"U ktheva në Shqipëri por jetoj në ilegalitet"

(6/9/2000)Të shtunën e 5 gushtit, Tonin Ndoja ka zbritur shkallët e aeroplanit të Alitalias në Aeroportin e Rinasit dhe është përqafuar me familjarët e shokë të tij, që kishin dalë për ta pritur. Por edhe me daljen nga burgu telashet e mirditorit duket se s'kanë të sosur. Frika e gjashtë viteve më parë e ka lënë familjen e tij pa shtëpi, pasi lëvizën nga qyteti i Laçit ku banonin, në drejtim të Rrëshenit, ku kanë qëndruar nëpër të afërm e farefisni. Por problemi më i madh ngelet ende çështja e pazgjidhur e 168 milionë liretave dhe parave të humbura dy durrsakëve. Dy ish-shokët e tij nuk janë bërë të gjallë gjatë kohës që ai ka qëndruar në burg, apo në procesin gjyqësor, por tashmë ata mund të rikërkojnë serish paratë e humbura. Ndërkohë, më 23 tetor, në Milano do të nis procesi gjyqësor ndaj Raffaelo Clarellit dhe katër shtetasve të tjerë për mashtrimin që i kanë bërë Ndojës. Mirditori shpreson se ky proces, edhe pse i vonuar pas 6 vjetësh hetimi, do të mund t'i kthejë paratë e humbura, me të cilat ai do të shlyente dhe dy shokët e tij. "Edhe pse ata mund ta kenë kuptuar se unë nuk jam mashtruesi, përsëri unë nuk do të jem i qetë derisa ato para të humbura në atë mënyrë t'u kthehen të gjithë një për një", thotë i trishtuar Tonini. Dilema Qysh sapo është njoftuar se do të dalë nga burgu, Toninit i janë kthyer sërish shqetësimet për paratë e dy shokëve të tij. Madje, ai ka kërkuar që rrugën nga Italia në Shqipëri ta kryejë me linjë ajrore dhe jo me traget, pasi ky i fundit do ta linte në Durrës. Policia italiane e ka shoqëruar mirditorin nga Udine deri në aeroportin e Bolonjës, ku më pas ai është nisur drejt Rinasit. Tonini thotë se "tani, edhe pse dola nga burgu, ndihem krejt i rrënuar, por jo pa shpresë. Kam ngelur pa shtëpi, pa të ardhura, gruaja është pa punë dhe fëmija i vogël. Të gjitha kursimet që kisha i humba më 6 janarin e 1995-ës, ndërkohë që mund të kem sërish të tjera probleme. Jetoj i fshehur dhe me frikën se dy durrësakët ose njerzit e tyre do të shfaqen për të më kërkuar paratë. Ndoshta gjykata italiane do ta dënojë Clarellin dhe atëherë ai do të shtërngohet të më kthejë 168 milionë liretat. Jetoj në një shtëpi të rrënuar, dhe përpiqem të ushqehem me ç'të mundem". Tonini shpreson te kthimi i parave nga ndonjë vendim i Gjykatës italiane, madje edhe 200 mijë markat falso vazhdojnë të qëndrojnë në dispozicion të Prokurorisë së Milanos. Në 21 shtator Gjykata e Udines do të vendosë për të drejtën e qëndrimit në Itali të Ndojës. Ky vendim mund ta ndalojë atë deri në 10 vjet të hyjë në Itali, ose mund t'i jap të drejtën të rikthehet sërish për të punuar në gadishullin Apenin. Kthimi Kthimi në atdhe Tonini e ka pritur me mjaft përmallim. Shokë të tij, sapo e kanë marrë vesh që është liruar nga burgu, kanë dalë ta presin në Rinas. Ndërkohë në qytetin e tij të lindjes në Rrëshen, por edhe në Rubik e Laç, shumë të njohur e ndalojnë e ftojnë për të pirë diçka dhe e përshëndesin për veprimin që ka kryer, duke mbrojtur dinjitetin e tij dhe sedrën e malësorit. Tonini rrëfen se nuk janë të paktë ata që e ndalojnë thuajse sa herë që kalon nëpër qytetin e Laçit apo të Rubikut. "Më ftojnë të ulem me ta dhe më kërkojnë të tregojë se si më ndodhi. Të gjithë e kanë parë ngjarjen nëpërmjet televizioneve dhe pavarsisht se unë ka qëndruar një kohë jo të vogël në burg ata, sërish e quajnë një veprim burrëror, që tregon karakterin e vërtetë të malsorit. Sipas tyre, prerja në besë është një krim i rëndë që duhet të marrë përgjigjen e duhur". Tonini shpreson që gjykata e Milanos që është duke gjykuar padinë e tij ndaj italianit Clarelli t'i dërgojë ftesë për të qenë i pranishëm në proces. "Nëse gjykata e Milanos nuk më dërgon ftesë, do ta kem të pamundur të marrë vizë në ambasadën italiane", thotë Tonini. Ai përfundon duke thënë se "Nëse marrë lekët e humbura nga gjykata e Milanos, atëherë mund të qëndroj në Shqipëri pa probleme me askënd, të ble një shtëpi e të hap një aktivitet të vogël. Në të kundërt do të më duhet sërish të emigroj në një shtet tjetër Evropian me shpresën se s'do jem më viktimë e askujt".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Cleveland dhe Oklahoma ende të pamposhtura, Boston dhe Lakers rikthehen te fitorja