Sejdini, boshnjaku nga Mostari që kërcënoi Enver Hoxhën

(6/14/2001)Dëshmia e emigrantit boshnjak Elmaz Sejdini: "Me ndihmën e Myslym Ketës dhe Myslym Pezës, Hyseni mundi që të takohej me Enverin në zyrën e tij dhe gjatë debatit të ashpër ai vuri dorën tek pistoleta që kishte në brez Pas prishjes me Jugosllavinë e Titos, Enver Hoxha dha urdhër që të gjithë shtetasit jugosllavë që gjendeshin në Shqipëri, të largoheshin duke i riatdhesuar në vendin e tyre, sepse sipas tij këtu mund të ngeleshin shumë agjentë të UDB-së. Hyseni tepër i indinjuar nga ky urdhër që prekte edhe familjen tonë, pasi si emigrantë boshnjakë kishim akoma shtetësinë jugosllave, me anë të dy miqëve të ngushtë të tij Myslym Pezës e Myslym Ketës i kërkoi takim Enver Hoxhës, i cili e priti në zyrën e tij aty ku sot është Akademia e Shkencave. Gjatë debatit të ashpër në zyrën e Enverit, Hyseni tepër i acaruar vuri dorën tek pistoleta që e mbante në brez". Elmaz Sejdini i lindur në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës dhe i ardhur në Shqipëri si emigrant që nga viti 1941, tashmë në moshën 68 vjeçare, pasi ka kaluar një jetë plot vuajtje e peripecira në kampet e internimit, rrëfen për herë të parë për "Gazetën" gjithë historinë e familjes së tij dhe të dy vëllezërve më të mëdhenj Hysenit e Hakiut të cilët u pushkatuan në vitin 1951 si krerët e një grupi agjenturor të UDB-së jugosllave që kishin dashur t` i bënin atentat Enver Hoxhës. Po cila është historia e familjes Sejdini, përse erdhën ata në Shqipëri dhe përse dy vëllezërit Hyseni me Hakiun u akuzuan si agjentë të UDB-së që kishin dashur t` i bënin atentat Kryeministrit shqiptar Gjeneral-kolonel Enver Hoxhës? Largimi nga Mostari Lidhur me historinë e largimit nga vendlindja e tyre Mostari për në Shqipëri, Elmazi i fundmit i mbetur gjallë nga katër djemtë e familjes Sejdini, i cili që pas kthimit nga internimi në vitin 1991, së bashku me shtatë pjestarë të familjes së tij jeton akoma në një dhomë të vetme në një nga zyrat e Shoqtaës së të Përndjekurve Politikë, tregon:" Babai Qamili fillimisht punonte si pastiçier në një lokal të Mostarit ku banonte familja jonë. Pasi lokali që punonte babai u mbyll nga serbët, ai u detyrua që të punonte për shumë vjet në minierat që ndodheshin në periferi të Mostarit. Kjo gjë vazhdoi deri aty nga prilli i vitit 1941 kur familja jonë ashtu si mijra e mijra familje të tjera myslymane boshnjake u detyruan të shpërngulën nga trojet e tyre si rezultat i fillimit të luftës civile ndërmjet çetnikëve serbë dhe ustashëve kroatë, prej së cilës barra dhe fatkeqësitë binin mbi ne boshnjakët. Italianët të cilët asokohe kishin pushtuar një pjesë të Ballkanit, u kujdesën për boshnjakët duke i ndihmuar ata që të emigronin për në Çekosllavaki, Bullgari e Shqipëri. Në këtë kuadër edhe familja jonë që përbëhej prej dy prindërve dhe gjashtë fëmijëve, më datën 8 prill 1941 u gjend e hipur në një vaporr të madh ushtarak italian, të cilën e pritëm gjatë në portin e qytetit, pasi ai mezi u ankorua nga minat e shumta që kishin vënë gjermanët në det. Teksa vaporri italian po afrohej në afërsi të ujrave shqiptare, nisur dhe nga ngarkesa e madhe që ai kishte në bord ku ishin me mijra emigrantë boshnjakë, u vendos që disa familje të zbarkonin në portin e Durrësit. Babai Qamili kërkoi që edhe familja jonë të zbriste në Durrës, pasi ai kishte dëgjuar se prej shumë vitesh dhjetra familje myslymane boshnjake që kishin emigruar aty, ishin stabilizuar më së miri duke u integruar në jetën shqiptare. Në portin e Durrësit zbritëm dhjetë familje boshnjake dhe vaporri me emigrantët e tjerë vazhdoi rrugën për nuk e di se ku. Ne familjet boshnjake nën kujdesin e Bashkisë së qytetit, na shpërndanë nëpër hotele të ndryshme të Durrësit. Familjes sonë i takoi të banonte për dhjetë ditë në hotelin "Molla". Të gjitha shpenzimet e fjetjes, ngrënies dhe udhëtimit na paguheshin nga qeveria shqiptare e asaj kohe, kujton Elmaz Sejdini peripecitë e largimit të familjes së tij, ku ata të detyruar nga lufta civile ndërmjet çetnikëve serbë dhe ustashëve kroatë u detyruan të braktisin trojet e tyre dhe si emigrantë të vendoseshin në Shqipëri." Stabilizimi në Tiranë Po si u pritën familjet boshnjake në kryeqytetin shqiptar, çfarë ndihme patën ata nga qeveria e asaj kohe dhe cili që fati i familjes Sejdini në vitet që pasuan? Lidhur me këtë Elmazi kujton:" Pas dhjetë ditësh qëndrimi në qytetin e Durrësit, të dhjetë familjet tona boshnjake i sollën në Tiranë duke na shpërndarë nëpër shtëpi të ndryshme. Familja jonë u vendos tek shtëpia e një tiranasi të vjetër të quajtur Mehmet Daja, që banonte aty afër Selvisë. Mbasi u vendosëm aty, po nën kujdesin e qeverisë shqiptare e cila kishte marrë përsipër stabilizimin e emigrantëve boshnjakë, babai filloi punë si minator në minierat e qymyrit të Krrabës, të cilat asokohe ishin pronë e Kol Kuqalit. Gjatë asaj periudhe familja jonë u lidh tërsisht me lëvizjen antifashiste dhe vëllai i madh Hyseni pasi ishte guerilas ilegal me Myslym Ketën, doli partizan në çetën e Dajtit që komandohej nga Hamit Keçi, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ajo. Pas mbarimit të luftës, duke parë qëndrimin që kishte mbajtur familja jonë, nisur dhe nga nështetësia jugosllave, qeveria shqiptare na trajtoi si të barabartë me shtetasit e saj, e ndoshta shumë më mirë se ata. Babai vazhdoi të punonte si minator në minerat e Krrabës, kurse vëllai Hyseni ndonëse kishte qenë guerilas dhe partizan i njohur, u caktua të punonte si mekanik në uzinën Qëndrore (më pas Uzina Enver) dhe kishte të drejtën e mbajtjes së armës si shumë ish partizanë të tjerë në atë kohë. Po kështu unë vazhdova shkollën, pasi atë e kisha lënë përgjysëm në Mostar dhe ne si familje pothuaj nuk flisnim fare shqip", kujton Elmaz Sejdini mbërritjen e familjes së tij në Tiranë dhe kujdesin e qeverisë shqiptare të kohës së luftës për stabilizimin e saj, e gjithashtu asaj komuniste të Enver Hoxhës e cila i trajtoi me përparsi si shtetas jugosllavë që ishin. Incidenti me Enver Hoxhën Nga ana e qeverisë komuniste shqiptare, trajtimi me përparësi i familjes emigrante boshnjake Sejdini, vazhdoi deri aty nga viti 1948-të, kur Enver Hoxha shpalli prishjen me Jugosllavinë e Titos. Pas kësaj për familjen Sejdini filluan peripecitë e shumta me arrestime, burgime, pushkatime dhe internime që do të vazhdonin gjatë për 50-të vjet, e që ende nuk kanë përfunduar. Pas prishjes me jugosllavët Kryeministri shqiptar Gjeneral-kolonel Enver Hoxha dha urdhër që të gjithë shtetasit jugosllavë që gjendeshin në Shqipëri, të riatdhesoheshin në vendin e tyre. Lidhur me këtë në një mbledhje të Byrosë Politike ai u shpreh:" Duhet ta zbatojmë me përpikmëri këtë gjë, sepse do të na mbesin në Shqipëri shumë prej tyre që mund të jenë agjentë të UDB-së". Po çndodhi me familjen boshnjake Sejdini që kishte shtetësinë jugosllave? Lidhur me këtë Elmaz Sejdini kujton;" Urdhëri i Enver Hoxhës për riatdhesimin e gjithë nënshtetasve jugosllavë që gjendeshin në Shqipëri, e indinjoi shumë vëllain tim Hysenin dhe sidomos thënia se shumë prej nesh mund të ishin agjentë të UDB-së. Hyseni si ish partizan dhe guerilas i njohur, i kërkoi dy miqve të ngushtë të tij Myslym Ketës dhe Myslym Pezës që t` i rregullonin një takim me Enver Hoxhën. Enveri e priti Hysenin në takim tek zyra e tij aty ku sot është Akademia e Shkencave. Hyseni zhvilloi një debat të ashpër me Enver Hoxhën dhe ndërmjet të tjerash i tha:" Unë kam dalë partizan e kam luftuar për Shqipërinë e për ty dhe jo për Titon. Si do të na dërgosh ti në Jugosllavi? Si mund ta thuash ti atë fjalë se do t` i përzesh boshnjakët nga Shqipëria sepse janë agjentë të UDB-së". Pas këtyre fjalëve që Hyseni i tha me ton të lartë dhe tepër i acaruar, ai vuri dorën në pistoletën që mbante në brez. Menjëherë pas kësaj ndërhyri Koci Xoxe me dy oficerë të Sigurimit të cilët ndodheshin në paradhomën e kryeministrit dhe i vunë prangat Hysenit duke e arrestuar brenda në zyrën e Enverit", kujton Elmazi incidentin e vëllait të tij Hysenit në zyrën e Enver Hoxhës, gjë e cila do t` i kushtonte jetën atij dhe vëllait tjetër Hakiut. Gjygji: Hyseni dhe Hakiu me pushkatim Pas incidentit në zyrën e Enver Hoxhës, emigranti boshnjak Hysen Sejdini u arrestua dhe u dërgua menjëherë në hetuesinë e Tiranës tek Selvija. Lidhur me këtë Elmazi kujton:" Pas arrestimit të Hysenit, Sigurimi i Shtetit arrestoi dhe Hakiun që e kishim vëlla nga babai (me nënë tjetër) duke e çuar dhe atë në hetuesi bashkë me Hysenin. Dy hetuesit e Hysenit ishin Xhavit Struga dhe Halit Kosova të cilët e mbajtën atë për 18 muaj në birucat e Drejtorisë së Punëve të Brendëshme tek Selvija dhe godina tjetër tek Pazari i Ri. Hyseni akuzohej prej tyre se ishte agjent i UDB-së dhe kreu i një grupi kriminal që kishte dashur që t` i bënte atentat Enver Hoxhës. Për ta pranuar atë akuzë, Hysenit i bënë tortura të tmershme deri sa i thyen edhe këmbën. Pas 18 muajsh hetuesie më 12 janar të vitit 1949, Hyseni doli në gjygj së bashku me pesë persona të tjerë që ai nuk i njihte fare. Ata ishin të futur nga Sigurimi dhe deklaruan në gjygj se ishin pjestarë të një grupi kriminal të rekrutuar nga UDB-ja jugosllave dhe kishin pasur si qëllim që t` i bënin atentat Enver Hoxhës, gjë të cilën e kishte marrë përsipër ta kryente kryetari i tyre Hysen Sejdini. Asokohe ishte arrestuar dhe Ministri i Brendshëm Koci Xoxe dhe Hyseni akuzohej se ishte agjent i jugosllaveve së bashku me Kocin. Kryetar i atij gjygji ishte Josif Pashko dhe prokuror Bexhet Mema, kurse për të mbrojtur Hysenin ishin caktuar avokatët Stringa dhe Bidoshi. Gjygji në ngarkim të këtij "grupi" vazhdoi për 15 ditë dhe në të gjitha seancat Hyseni nuk e pranoi asnjëherë