Shqiptari që nxorri minerale edhe nga uji

(28/11/2000)U kthye nga Leningradi në vitin 1950, duke shënuar kë-shtu dhe të parin student shqiptar që mbaroi studimet për Gjeologji në Rusi. Profesor Zihni Sinoimeri njihet prej një brezi të tërë moshatarësh të tij, si pionieri i parë i gjeologjisë shqiptare. Në të njëjtën mënyrë kujtohet dhe nga shumë ish-studentë të tij, të cilët sot punojnë në pikat kyçe të gjeologjisë shqiptare. Pasionin e tij për mineralet ia rrënjosi dhe djalit të madh Agimit, ndërsa i vogli devijoi pjesërisht nga rruga e të atit, i mbaroi studimet për gjeografi. Familja e tij jetonte me punën e tij. Gruaja dhe dy djemtë gëzoheshin po aq sa ai, kur, pas një ekspedite të gjatë në zonat e thella të vendit, ai kthehej në shtëpi i lodhur dhe me një fyturë të hequr nga pagjumësia. Gjithsesi, sytë përherë i pasqyronin gëzimin, toka e të parëve iu kishte dhuruar me bollëk mineralin që kërkonin... Fillimet Ai u kthye nga Moska së bashku me katër studentë të tjerë shqiptarë, Skënder Deden, Hasan Tepçiun, Ziver Mekon dhe Teki Biçakun. Një marrëveshje e nënshkruar mes Ministrisë së Industrisë së Shqipërisë dhe Ministrisë së Gjeologjisë dhe të Naftës së Bashkimit Sovjetik i ktheu në atdhe 5 studentët shqiptarë. Ata do të punon përkrah specialistëve sovjetikë në ekspeditat e para gjeologjike, pikërisht në verën dhe vjeshtën e vitit 1950. Ekspeditat u zhvilluan në zonën e Mirditës në kërkim të mineralit të bakrit. Ato zgjatën deri në mesin e muajit nëntor, pas kësaj studentët u rikthyen në Rusi për të vazhduar studimet. Profesor Zihni Sinoimeri ka qenë i pari student shqiptar që mbaroi studimet pas çlirimit të vendit. Në periudhën e mbretërimit të Zogut, si gjeolog kishte mbaruar vetëm një person, Sulo Klosi. Profesorin Klosi askush prej studentëve, përfshi këtu edhe Zihniun nuk pati fat ta njihte dhe të punonte nën këshillat e tij. E kishin burgosur dhe më pas e kishin pushkatuar. Profesori tjetër, që është marrë me gjeologjinë, ishte Injac Ndoja, por ai kishte mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku pas mbarimit kishte devijuar nga shkenca, për të cilën ishte diplomuar. Pas mbarimit të studimeve, Zihniu punoi në Ministrinë e Minierave, ndërsa pas krijimit të Shërbimit Gjeologjik, më 31 gusht 1952, ai emërohet drejtor i Përgjithshëm i këtij shërbimi. Nga viti 1955 deri në '57-ën, ai kreu detyrën e kryegjeologut. Pas kësaj, ai kaloi në Fakultetin e Inxhinerisë, me detyrën e kryetarit të Degës Gjeologjike dhe më pas u bë shef i Katedrës së Vendburimeve të Mineraleve të dobishme. Vitet e para ekspeditat në vend bëheshin nga specialistë rus dhe polakë, të cilët edhe studimin e kampionëve e bënin në laboratorët e tyre në Moskë, Leningrad dhe Varshavë. Pas vitit 1954, sipas një marrëveshjeje midis Qeverisë shqiptare dhe asaj sovjetike ekspeditat kaluan në përbërje të Shërbimit gjeologjik shqiptar. Karriera Ndërkohë që në vitet '50 i është dhënë një rëndësi e madhe mineraleve të dobishme, sidomos naftës, profesor Sinoimeri gjatë viteve '55-'56 i kushtoi kohën e tij më të madhe mineraleve të çmuar, sidomos arit dhe fosforiteve. Më pas profesor Zihniu i ndihmuar dhe nga profesor Teki Biçaku në bashkëpunim me dy akademikë sovjetikë punuan për hartimin e planit prespektiv për periudhën 1957-1975. Ai iu rikthye edhe njëherë Rusisë, në vitin 1957, ai shkoi atje për të mbrojtur doktoraturën për fosforitet në Institutin e Kërkimeve Gjeologjike në Moskë. Doktoraturë që i mbeti përgjysmë, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Për këtë arsye ai nuk e mori dot titullin docent. Zihniu punoi për më shumë se 40 vjet me radhë për kërkimet e studimet gjeologjike dhe përgatitjen e gjeologëve dhe specialistëve të rinj. I biri Endrra e tij e madhe ishte që dhe dy djemtë të studionin për gjeologji. Kjo ëndërr u realizua vetëm nga djali i madh i tij, Agimi, i cili aktualisht punon si pedagog në katedrën e Fakultetit të Gjeologjisë. I biri tregon se fillimet e gjeologjisë shqiptare kanë qenë shumë primitive. Viheshin stenda me minerale të dobishme nëpër shkolla, sidomos në ato të fshatit. Mineralet që dallonin nëpër stenda ishin ato të cilat kishte shumë mundësira që të gjendeshin në atë zonë. Ata që bënin njoftimet dhe sillnin kampionët nuk ishin gjeologët dhe ekspeditat, por nxënës, fshatarë dhe në më të shumtën e rasteve barinj. Ndërkohë që studentët shqiptarë kanë qenë gjithmonë të mirëpritur në universitetet jashtë vendit, për 15 vjet me radhë asnjë student i gjeologjisë nuk u nxorr jashtë për specializime. Udhëheqja kishte frikë se mos spiunoheshin vendburimet e mineraleve të dobishme dhe atyre të çmuar. I biri tregon se mjetet e atëhershme të punës kanë qenë primitive, vegla kryesore ka qenë çekiçi dhe sita, megjithatë është bërë një punë kolosale. E ndërkohë që punonte me gjithë shpirt i zhytur në pasionet e tij, sa herë që shefat e vetë ndeshnin në rezistencën e tij për të bërë ose jo veprime që kishin lidhje me punën e tij, nuk rrinin pa i kujtuar se ai ishte nip i Dervish Sinoimerit, nga Gjirokastra. Drevish Sinoimeri ishte daja i tij, i cili ishte arratisur në Amerikë ku kishte formuar komunitetin e Bektashinjve. Hija e të kaluarës gjithsesi fashitej, sepse vetë Zihniu kishte marrë pjesë në luftë që në moshën 13-vjeçare, duke shërbyer si korrier i njësiteve guerile. Gruaja Gruaja e tij, Dodona, e kujton të shoqin jo vetëm me nostalgji, por dhe me respekt. Ajo është martuar me Zihniun me dashuri, kur ajo ishte ende studente. E ka shoqëruar të shoqin sa herë kishte pushime nëpër ekspeditat e largëta që bënte. Ajo tregon se ai ishte një njeri i dhënë pas punëve. I pëlqente të merrej gjer në orët e vona të natës me studimin e kampionëve të mineraleve. "Ishte kaq i pasionuar pas gurëve, sa shpesh i thosha që ai më shumë donte gurët e tij sesa fëmijët", tregon ajo. Në shtëpinë e tij, kampionët e mineraleve nuk kanë munguar kurrë. "Një herë i mora të gjithë gurët dhe i pastrova. U mërzit shumë. Nuk e dija se nga lagështira ata oksidoheshin", vazhdon tregimin e saj ajo. Kolegët tregojnë se profesor Zihniut nuk i thoshte njëherë goja jo, ai nxirrte minerale edhe nga uji. Ishte gjithmonë optimist për kërkimet e tij. I adhuronte ekspeditat dhe kishte marrëdhënie të shkëlqyera me kolegët e tij. "Mbaj mend që, dikur bëhej një festë me rastin e Vitit të Ri. Thuhej se do të shpërndaheshin dhe shpërblime. Unë e kisha dëgjuar thashethemin dhe në veten time kisha filluar të ëndërroj se çfarë do të blihej me të. Në atë kohë na mungonte një dhomë gjumi. Ishim në festë kur shpërblimet filluan të shpërndaheshin. Ai u përkul drejt meje dhe më tha, dëgjo mua do të më japin shpërblim, por nuk do ta mbaj për vete. Ki kujdes se mos bësh ndonjë shenjë nervozizmi. U trishtova, por kur ai shpërndau shpërblimin për bashkpuntorët me të cilët punontenë ekspeditat e tyre të pafundme dhe pashë se si e falenderonin u qetësova. Im shoq më thoshte; ata e meritojnë, sepse ti nuk e di se sa i mundoj unë gjatë punës. Rrinë përmbys gjithë ditën me çekiç në dorë. Unë i mundoj shumë e megjithatë ata nuk thonë kurrë jo", tregon Dodona. Zakoni i tij për të punuar pas mesit të natës e shoqëroi gjithë jetën. "Unë flija, ndërsa ai bënte analizat e kampionëve në dhomën tjetër. Ka ndodhur që ndonjëherë pas mesnate më ka trembur shumë. Në kampionët që ishte duke studiuar zbuloi squfur. Erdhi në dhomën time dhe më goditi me çekiç, shikoje më tha është squfur, zbulova se atje ka squfur", rrëfen Dodona. Zhgënjimet Në punën e tij të gjatë gëzimi i vetëm kanë qenë marrëdhëniet me shokët dhe kolegët e punës. Nuk kanë qenë të rralla edhe zhgënjimet. Pas viteve '60, kur marrëdhëniet me Kinën u forcuan nuk munguan të vinin edhe specialistë kinezë, si në të gjitha fushat edhe në Gjeologji. Grupi i parë i ekspertëve që erdhën nga Kina kryesohej me një bashkëmoshatar të profesor Zihniut. Kishin mbaruar të dy shkollën për gjeologji në Leningrad. "Kolegu kinez sa e pa e takoi dhe pyeti, kur keni profesorë të tillë si Zihniu, ne pse ju duhemi. Vetë Zihniu u trishtua shumë. Më tha pse ky ka ardhur të më mësoj mua. Të paktën të ishte dikush që të mos e njihja, ndërsa ky ka mbaruar me nota shumë të ulëta në Leningrad", tregon e shoqja, Dodona. Pas vitit 1975, profesor Zihniun e larguan nga fakulteti. Ai u emërua në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës, ku edhe doli në pension. Me largimin e tij nga fakulteti u prishën edhe ekspeditat. Njerëzit që deshi më shumë ishin kolegët e tij që gërmonin me një çekiç në dorë në kërkim të mineraleve. Për afro 30 vjet, ai udhëhoqi punën në kërkim të të gjitha tipeve të mineraleve si Platini dhe Ari. Ai së bashku me kolegët e tij bashkëkohës zbuluan vendburimet e Gjazujt, Babjes, Qafë Dardhës, Qafë Shulit. Emri i tij është i njohur nga shumë kolegë, por edhe nga studentët e të gjitha brezave, sepse ai njihet si hartues i shumë teksteve mësimore. Nga studimet e tij të fundit spikat ai i botuar në 1984 me temën, "Studim mbi prespektivat e kërkimit për ar në Republikën e Shqipërisë". Vitet e fundit Profesor Zihniu vdiq në një moshë të re. Ai mbylli sytë në moshën 68-vjeçare në vitin 1993. "Vdiq i trishtuar", tregon i biri Agimi. Në atë kohë djali i madh sapo ishte kthyer nga studimet pasuniversitare në Francë. "Unë paguhesha mirë, por pensioni i atij ishte shumë i ultë. E shikoja që e bluante në vetvete. Meritonte më shumë. Veç profesionit të tij, kishte pasion edhe ushqimet, i pëlqente të hante mirë. Në familjen tonë gjithmonë frutat bliheshin me arka. Pas demokracisë e shikoja që e vrau ky ndryshim", tregon djali i madh. Fëmijët i rriti në një shtëpi të thjeshtë. Pretendimeve të gruas së tij për një jetë më të mirë gjithmonë i përgjigjej, të tjerët s'kanë shtëpi, ndërsa ti ankohesh kot. Megjithatë, gjurmët e një jete të thjeshtë pasqyrohen ende në shtëpinë e tyre mikpritëse. Gruaja duarshkathët, me të cilën ai u martua me dashuri, servir pijet me dy duar të plakura, ku spikat vetëm një unazë e hollë prej ari. Kur e pyesim me të qeshur se çfarë unaze i dhuroi i shoqi që punoi prej 30 vjetësh në ndjekje të mineralit të çmuar, ajo qesh. Nuk i ka dhuruar asgjë më shumë përveç dashurisë dhe respektit për të. Unaza jo se jo, ndonëse në shtëpi hynin dhe dilnin kampione të mineralit të çmuar. "Më tregonte ndonjëherë epruvetat ku e mbante arin. Ishte si pluhur, vetëm kaq", shprehet ajo. Pas kaq vjetësh mungesë, ai bëhet prezent mes kolegëve sa herë që ju duhet një ndihmë. Eshtë në librat e tij studimor, në punën e tij, të cilës i kushtoi edhe jetën. Brenda gjithë broshurave të tij, studimeve, kërkimeve, teksteve shkollore, fshihen gjurmët e lodhjes. Zonave të egra, ku bashkë me kolegët e tij ai ngjitej për t'i vjedhur mineralin malit. Ai zbuloi mjaft zona të reja mineralmbajtëse nga Veriu në Jug të vendit. Ai ka lënë gjurmët e duarve të tij që nga bjeshkët e Rupës së Tropojës në Munellë të Pukës, në Kaçinar të Mirditës, në Qafë Dardhë të Matit. Me çekiçin e tij të dashur, ai ka trokitur në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, në kërkim të mineraleve dhe i qetë brenda idealeve të tij.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

BBC: Si u kthye Donald Trump nga humnera politike?