Sërish 1 ton drogë nga Durrësi

(1/12/2001)Më shumë se një tonelatë marihuanë dhe hashash, që në treg kapnin shumën e 10 miliardë liretave, u sekuestruan në Portin e Ankonës nga Guar-dia di Financa. Edhe një herë droga ishte nisur nga Porti i Durrësit, pa u vënë re nga Policia Shqiptare. Gjithashtu u arrestua një shqiptar, 30 vjeç, dhe shoferi i kamionit në të cilin ishte fshehur droga. Për zonën e Markeve dhe veçanërisht për Portin e Ankonës -që prej vitesh është kthyer në një nga pikat më të prekura nga trafiku i lëndëve narkotike- kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar deri tani. Kamioni ka zbritur nga anija "Egitto Expres", e cila edhe kësaj radhe është nisur nga Porti i Durrësit. Në këtë port kamioni kishte kaluar të gjitha procedurat, sipas rregullave, dhe kishte kaluar edhe filtrat e policisë, që shtohen nga dita në ditë. Dyshimet e para Fakti që kamioni ka qenë bosh, ka ngjallur dyshimet e policisë portuale. Kjo e fundit menjëherë ka marrë masa dhe ka nisur kontrollin e mjetit, e ndihmuar edhe nga qeni i specializuar për këtë detyrë, Fogar. Bëhet fjalë për të njëjtin qen që tri ditë më parë kishte zbuluar 10 kilogramë heroinë, të cilat kishin mbërritur nga Greqia. Qeni Fogar ka nuhatur diçka të dyshimtë brenda rimorkios. Kjo ka bërë që agjentët të binden se diçka nuk shkonte. Ata kanë shtuar kontrollet dhe kanë zbuluar se kamioni kishte një dysheme të madhe të dyfishtë, ku ishte sistemuar droga. Janë dashur orë të tëra punë për të shkarkuar gjithë sasinë e drogës. Bëhej fjalë për 1232 pako me marihuanë, me peshë gjithsej 1261 kilogramë, dhe 336 pako hashash, që peshonin 88 kilogramë. Gjithsej janë zbuluar e sekuestruar 1349 kilogramë substanca narkotike. Policia ka arrestuar menjëherë shoferin. Ky i fundit, sipas agjencisë ANSA, do të merret intensivisht në pyetje. Qëllimi është të zbulohet destinacioni përfundimtar që duhej të kishte droga, si dhe vendi nga ku ishte marrë. Sipas hetimeve të kryera deri tani si nga Policia Shqiptare, por kryesisht nga ajo Italiane, nuk bëhet më fjalë për raste sporadike të kalimit të drogave të ndryshme në anën tjetër të kufirit. Kjo vërtetohet edhe nga taktikat pothuajse të njëjta që përdoren për këtë qëllim. Kështu, një javë më parë, po në Itali u sekuestruan 20 kilogramë heroinë. Një 37-vjeçar me mbiemrin Dinxhi, kishte kaluar nga Porti i Durrësit me një kamion bosh. Sipas dokumenteve, ai po shkonte në Bari për t'u furnizuar me sende zbukurimi për Vitin e Ri. Por, kur ka mbërritur në këtë port, Policia Kufitare Italiane ka dyshuar nga kamioni i boshatisur dhe ka ushtruar kontroll të imët. Në përfundim, i janë gjetur 20 kilogramë heroinë. Edhe për këtë çështje vazhdojnë hetimet, ashtu si për 3 tonët e drogës së kapur pak ditë më parë në shtetin përtej Adriatikut. Tre tonë një javë më parë Edhe në 3 tonët e kapur një javë më parë, droga ishte fshehur në një kamion, i cili kishte kaluar nga Porti i Durrësit. Ato u zbuluan në fuçi boshe birre, të cilat do të mbusheshin në Gjermani. Kamioni po kalonte tranzit në Doganën e Durrësit, pasi ishte vulosur më parë nga ajo e kryeqytetit. Droga e tipit marihuanë, që përbën një nga sasitë më të mëdha të zbuluara ndonjëherë, u kap sapo zbarkoi në Portin e Barit. Pra u zbulua që në filtrin e parë të Policisë Italiane, ndërkohë që kishte kaluar të gjithë filtrat shqiptarë. Në këtë rast u morën masa, duke pezulluar kreun e Doganës së Tiranës, Fatos Abazi, dhe atë të Durrësit, Lula Njebza, si dhe 6 doganierë të turnit. U deshën vetëm pak ditë për të vërtetuar që masat e marra nuk kanë qenë aspak efikase. Vetëm uniformat blu përbëjnë organin që ka të drejtë dhe detyrë të kontrollojnë çdo lloj trafiku. Në fakt edhe ndaj tyre u morën disa masa, të cilat ende nuk kanë dhënë rezultat.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie