"Si më përdhunoi polici special"

(6/7/2001)Një polic i grupeve të gatshme në Komisariatin e policisë së Gjirokastrës akuzohet si përdhunues i një të miture. Ai quhet Eduard Balili 31 vjeç dhe me urdhër të prokurorisë së Vlorës, është arrestuar natën e së shtunës në orën 22.00, në qytetin më jugor të vendit. Por jo vetëm kaq. Sipas denoncimit që E.M. ka bërë në polici, Balili ka tentuar me dhunë që ta çojë adoleshenten prostitutë në Greqi. Ndërkohë në hetim janë futur edhe pjesëtarë të tjerë të forcave policore në prefekturën e Gjirokastrës, si dhe një trafikant i fuqishëm femrash dhe droge. Po sipas rrëfimit të E.M, nxënëse në vitin e parë të njërës prej shkollave të mesme në qytetin e Vlorës, ish-pjesëtari i forcave speciale të Dragobisë në Tepelenë, Eduard Balili, ka "futur" shokët e tij për ta përdhunuar. Ai, së bashku me 2 persona të tjerë që vazhdojnë të hetohen nga policia kriminale, e kanë marrë peng për 2 ditë të miturën dhe e kanë përdhunuar në një shtëpi në qytetin e Tepelenës, në përpjekje për ta nisur si prostitutë drejt vendit fqinj. Por 2 ditë më parë gjykata e rrethit të Vlorës e ka nxjerrë nga qelitë Balilin, duke e lënë në hetim të lirë. Kaq ka mjaftuar që familjarët e vajzës së përdhunuar të revoltohen dhe të nisin ankesat e para. E njëjta situatë ka qenë edhe mes krerëve të Ministrisë së Rendit Publik, të cilët po përgatisin një ankim të fortë te presidenti dhe kryeministri i vendit ndaj vendimit skandaloz të gjykatës së Vlorës. Ndërkohë prokuroria dhe policia "kanë në dorë" jo vetëm denoncimin e vajzës adoleshente, por edhe raportin e mjekëve gjinekologë që vërtetojnë përdhunimin. Rrëfimi i plotë Më datën 1 shkurt të vitit 2001, Eduardi më ka pritur gjatë dhe pastaj më ka takuar përpara shkollës në qytetin e Vlorës. Më tha se donte të bisedonte në një lokal dhe se kishte për të më dhënë një pako që ma kishte dërguar babai. Kam hipur në makinën e tij (me frikë, sepse kisha kohë që e kisha kuptuar se ai nuk do martohej me mua, si më kishte premtuar, por më donte vetëm për të më shfrytëzuar) dhe kemi shkuar në drejtim të Skelës. Jemi ulur në një lokal dhe, mes bisedave të ndryshme, më tha se duhet të shkonim në Greqi. Unë i thashë se nuk mund ta bëja këtë gjë, pasi kisha shkollën për të mbaruar dhe familja nuk më linte, aq më tepër që ne nuk jemi të martuar. Por ai vazhdoi përpjekjet për të më mbushur mendjen, duke e argumentuar vajtjen tonë aty si një mundësi për një jetë më të mirë dhe për të krijuar familje. Pasi kundërshtova, i kërkova Eduardit që marrëdhëniet ose t'i ndërprisnim, ose t'u thoshim familjeve për lidhjen dhe të fejoheshim. Ai nuk foli. Pimë kafet dhe u nisëm për në drejtim të shkollës. Kur mbërritëm përpara saj, i kërkova pakon që më tha se ma kishte dërguar babai. Por ai më tha me zë të egër: "Nuk ke për të zbritur, ti do të vish me mua." Bllokoi të gjitha dyert e makinës dhe u nis me shpejtësi. I kërkova të më zbriste edhe duke iu lutur, edhe duke e paralajmëruar se shoqet e mia e dinin që isha me atë. Por ai më qëlloi me grushta dhe pëllëmbë, duke më kërcënuar se do më vriste. Pashë duke qarë që ishim nisur me shpejtësi drejt Fierit. Kur arritëm aty, më çoi në një shtëpi për të cilën më tha se ishte e hallës së tij. Qëndruam disa orë gjatë të cilave ai vazhdoi të më bënte "politikë" që unë të shkoja me të mirë në Greqi, se më donte...Unë vazhdova të mos pranoja. Pastaj erdhën disa shokë të tij. Njëri quhej Rudi dhe ishte veshur me uniformë lara-lara, si ato që mbajnë ata të forcave speciale, kurse 2 të tjerët, Bledi dhe Filip. Këtë të fundit e njihja, sepse ishte nga fshati ynë. Ata bënin biseda që më tmerruan. Flisnin për trafiqe femrash dhe drogë. Pastaj të gjithë hipëm në makinë dhe u nisëm për në qytetin e Tepelenës. Më çuan në një shtëpi aty ku kam kaluar 2 ditë të tmerrshme. Fillimisht Eduardi vazhdonte të sillej normal. Më prezantonte përpara shokëve si nusen e ardhshme, se do të shkonim së bashku në Greqi ku do të punonim dhe do të fitonim shumë lekë. Pastaj do martoheshim, do krijonim familje, do kishim shtëpinë tonë dhe shumë gjëra të tjera të cilat unë nuk i besoja më. Mendja më punonte vetëm si të shpëtoja nga ata. Kisha shumë frikë se më vrisnin a më bënin ndonjë gjë tjetër të keqe. E vetmja shpresë ishte fakti që shoqet e dinin se kisha hipur në makinë me të dashurion tim, Eduardin. Ai aty në shtëpi më tregoi një pasaportë me emrin dhe fotografinë time që kishte një vizë greke. I kërkova të ma jepte, por nuk pranoi. Përfundimisht u binda se isha nisur për të punuar si prostitutë. Pastaj ai ma tha këtë gjë hapur. Nuk pranova. I kërkova të ndaheshim përfundimisht dhe të më linte të ikja, dhe i thashë që shoqet dhe njerëz të tjerë e dinin që isha me të. Ai më rrahu, duke më goditur gjith andej. Pastaj më futi në një dhomë të shtëpisë. Pas pak hyri Rudi, ai djali që ishte i veshur si polic special. Pasi më kërcënoi dhe më këshilloi që të bëja atë që donte Eduardi, duke përdorur forcë, më përdhunoi. Nuk dija çfarë të bëja. Qava gjithë natën. Doja vetëm të kthehesha në shtëpi. Kisha shumë frikë se mos më çonin vërtet në Greqi për t'u më bërë prostitutë. Më datën 3 shkurt 2001, pas 2 ditësh që s'kam për t'i harruar gjithë jetën, vendosën të më kthejnë në Vlorë. Të tre bisedonin gjatë nga dhoma tjetër. Duket u trembën ngaqë unë ngulja këmbë se shoqet e dinin që isha me Eduardin dhe ato e njihnin që ishte nga fshati im, dhe se punonte polic në Gjirokastër. Kur mbërritëm në Vlorë, Eduardi më kërcënoi: "Mos i trego njeriu për të këto 2 ditë, ndryshe do të kesh pasoja të rënda. Askush nuk duhet ta dijë se ke qenë me mua, ku ke qenë dhe çfarë ke bërë. Mua mos më përmend kurrë. Për këto ditë shoqeve dhe njerëzve të familjes thuaju se ke qenë te shtëpia e ndonjë shoqeje...Mua këtu më ke dhe, nëse do të flasësh, kam për të ta nxirë jetën. Greqia të pret." Ua tregova të gjitha shoqeve më të ngushta. Të nesërmen me njërën prej tyre vajta në polici. Takova një inspektor të policisë kriminale, i cili më mori një kallëzim (Gazeta disponon fotokopjen e këtij denoncimi). I kërkova atij që të paktën Eduardi të mos më shqetësojë më. Por nuk ndodhi kështu, dhe policia nuk bëri asgjë. Ata vazhduan të më ngacmojnë dhe të më bëjnë presion për të mos folur dhe për të më çuar në Greqi. U detyrova t'i tregoja gjithçka familjes. Ata u shqetësuan shumë dhe nisën të bëjnë përpjekje për ta zgjidhur këtë problem. Di se njerëzit e shtëpisë sime kanë pasur shumë kërcënime që ta mbyllnin këtë çështje, por ata nuk mund t'ia falnin Eduardit, aq më shumë për faktin se ai është nga fshati ynë. Ndërkohë ata (shtëpia) e kanë ditur që unë kisha marrëdhënie me Eduardin. Nuk jam pishman që nuk u martuam, sepse vazhdimisht më ka gënjyer. Por unë nuk e meritoja atë që donin të më bënin ai me shokët e tij, duke më çuar në Greqi si prostitutë dhe të më shkatërronin jetën.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie