PLAZHI 2000
Shqiptarët duan të pushojnë. Një numër i madh hotelesh, motelesh e banesash buzë detit janë pronotuar që në fillim të sezonit.
(9/8/2000)Shqiptarët duan të pushojnë. Një numër i madh hotelesh, motelesh e banesash buzë detit janë pronotuar që në fillim të sezonit. Sipas statistikave të mbajtura në pushtetin lokal, në muajin korrik kanë pushuar në plazh 100 mijë vetë. Një numër i ngjashëm pritet edhe për gushtin.
Ndërsa po të llogariteshin pushuesit ditorë ky numër dy dhe tre fishohet. Dhe ndërsa pronarët e hoteleve, moteleve e të shtëpive që në verë lëshohen me qira, ndjehen të kënaqur për numrin e madh të atyre që preferojnë plazhin masiv, ndryshe ndodh me ata që kanë investuar për turizmin elitar. Klientët e tyre kanë preferuar Turqinë, Malin e Zi e Ohrin falë lehtësirave të kalimit pa viza në kufijtë respektivë.
Nga vijnë pushuesit
Tiranasit, durrsakët, kosovarët, shqiptarët nga Maqedonia dhe elbasanllinjtë përbëjnë numrin më të madh të atyre që preferojnë plazhin e Durrësit për të kaluar pushimet verore. Një pjesë e mirë e tyre kanë vite që e përsërisin këtë ritual. Por ka të tjerë që vijnë për herë të parë si pushues. Abdurrahim Sokoli dhe Nevzati nga Kosova kanë qenë këtu pranverën e kaluar kur si ushtarë të UÇK-së qëndruan 2 ditë tek hotel "Drenica" i cili ishte kthyer në një degë mobilizimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. "Qysh atëhere vendosëm që një ditë do të vijmë për pushime në plazhin e Durrësit", thotë Sokoli më i riu ndër ta. Ndryshe nga vitet e shkuara edhe mjaft banorë të Durrësit e kanë braktisur plazhin ditor vajtje-ardhje duke prenotuar dhoma ndonëse pak kilometra më tej kanë shtëpitë e tyre.
Çmimet janë të kripura
Në hotele je i detyruar të paguash edhe për ushqimin, pasi nuk të lejon kush që të gatuash vetë. Kush preferon hotelet është i detyruar të paguajë nga 15 mijë deri 25 mijë lekë për person. Kjo varion për shkak se mund të pushosh nga 10, 15 ditë e deri në 1 muaj. Për ata që nuk ua mban xhepi të paguajnë për pushime absolute, janë në dispozicion dhomat e banorëve të plazhit që në verë i lëshojnë me qera. Për të banuar 15 ditë në njërën prej këtyre dhomave je i detyruar të paguash 35 mijë deri 40 mijë lekë. I zoti i shtëpisë të lejon të gatuash në pajisjet e tij elektroshtëpiake. Në dhomë ka televizor dhe nuk mungon për 24 orë uji i ngrohtë falë depozitave dhe pompave të vendosura pranë çdo banese. Flamuri është banor i plazhit që nga viti 1992. Atëhere gjithkush mund të merrte çfarë i donte qejfi në territorin e plazhit. Ka ndërtuar një shtëpi tek sektori Apolonia. Ai thotë se mobilimin, sigurimin e ujit non stop e ka bërë sipas kërkesave bashkëkohore me paratë e fituara gjatë sezoneve të verës. "Kam frikë të zgjohem se mos ndërtesën ma shemb policia ndërtimore pasi nuk kam marrë leje ndërtimi. Kush preferon lokalet e plazhit duhet ti bëjë hesapet mirë. Një pjatë peshk kushton 1000 deri 1200 lekë, një karkalec 900 deri 1000 lekë. Diçka më lirë varietetet me mish blegtoral por nuk mund të hysh më në lokale në një mbrëmje të dytë. Kujt nuk ia mban xhepi përsërit ritualin e shumë viteve, gatuan vetë duke reduktuar orët në diell.
Në Durrës vetëm plazh masiv
Plazhi i Durrësit tashmë është kthyer në një plazh masiv. Nuk mund të bëhet fjalë për turizëm elitar. Në 5 kilometër rërë shkelin qindra mijëra pushues. Mungojnë fushat e tenisit e të futbollit, plazhet private e shumë komponentë të tjerë të një plazhi të cilësisë së lartë. Plazhi është kthyer në një lagje banimi ku ndërtesat pa leje kanë shkelur të gjitha normat urbanistike. Eshtë vështirë që ta shohësh detin që nga rruga automobilistike, e po aq e vështirë është që të gjesh një copë rrugë për të dalë në rërë. Pengesa përveç ndërtesave janë gardhet dhe muret e ngritura nga pronarët e vetëshpallur të plazhit. E si për ta vërtetuar më mirë këtë, rëra e papastër e grumbujt e plehrave çdo 10 metra krijojnë imazhin e një plazhi për të cilin nuk kujdeset askush. Sistemi i hoteleve të shkatëruara në marsin e vitit 1997 vazhdon të mbetet në gjendje të mjeruar. Përjashtim bën "Adriatiku" i cili po restaurohet nga pronari i ri. Ndërsa "Kruja", "Durrësi" e "Butrinti" vazhdojnë t'u kujtojnë shqiptarëve marrëzinë e tyre 3 vjet të shkuara. Në këtë kaos urbanistik të vetmet që të kujtojnë se dikur këtu ka pas ekzistuar një plazh, janë rezidenca qeveritare, shtëpitë e pushimit të ushtarakëve të 2 ministrive (asaj të mbrojtjes e të rendit publik) si dhe ish-kampi i pionerëve dhënë për shfrytëzim pronarëve të rinj pa asnjë meritë mbi pronën e të gjithëve.
Plazhet ditore: Shpresë për vendasit
Nëqoftëse 5 kilometra plazh tashmë mund të quhet i ezauruar (ashtu siç është pranuar në një seminar kushtuar zhvillimit të Durrësit nga kryebashkiaku Arqile Gorea) janë 40 kilometra të tjera që presin të vihen në shërbim të pushuesve. Vija bregdetare në pronësi të rrethit të Durrësit, nis tek Kepi i Rodonit e përfundon tek Përroi i Agait, atje ku Durrësi ndahet administrativisht me Kavajën. Natyra në këtë hapësirë është treguar bujare me tepri, teksa ka krijuar një florë dhe faunë të pasur, e cila harmonizohet me formacionet e relievit që paraqitet kodrinor fushor e me formacione shkëmbore. Një kombinim të plazheve dalmate me ato mesdhetare e kanë karakterizuar këtë territor detar studiuesit dhe gjeografët e huaj dhe vendas. Kepi i Rodonit: Vazhdon të jetë i paprekur nga dora e investitorëve. Pak kush mbërrin në këtë kuotë, prej nga ku dallohet si në pëllëmbë të dorës Ulqini veçanërisht mbrëmjeve. Por për mungesë të rrugëve automobilistike vetëm të apasionuarit pas gjuetisë së peshkut me pushkë deti duken në këto anë. Deti në Rodon ka në thellësitë e tij peshqit më të shijshëm. Krapi, koca, lojba e levreku janë gjahu i pushkatarëve të detit. Në Rodon ka nisur të rikonstruktohet kisha mesjetare. Atje dallohen fare mirë gjurmët e kalasë së Rodonit ndërtuar në kohën e Skënderbeut. Sipas Marin Barletit në Rodon funksiononte pika doganore më e rëndësishme e asaj kohe. Më vonë Rodoni ra në duart e venedikasve. Pikërisht në plazhin e Rodonit Skënderbeu dhe Donika kaluan muajin e tyre të mjaltit pas martesës larg sherreve të luftës. Kushdo që e ka parë Rodonin është mahnitur nga bukuria e tij. Ky plazh kufizohet me atë të Shën Pjetrit e nuk mund ti ndash dot nga njëri-tjetri. Pikërisht këtu formacionet shkëmbore zbuten për t'ia lënë radhën plazhit të Lalëzit. Gjiri i Lalëzit. "Al Karafi" firma arabe u dashurua me bregdetin e Lalëzit, ku drurët dhe bimësia harlisen duke krijuar imazhin e një plazhi egzotik. Arabët kanë marrë 17 ha tokë për ta kthyer në fshat turistik. Por deri tashti, ndonëse shiriti për fillimin e punimeve po bën 1 vit që është prerë asgjë nuk ka ndryshuar. Por pushuesit ditorë kanë filluar të duken më shpesh në plazhin e Lalëzit. Kjo për shkak të ndërtimit të 2 rrugëve automobilistike, të cilat lidhin rrugën nacionale Tiranë-Durrës me këtë gji deti. Janë rreth 7-8 kilometra plazh që i përkasin këtij territori. Pastaj shtrihet Rrushkulli, dikur i famshëm për pishat që hynin deri në det e për rezervatin e famshëm të fazanëve. Gjatë viteve '90-të, Rrushkulli u dëmtua shumë nga dora e njeriut. Drurët u prenë pa hesap. Ferma e rritjes së fazanëve u mbyll dhe zogu i rrallë u gjuajt pa mëshirë. Në Rrushkull janë ngritur edhe ndërtime pa leje nga të ardhurit prej zonave verilindore. Sipas nënpunësve të Zyrës së Mjedisit në Durrës, natyra ka filluar të shëndoshë plagët. Bimësia dhe pemët kanë filluar të marrin vehten. Kryetari i Këshillit të Rrethit të Durrësit, Mehali Tartari thotë se "qeveria duhet të shpejtojë në vendimmarrjet e saj për prespektivën e kësaj zone, e cila rrezikon të bjerë preh e ndërtimeve pa leje. E ardhmja e shpejtë e saj duhet të jenë plazhet private sikurse po veprohet me Lalëzin". Në Rrushkull plazhistët ditorë janë të shumtë. Përveç banorëve të fshatrave rreth e rrotull si Perlati, Manza, Sukthi nuk mungojnë durrsakët e tiranasit me familjet e tyre. Por edhe këtu mungojnë shërbimet ambulante të tregtisë. Në Rrushkull janë 7 kilometra plazh halor. Bishti i Pallës. Ky plazh kufizohet me Porto-Romanon. Eshtë i gjatë 6 km dhe në të gjithë këtë gjatësi është e pranishme rëra me kokra të imta. Ky plazh është i pushtuar dhe fare pranë rërës nga grumbujt e plehrave. Ndërsa matanë rrugës që lidh Porto-Romanon me bazën detare të Bishtit të Pallës kanë nisur të ngrihen banesat e banorëve të rinj të Durrësit. Sidoqoftë ende ky plazh nëse investohet mund ta ndryshojë pamjen e tij. Bishti i Pallës më tepër është "pronë" e peshkatarëve. Grupet e peshkatarëve kanë pushtuar qendrat e zjarrit dikur të destinuara për topat e kalibrit të madh e i kanë kthyer në rezidenca të tyre. Aty ruajnë rrjetat, motorat e barkave por aty edhe jetojnë gjatë ditëve të gjuetisë.
Porto-Romano, porti i hershëm
Ende mund të dallohen në det rrënojat e skelës antike. Në Porto-Romano ndjehen fuqishëm pasojat e kombinatit kimik. Në hartat e ambientalistëve ajo rezulton me njollë të kuqe, gjë që do të thotë se është sipërfaqje me rrezikshmëri të madhe toksike. Tonelata me helme janë depozituar në tokën e Porto-Romanos. Për evadimin e tyre dhe bërjen të parrezikshme nevojiten disa milionë dollarë që shteti nuk i ka. Në këtë mbretëri helmesh, rrënojash të ish-kombinatit kimik dhe pirgjeve të plehrave, pasi aty depozitohen mbetjet e Durrësit, jetojnë njerëz. Janë të ardhurit nga zonat e tjera që kanë ndërtuar jetën pikërisht në këtë pjesë të qytetit. Këtë pjesë me plazhin, e ndajnë kodrat e Porto Romanos. Plazhi përbëhet nga gjire të vogla të cilat janë strehë e të dashuruarve por edhe e familjarëve që kërkojnë qetësi. Pas Porto Romanos shtrihet Kallmi, i cili lidhet me Currilat. Eshtë i vetmi plazh i virgjër fare pranë qytetit. Për këtë rrip detar ka projekte të cilat synojnë ta lidhin me rrugë që ende mungojnë për ta kthyer në plazhin e ri të qytetarëve durrsakë. Kallmi është shpresa e durrsakëve me të ardhura modeste. Pikërisht në Currila, dikur oazi i qetësisë kanë gëluar ndërtimet pa leje që vazhdojnë tek Vollga e përgjatë plazhit. Tonelata me leshterik kanë pushtuar bregdetin Currila-Vollga, por askush nuk kujtohet ti heqë, as pronarët e lokaleve që fitojnë jo pak duke ndërtuar pa leje në atë që dikur ishte plazhi i durrsakëve. E megjithatë bregdeti gëlon nga njerëzit që çdo ditë vazhdojnë ta frekuentojnë atë. Në Currila u gjet statuja e artë e Artemisit nga një zhytës. Ajo u shit në Milano disa milion lireta.
Stimuloni turizmin vendas
Eshtë thirrja e atyre që kanë ndërtuar hotelet më të shtrenjta në plazh. Pronari i "Grand Hotel Pameba" që para disa ditëve u klasifikua si hotel me 4 yje, thotë se "këtë vit ka pak pushues të cilësisë së lartë. Kjo për shkak se ata kanë preferuar plazhet e Antalias në Turqi, ato të Malit të Zi dhe liqenin e Ohrit për në pjesën maqedonase". Pëllumb Çafuli pronari i 2 Pamebave, njëra në Durrës dhe tjetra në Golem ndjehet i braktisur nga shteti. "Shteti duhet të bëjë një politikë proteksioniste ndaj nesh. Çelja e rrugëve detare e tokësore duhet të shoqërohet me taksa të larta ndaj atyre që preferojnë turizmin në vend të huaj. Valuta nuk duhet të shkojë jashtë shtetit". Kushdo që ka asistuar në çastin kur anijet e pasagjerëve udhëtojnë drejt Malit të Zi është befasuar me numrin e madh të pasagjerëve shqiptarë që shkojnë të pushojnë në Ulqin dhe Bar ose siç quhej dikur Tivar. Numri i atyre do të ishte disa herë më i madh nëse nuk do të qarkullonin fjalë për rrezikun e një lufte iminente në Mal të Zi. "Atje është pastër, qetësi dhe çmimet janë të ulta" janë fjalët që dëgjon nga pasagjerët kur kthehen nga bregdeti i vendit fqinj i cili me traget përshkohet për 1 orë e 30 minuta nga porti i Durrësit.
//Shqiptarja.com
Sondazhi i ditës:
Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?
-
Harris
48.4%
-
Trump
48.3%
-
S'kam mendim
3.3%
Vota total: 8486
Votat totale janë unike
Lajme të tjera
-
Koreja e Veriut kryen një provë me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi
5 Nëntor, 15:16
-
Shqipëria mikpret Ministerialin e Mbrojtjes për Europën Juglindore
5 Nëntor, 15:16
-
Zgjedhjet në SHBA, ku po i presin rezultatet Harris e Trump dhe festat që po organizojnë
5 Nëntor, 15:07
-
Policia firmos marrëveshje me postën shqiptare për goditjen e terrorizmit e kontrabandës së mallrave
5 Nëntor, 14:59
-
VIDEO/ Futet në minutën e 82-të dhe përmbys ndeshjen, si heroi Wilson i dha tri pikë Fulhamit në Premier League
5 Nëntor, 14:52
-
Qeveria: Në 1 janar 2025 do të ulim çmimin e energjisë elektrike për qytetarët
5 Nëntor, 14:33
-
Kërcimtarja më e mirë e flamenkos, nga Spanja në Tiranë. Koncerti në javën spanjolle nderon viktimat në Valencia
5 Nëntor, 14:32
-
Aksident në Bypass- in Fierit, 3 makina përplasen me njëra-tjetrën! Njëri nga drejtuesit përfundon në spital (VIDEO)
5 Nëntor, 14:25
-
'Pakot me kokainë ishin fshehur në kroskot! Shkatërrohet grupi shqiptar në Itali që trafikoi drogë me vlerë 5 milionë euro! Video e operacionit
5 Nëntor, 14:16
-
Shpërndava një video pa konfirmuar, influencuesi pro-Trump për CNN: Agjenti rus më dha 100 dollarë
5 Nëntor, 14:15
-
Juventusi në transfertë me Lille, Thiago Motta: Janë në formë të shkëlqyer
5 Nëntor, 14:07
-
Zgjedhjet presidenciale, Moska: S'jemi të interesuar kush fiton! Urojmë që populli i SHBA të kapërcejë krizën demokratike
5 Nëntor, 14:06