Trafiku, Policia sekuestron fabrikën e përpunimit të drogës

TIRANE (8/7/2001) Policia e Vlorës godet rëndë hallkat e narkotrafikut. Dy ditë më parë gjatë një aksioni blic, blutë e qytetit bregdetar kanë sekuestruar 1470 kg marihuanë të presuar e të paketuar në pako nga 1 kg, në ambientet e një fabrike të Përpunimit të Drurit. Ndërkohë fillimi i hetimeve për rrjetin e sapozbuluar ka nisur në Vlorë kreun e sektorit të Antidrogës në Prokurorinë e përgjithshme, Pertef Hamzai. Sikur të mos mjaftonin dosjet e hapura radhazi gjatë këtij viti, për trafikun e kokainës dhe heroinës, dosierit të drogës i shtohet krejt papritmas dhe një çështje tjetër. Bëhet fjalë për zbulimin e rrjetit të përpunimit të marihuanës në Vlorë me destinacion Greqinë. Prej 5 vitesh pronari grek Kristo Rajodo në bashkëpunim me disa shtetas shqiptarë kishte marrë përsipër që, krahas "biznesit" të mobilerive, të provonte dhe shijen e një biznesi shumë më fitimprurës; tregtimin në masë të marihuanës. Por planet e trafikantëve greko-shqiptarë janë hedhur në erë dy ditë më parë nga blutë e Vlorës, të cilët kapën në flagrancë jo vetëm pronarin e fabrikës së përpunimit të marihuanës, por dhe dy ndihmësit e tij: Altin Veliko dhe Kreshnik Dibra. Sipas burimeve nga Policia dhe Prokuroria e Vlorës, në ambientet e fabrikës së Përpunimit të Drurit janë gjetur të instaluara pajisje të veçanta e tepër të kushtueshme, të cilat shërbenin për përpunimin e marihuanës. Droga e cila sigurohej nga parcelat e fshatrave të Vlorës e të Fierit, pas përpunimit, paketohej mirë dhe nisej për në Greqi. Sipas hetuesve, trafikimi i marihuanës nga përfaqësuesit e rrjetit të sapozbuluar, është bërë nëpërmjet eksportit të mobilieve me pronar grekun Rojoda. Ekspertët pohojnë se biznesi legal i trafikantit grek (prodhimi i mobilieve) nuk ka qenë asnjëherë fitimprurës, ai është përdorur si mburojë e trafikut të fshehtë të drogës. Gjithsesi, do të jenë hetimet e mëtejshme ato që do të zbardhin përmasat e vërteta të trafikut të marihuanës.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie