përpara një ide se Komandanti (Enver Hoxha) qe njeri i arsyeshëm, por tani e kuptova se dhe ai bën siç i thonë karrieristët. Por sido që të bëjnë vepra e Kasem Trebeshinës nuk do të humbasë, ajo do të dalë dhe do të ndriçojë. Kështu ja kanë bërë dhe Fishtës këta , por Fishtën e do populli. Kasem Trebeshina ka pasur të drejtë të kërkojë dorëheqje nga Partija, se vërtetë nuk mund të rihet në një ambient me njerëz të poshtër. Ajo që kërkoi të ikte në Zvicër, nuk ishte ndonjë gjë e madhe, njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë të shkojnë kudo. Po ç` ti bëj unë Kasem hajvanit që ju dha pushkën dhe ju tha : ma hiqni. Nuk bëri durim mbasi punët vinin mirë. Dhimitër Shuteriqin do ta rrëzonim dhe pastaj të tjerët binin vetë e ne do të aplikonim ligjet tona të artit. Ne do ti bënim një letër Horvat Fastit, për trajtimin e keq që na bënin biseduam me Kasemin dhe disa nga veprat e tija do tja jepnim Legatës Italiane në Tiranë që të botoheshin në Itali dhe ti diskretitonim këta. Por Kasemi i përmbysi planet e veta dhe na mori në qafë neve dhe Mehmetin e internuan." Në fund Marku i drejtohet agjentit tonë duke i thënë :" …Edhe ti jepi forca dhe shkruaj për këta parazitë se do të vijë koha që t´ ju dalin këto gjëra dhe do të jenë personazhe të komedive. Unë për vete do të shkruaj deri në fund dhe nuk do të pajtohem me këta armiq të Marksizmit. Konti i Montekristos thotë : durim dhe shpresë. " Pas kësaj letre të gjatë ku Ministri i Brendshëm Gjeneral-major Kadri Hazbiu i dërgon Enver Hoxhës lidhur me veprimtarinë e Mark Ndojës e të dy miqëve të tij të ngushtë Trebeshinës e Myftiut dhe pas një survejimi prej disa muajsh do të vinte arrestimi i tij aty nga fillimi i vitit 1955. Markun e arrestuan në sy të nxënësëve të gjimnazit "Qemal Stafa", të cilët i kishte marrë në mënyrë të organizuar dhe i kishte dërguar në stadjum për të parë një ndeshje futbolli. Akuza kundër tij ishte për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor të lidhura këto me Artin, Kulturën e Letërsinë ku ai kishte punuar që prej dhjetë vjetësh nga mbarimi i luftës. "Gjygji i popullit" e dënoi Mark Ndojën me pesë vjet burg të cilat i vuajti të gjitha në burgun e Burrelit dhe doli që andej në vitin 1960-të, ku u kthye e u vendos përsëri në Tiranë. "Respektoni të drejtat e mija" Ndonëse i rënduar nga shëndeti, për të siguruar jetesën filloi të merrej me përkthime të ndryshme ku survejohej rregullisht nga agjentët dhe provokatorët e Sigurimit. Pas afro dy vjetësh prej daljes nga burgu, më 1 shkurt të vitit 1962 Mark Ndoja i ndodhur në kushte të këqia jetese dhe më tepër i indinjuar se nuk e lejonin të botonte veprat e tija, vendosi që t`i dërgonte nje letër Kryeministrit Mehmet Shehu. Midis të tjerash në atë letër shkruan :" Kam 20 muaj e më tepër që jam liruar nga burgu. Pyes organet e drejtësisë se çdo me thënë : i gëzon të gjitha të drejtat. Mirpo kjo vetëm de jure, sepse de facto deri tashti s` m`u ka dhënë asgjë nga ato që kërkojmë. Dhe unë nuk kam kërkuar asgjë ma tepër se kërkon qytetari ma i thjeshtë. Kam kërkue të drejtën e punës me jetue, e jo ma tepër. Ju lutem juve që të ndërhyni me autoritetin tuej si Kryetar Qeverije të jepni urdhnat e rastit për me më respektue të gjitha të drejtat e qytetarit të lirë…" Mbas kësaj letre dërguar Mehmet Shehut, që siç theksohet dhe në tekstin e plotë të sajë, Marku nuk kërkon mëshirë por vetëm të drejtat e tij, nuk mori asnjë përgjigjije. Pas dy vjetësh nga letra që i bëri Mehmet Shehut, në vitin 1964 Mark Ndoja detyrohet e shkruan përsëri një letër me një ndryshim të vogël nga ajo e para, ku adresa e zarfit nuk tregonte kryeministrinë por K.Q. të PPSH-së dhe Enver Hoxhën. Enverit :" O të drejtat, o në burg" Në atë letër Marku i drejtohej Enver Hoxhës : "Ose më jepni të drejtat qytetare që më takojnë sipas ligjeve në fuqi, ose në të kundërt më dërgoni prap në burg ku kam qenë." Pasi kjo letër ra në dorën e Enver Hoxhës sipas adesës së saktë, erdhi dhe internimi i Markut për në kampin e Zvërnecit (Vlorë) ku ndodheshin të internuar disa nga ish shokë e tij të idealit, si Gjeneral-Major Gjin Marku, Xhavit Qesja, Agron Çorati etj. Në këtë kamp Marku qëndroi deri në vitin 1968 kur pothuaj u paralizua krejtësisht. Vetëm pas kësaj u lejuan njerzit e familjes që të merrnin në Tiranë ku jetoi ashtu i sëmurë deri në vitin 1972 kur mbylli sytë përgjithmonë në moshën 60 vjeçare. Në varrimin e tij mundën të vinin vetëm pak njerëz ku nuk munguan dy shokët e tij të afërt, Avokat Karamelo dhe Henerik Lacaj. Krijimtaria letrare-artistike e Mark Ndojës shtrihet në një hapsirë kohore 30 vjeçare që nga viti 1933, kur botoi librin e parë "Odet" e deri në 1954-ën pak kohë para arrestimit kur botoi librin për Ndre Mjedën. Gjatë atyre viteve përveç shkrimeve publicistike ai botoi dhe Melodramën "Ded Gjo Luli" (1937), poemën "Roja" (kushtuar marinarit Spiro Kote, filmi "Dyeli i Heshtur"), dramën "Agimi i Lirisë", librin "Vjerasha dhe Poema" dhe disa përkthime nga "Komedia Hyjnore " dhe "Ferri" (të Dante Aligerit) Përveç këtyre veprave të botuara, Mark Ndoja ka lënë dhe një pjesë tjetër në dorshkrime si kritikë, prozë, poezi e përkthime të cilat po sistemohen për të parë dritën e botimit nën kujdesin e familjes së tij.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

BBC: Si u kthye Donald Trump nga humnera politike?