Të gjithë kanë frikë nga "gjeneral" Kulla

(12/10/2000)Asnjë nga shtatë dëshmitarët, e ardhur në seancën gjyqësore ndaj të pandehurit Nehat Kulla, nuk ka dëshmuar kundër tij. "Nuk e kemi parë, nuk mbajmë mend, s'e dalluam dot", kanë qenë përgjigjet e personave të pyetur për identifikimin e njeriut që e kanë parë duke qëlluar. Sandër Llaçi, ish-polic i repartit special të Briskut ka treguar historinë se si një furgon i mbushur me kolegët e tij është gjendur në një lumë breshërish. Ngjarja ka ndodhur pasditen e datës 22 qershor të vitit 1997. Ka qenë ora rreth 20.00, kur fugoni i policisë po bënte shpërndarjen e zakonshme të punonjësve. Papritur një makinë ka hedhur drita të forta në drejtim të tyre dhe dy breshëri të forta automatiku kanë mbuluar furgonin me plumba. Sandër Llaçi kishte mbetur i plagosur në kokë. "Pashë që makina ishte ushtarake, dhe pesonat në të ishin të veshura me rroba ushtarake, por pamjen e kisha të turbullt". Më pas kishte rënë në gjendje të rëndë në dyshemenë e furgonit, dhe sytë i kishte hapur vetëm në spital. Zëvendësministri i Rendit në atë kohë, Agim Shehu, i kishte thënë se "vrasësi i tij ishte Nehat Kulla". Katër vetë kishin mbetur të plagosur në këtë tentativë. Edhe dy dëshmitarët e tjerë, Astrit Marku dhe Shkëlqim Hasa kanë rrëfyer pothuajse të njëjtat gjëra, para togave të zeza. Asnjëri nga këto persona nuk pohoi që kishte parë Nehat Kullën të qëllonte. Akuza tjetër që ka të bëjë me vrasjen e shtetasit Fatmir Thaçi, ka përfunduar me lëshimin e një urdhër-arresti për dëshmitarin Ardian Frexhaj, i cili jo vetëm që ka mohuar praninë e Kullës në grupin që ka hyrë në lokal dhe kryer vrasjen, por ka thënë edhe emrin e një personi tjetër, që, sipas tij, ishte vrasësi i vërtetë. Prokurori Hoxha, e ka akuzuar për dëshmi të rreme. Në polici ai kishte pohuar se vrasësi ishte Nehat kulla dhe jo Naim Zyberi, siç deklaroi dje para trupit gjykues. Ndërsa dëshmitarët Andrea Vorfi dhe Avni Faruku kanë deklaruar se nuk mbajnë mend të kenë parë Nehatin në grupin e djemve. Shoferi i taksisë Gëzim Zira, i cili ishte sharë e rrahur, ndërsa po lëvizte në rrugën "Siri Kodra", ka mohuar këto veprime. Sipas tij, ai vetëm sa kishte debatuar me grupin, ata e kishin marrë me makinë dhe çuar te Kafja e Rremës. Atje kishte ardhur Nehati dhe atij i ishte bërë zemra mal. Natën, sipas tij, e kishte kaluar te shtëpia e Nehatit. Më pas seanca gjyqësore ka vazhduar me leximin e deklaratave në polici të dëshmitarëve që nuk janë paraqitur në sallën e gjyqit. Të gjithë dëshmitarët e ardhur dje togat e shoqërimit i kanë marrë me forcë nëpër shtëpi dhe qendrat e punës, pasi për tre seanca me radhë asnjë nuk ka pranuar të vijë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur