Ndërtimorët: Zbuluam 11 pika karburanti pa leje

DURRES (12/12/2000) Identifikohen të gjitha pikat e karburantit dhe ndërtimet pa leje në qytet. Instituti i Hidrokarbureve me një shkresë të pak kohëve më parë i ka kërkuar Policisë Ndërtimore të Durrësit të evidentojë sasinë e pikave të shpërndarjes me pakicë të karburanteve, ose siç quhen distributorë, në të gjithë rrethin e Durrësit. Kjo për arsye të disiplinimit mbi baza ligjore të këtij aktiviteti. Në një relacion që i është dërguar këtij instituti, nga dega e Ndërtimorëve të Durrësit, rezulton se në Durrës ushtrojnë aktivitetin 44 distributorë, prej të cilëve vetëm 11 janë të palicensuar, pasi janë ngritur pa lejen e organeve përkatëse. Në këto kushte, dega e Durrësit e Policisë Ndërtimore i ka kërkuar informacion edhe Drejtorisë së Përgjithshme Ndërtimore dhe pret urdhrin e tyre për të vendosur nëse ato do të hiqen apo do iu kërkohet pajisja me licensë, pasi të kenë shlyer detyrimet financiare. Sipas këtij relacioni, rezulton se një pjesë e këtyre pikave nuk i plotësojnë kushtet teknike si të mbrojtjes nga zjarri, ashtu edhe për parkimin e automjeteve që furnizohen në këto pika. Kjo është një kërkesë e hershme, që është kërkuar edhe më parë nga Tirana, por që në fakt asnjëherë nuk ka gjetur zbatim në rrethin e Durrësit. Gjithashtu, në kuadrin e regjistrimit të ndërtimeve pa leje, Policia e Durrësit ka arritur në përfundimin se janë 2 700 ndërtime pa leje si shtëpi banimi, dyqane, kioska, madje edhe vila. Këto të shtrira kryesisht në zonën e ish-kënetës, kodrat e qytetit, Porto-Romano dhe në zonën e Plazhit. Gjithashtu, ka edhe nëpër zonat periferike si Shijak, zona e Plepave dhe të tjera. Policia Ndërtimore gjatë 2 muajve të fundit ka vënë 47 gjoba në adresë të firmave të ndërtimit, pasi ato kanë ushtruar aktivitetin e tyre në ndërtimin e disa pallateve dhe objekteve të tjera, dokumentet e të cilave kanë pasur mangësi teknike si mungesë firmash nga autoritetet e pushtetit lokal.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

'Ishin groposur brenda në fuçi' Gazetarja Banushi zbulon se ku ishin fshehur 3 mln euro cash që sekuestroi SPAK