Qendra e qytetit përmbytet nga balta

DURRES (17/11/2000) Durrësi vetëm me dy reshje të rëna gjatë vjeshtës së dytë është mbytur nga balta dhe nga ujërat e ardhura nga kodrat e qytetit. Një situatë e tillë është krijuar si rezultat jo vetëm i bllokimit të 3 kolektorëve kryesorë të qytetit nga ndërtimet pa leje, por edhe prej dëmtimit deri në shkatërrim të bimësisë dhe pemëve, që për shumë vjet e kishim mbrojtur qytetin nga një fenomen i tillë. Ambientalisti, inxhinieri Vlash Grami, shprehet se "ka 10 vjet që në Durrës nuk është mbjellë asnjë fidan, por vetëm është shkatërruar gjithçka e gjelbërt në qytet". Qyteti bregdetar vinte pas Tiranës, pasi për çdo banor kishte 8 metra katror sipërfaqe të gjelbërt. Ndërsa sot ajo është reduktuar në 2.5 metra katror sipërfaqe të gjelbërt për çdo durrsak dhe vendin e pemëve e kanë zënë ndërtesat që kanë pushtuar mushkëritë e gjelbërta të qytetit. Grami thotë se dikur në muajt nëntor e dhjetor mbilleshin pemë kudo ku kishte sipërfaqe pyjesh apo lulishtesh, duke evituar në këtë mënyrë erozionin e duke i shtuar qytetarëve oksigjenin e pastër. Por ka shumë vjet që diçka e tillë është harruar". Sot në Durrës nga 6 lulishte - pa përmendur masivin e kodrave, ku gjelbërimi ishte gjatë 12 muajve të vitit - kanë mbetur vetëm 2 lulishte. Ndërsa pjesa tjetër është pushtuar nga ndërtimet me dhe pa leje. Sipas ambientalistit, duhen mbjellë urgjentisht pemë në kodrat e Currilave, në kodrën e vilës së Zogut si dhe në sistemin nga spitali deri në Porto-Romano, për të evituar rrjedhjen e ujërave dhe të baltës sa herë që bie shi. Gjithashtu, nuk duhen harruar vijat bregdetare nga Bishti i Pallës deri në Rrushkull, ku deti ka ndërhyrë 200 metra në tokë, pasi me qindra pemë janë prerë pa mëshirë nga sëpata që ka nisur "punën" pas vitit '91. Në këtë vijë bregdetare, deti ka ndërhyrë duke shkatërruar rreth 50 hektarë tokë, që dikur ishte masiv pyjor i konsideruar nga shteti si rezervat për gjueti shpendësh. Inxhinieri shton se "është harruar fare edhe mbjellja e pemëve dhe e shkurreve dekorative nëpër rrugët e qytetit të Durrësit". Tashmë bulevardet duken fare të zbehta, pasi mungon gjelbërimi. E gjithë kjo është një apel që i bëhet pushtetit lokal për të kërkuar e gjetur mundësi të një investimi për fidanë, të cilët mund të mbillen gjatë gjithë dhjetorit, që dikur quhej muaji i pyllëzimeve.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Milani përballet me Real Madridin, Fonseca: Jemi të motivuar, Leao luan nga minuta e parë