akuzën. Gjatë mbrojtjes së tij ndërmjet të tjerash ai u shpreh:" Unë nuk e kam njohur kurrë as Titon dhe as Enver Hoxhën, por kam dalë partizan dhe kam luftuar vetëm për lirinë e Shqipërisë që na priti me bujari ne emigrantët boshnjakë. Në përfundim të gjygjit trupi gjykues dha dënimin me vdekje për dy vëllezërit Hysen dhe Haki Sejdini, kurse pjestarët e tjerë të atij "grupi" u dënuan me dënime të lehta nga dy muaj deri në tre vjet", kujton Elmazi gjygjin e inskenuar kundër dy vëllezërve të tij në janarin e vitit 1949 të cilët u dënuan me pushkatim të akuzuar sikur kishin dashur t` i bënin atentat Enver Hoxhës. Peripecitë e familjes boshnjake Pas dhënies së dënimit me vdekje, Hyseni me gjithë Hakiun bënë apelim për falje jete në Kuvendin Popullor, i cili nuk jua aprovoi, duke lënë në fuqi vendimin për pushkatimin e tyre. Lidhur me këtë Elmazi kujton:" Nga dita e dhënies së dënimit me vdekje, Hyseni me Hakiun u lanë për tre vjet në burgun e Tiranës në pritje të ekzekutimit, ku ne shkonim dhe i takonim sipas mundësive që na krijoheshin. Duke pasur parasysh mardhëniet tepër të acaruara ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, qeveria shqiptare e kishte të vështirë pushkatimin e tyre, pasi ne akoma mbanim nënshtetësinë jugosllave dhe kjo gjë do të sillte pështjellime të reja ndërmjet dy vendeve. Po ashtu dhe heqja e nënshtësisë jugosllave nuk mund të bëhej pa kërkesën tonë. Si rezultat i kësaj më 23 prill të vitit 1951, familjes sonë i dhanë nënshtetësinë shqiptare pa na pyetur fare ne. Pas katër ditësh, Hysenin dhe Hakiun i pushkatuan në Breg të Lumit dhe pas dhjetë ditësh neve na e treguan vetëm vendin e ekzekutimit, pasi kufomat e tyre nuk lejohej që t` i merrnim. Pas pushkatimit të dy vëllezërve, familjen tonë e internuan në Memaliaj ku ne punuam në minierë deri në vitin 1954 kur na hoqën që andej dhe në dërguan në minierën e Kamit në Tropojë ku qëndruam deri në vitin 1958. Pas kësaj na dërguan në minierën e Kurbneshit ku qëndruam deri në vitin 1964, kur na hoqën që andej dhe na dërguan në Krrabë. Në minierat e Krrabës punuam deri në vitin 1991, kur filluan ndryshimet politike në Shqipër", kujton Elmazi peripecitë e familjes së tij nëpër minierat e ndryshme të vendit, ku ju vdiqën dhe dy prindërit (Qamili me Aishen) të cilëve akoma nuk ju dihet varri, pasi si të internuar që ishin ata i varroste shteti. Takimi me Presidentin Izetbegoviç Me fillimin të proçeseve demokratike në vitin 1992, pasi mori një letër nga Muharrem Zejnullahu (konsulli boshnjak në Tiranë) Elmaz Sejdini shkoi në Bosnje dhe me ndihmën e kushërinjëve të tij u takua me Presidentin Alia Izetbegoviç, të cilit i kërkoi shtetësinë boshnjake dhe riatdhesimin e familjes së tij në Mostar." Presidenti Izetbegoviç më tha të bëja dokumentat", kujton Elmazi i cili që nga ajo ditë është gjithnjë në pritje të asaj kërkese, duke shtyrë ditët në një gjendje tejet të mjeruar së bashku me shtatë pjestarët e tjerë të familjes, aty në një zyrë të katit të dytë të Shoqatës së Përndjekurve Politikë, duke mos harruar për asnjë çast që të falenderojë Osman Kazazin dhe Kurt Kolën, që nuk e kanë ngacmuar për ta nxjerrë që andej në rrugë të madhe.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm