Tre fëmijë 10 vjeç vjedhin spitalin

BERAT (13/7/2000) Janë fëmijë, vetëm 10-vjeç, dhe kanë bërë ndoshta aventurën e jetës së tyre. Të hënën, rreth orës 13.00, tre djem nga 10 vjeç të lagjes "Donika Kastrioti", pasi kanë hapur një vrimë në murin me blloqe janë futur në magazinën qendore të spitalit rajonal të Beratit. Pasi kanë vjedhur çfarë u ka pëlqyer janë larguar me vrap në thellësi të lagjes. Por janë diktuar nga roja e turnit, i cili menjëherë ka lajmëruar policinë. Pas 30 minutash, vjedhësit Y.I., M.M. dhe A.N., kanë përfunduar në birucat e policisë. Në rajon kanë treguar aventurën e tyre. Ata kanë hapur murin e përbashkët që ka shtëpia e Y.I. dhe janë futur në magazinë për të vjedhur lodrat që mbaheshin atje për fëmijët e sëmurë. Por kur nuk kanë gjetur asnjë lodër, kanë marë 6 pako me rapidografë, 7 palë këpucë atletike, 4 peshqirë, 2 tela rezistence dhe vulën e një mjeku patolog të spitalit, të gjitha këto me një vlerë të llogaritur 30 mijë lekë. Materialet u janë sekuestruar sërish dhe fëmijët gjenden në komisariat, megjithë moshën e mitur. Normalisht për këtë vepër penale duhet të përgjigjen me gjobë prindërit e tyre dhe fëmijët duhet të lihen të lirë. Por nuk dihet përse uniformat blu janë treguar kaq të rrepta.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Sekretari i Jashtëm britanik, Cameron javën e ardhshme në Tiranë! Takim me Ramën e Begaj