Ndërtimet pengojnë investimet

Prefektura: fadroma kundër atyre pa leje (5/12/2000) DURRES Me fadroma kundër objekteve që pengojnë zbatimin e projekteve. Ky ka qenë urdhri i prefektit të Durrësit, Petrit Ajazi, në takimin me pushtetarët lokalë dhe me përfaqësuesit e firmave zbatuese të projekteve. Në mjediset e prefekturës dje u zhvillua një takim ku merrnin pjesë pushtetarët vendorë, drejtori i Drejtorisë së Investimeve në Ministrinë e Punëve Publike, Niko Nacka, nëndrejtori i rrugëve Spartak Gjini, si dhe përfaqësues të firmave kontraktore. Ata disukutuan problemet që kanë dalë gjatë realizimit të investimeve në zona të ndryshme të Durrësit. Kështu, në rrugët rurale në komunën e Ishmit, firma gjermane "Kirshten", është penguar nga fshatarë të zonës, duke mos u lejuar të marrë lëndë të parë për ndërtimin e rrugës me pretendimin e pronësisë mbi të. I është dhënë urdhër organeve të rendit që të procedojnë ndaj kujtdo që nxjerr pengesa. Problem tjetër ishte ai i varrezave publike, ndërtimi i të cilave është emergjent, pasi varreza aktuale nuk ka më vend. Nga 58 milionë lekë, janë investur 38 milionë, ndërsa 20 të tjerat kanë mbetur pa u lëvruar, pasi 14 familje, që kanë ndërtuar shtëpi pa leje në këtë territor, janë bërë pengesë për këtë investim. Ajazi urdhëroi edhe një herë Policinë Ndërtimore që urgjentisht të njoftojë këto familje dhe të ndërhyjë për prishjen e tyre. Shqetësim tjetër që u ngrit, ishte ai i firmës "Xhenluks", e cila ka kryer ndërtimin e sinjalistikës në qytetin e Durrësit. Ende nuk janë marrë në dorëzim semaforët dhe tabelat me shenjat e qarkullimit, ndërkohë që 150 tabela janë vjedhur nga njerëz të pandërgjegjshëm, duke parë që kanë qenë mall pa zot. U shtrua si detyrë, që ato të merren në dorëzim nga organet e rendit e kështu do të vendosen edhe në ruajtjen e tyre. Ndërkohë përfaqësuesi i firmës kërkoi një linjë të veçantë furnizimi me energji elektrike në mënyrë që semaforët të funksionojnë edhe në stinën e dimrit. Shqetësim tjetër, që u ngrit në takimin e ditës së enjte, ishte ai i pengesave të krijuara në autostradën që lidh Durrësin me Tiranën. Këtu janë dy shtëpi banimi, njëra në Rrashbull dhe tjetra tek Ura e Dajlanit si dhe mbeturinat e depozituara pranë kësaj ure, të cilat pengojnë punimet në këtë segment rrugor. Edhe këtu Policia Ndërtimore mori detyrën që të ndërhyë për prishjen e këtyre objekteve. Nga ana e saj Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, nga propozimet e Bashkisë së Durrësit, ka marrë përsipër të investojë në rrugën "Taulantia", e cila lidh Vollgën me kthesën e Currilave, rrugën "Skënderbej", që shtrihet nga Banka deri te sheshi para stacionit të trenit si dhe rrugën Spitallë - Porto-Romano.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Koreja e Veriut kryen një provë me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi