A do të vendoset fati i Presidentit
nesër në takimin Rama-Basha? 

A do të vendoset fati i Presidentit<br />nesër në takimin Rama-Basha? 
Lideri i mazhorancës dhe ai i opozitës pritet të takohen ditën e nesërme në orën 17:00 në Pallatin e Kongreseve, por ajo që publikisht është bërë e ditur dhe është rënë dakord parimisht është vetëm koha dhe vendi i takimit. Axhenda e diskutimeve është në përpunim e sipër teksa stafet teknike të Ramës dhe Bashës, nën udhëheqjen e ndërkombëtarëve po dakordësojnë se si do të jetë formati i tryezës, kush do të shoqërojë dy liderët dhe cilat do të jenë pikat e diskutimit. Publikisht është shprehur gatishmëria për diskutimin themelor të Reformës në Drejtësi, por në ftesën e tij Rama ka kërkuar qysh në fillim për të folë edhe për Reformën zgjedhore, ndaj ka propozuar që në takim të shoqërohet jo vetëm nga Fatmir Xhafaj, si kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, por edhe nga Bashkim Fino, kryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore.

Po reforma zgjedhore është më e gjerë se ndryshimi i modaliteteve zgjedhore, por përfshin dhe një tjetër pikë të nxehtë: ajo e formulës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Por a do të preket nesër si çështje formule, apo çështje emrin zgjedhja e Presidentit të ardhshëm mes Ramës dhe Bashës? Dhe mbi të gjitha, nëse kjo çështje preket, a do të jetë transparente marrëveshja PS-PD apo do të “sekretohet” si një pakt i fshehtë politik në shkëmbimet dhe lëshimet që palët mund të bëjnë për hir të një çështjeje apo të një tjetër. Në ftesën e tij, Edi Rama i linte shteg të hapur diskutimit të kësaj çështjeje, por edhe më tepër. Të paktën mazhoranca, e ka lënë derën e hapur, ku është shprehur se “kryeministri është dakord për të diskutuar veç dy reformave, edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët”-siç thoshte Vali Bizhga, shefe e kabinetit të Ramës në 27 maj në letrën që i dërgonte shefes së kabinetit të Bashës.

LSI
Pika e pa zbuluar ende e marrëveshjes së bashkimit mes Ramës dhe Metës është ajo për zgjedhjen e presidentit. Që prej 1 prillit të vitit 2013, është folur gjithmonë se rikthimi i LSI-së në koalicion me PS-në dhe dalja e saj nga qeveria e PD-së, është shkëmbyer me të drejtën e LSI-së për të zgjedhur Presidentit. Rama dhe Meta nuk e kanë pranuar këtë pakt asnjëherë. LSI nuk përfaqësohet, të paktën sipas pritshmërive të deritanishme, në takimin Rama-Basha. Mungesa e saj e bën më të komplikuar një diskutim të mundshëm të çështjes së zgjedhjes së presidentit nga kjo tryezë.

Ditën e premte, në një deklaratë për shtyp, numri dy i LSI-së, u përpoq ta fokusonte objektin e kësaj marrëveshjeje vetëm tek reforma në drejtësi. Petrit Vasili tha se kjo është reforma më e rëndësishme, dhe aty duhet të përqendrohen palët. “Lidhur me takimin tashmë të bërë publik sigurisht në rrugë mediatike midis kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mendimi dhe opinioni ynë është që në momentin e veçantë, delikat, final ku ka hyrë reforma në drejtësi, e cila besojmë dhe mendoj që kështu duhet të jetë, duhet të jetë kryetema e diskutimit që këta dy drejtues politik do të kenë”,-tha Vasili. A ishte ky një apel për të mos ndarë në këtë tryezë çështje të tjera të rëndësishme ku LSI duhet të marrë pjesë? Kjo ngelet për tu parë.

Kërkesa
Pasuesi i Bujar Nishanit do të zgjidhet nga kjo mazhorancë në fund të mandatit të saj, dhe do të jetë presidenti i ri ai që do të dekretojë datën e re të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Këtë përllogaritje e ka bërë edhe vetë Presidenti Nishani, i cili gjatë një interviste televizive sapo kjo mazhorancë mori pushtetin, ka thënë: “Për kureshtjen tuaj, por edhe të teleshikuesve, presidentin e ri do ta zgjedhë kjo mazhorancë bazuar në afatet e përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë”. Po ndryshimi i formulës së zgjedhjes së presidentit ka qenë një kërkesë e disa aktorëve, mes të cilët dhe e tre ish-presidentëve të fundit, të cilët kanë kërkuar që Reforma Zgjedhore të ndërhyjë dhe në rregullat e zgjedhjes së presidentit.

Në 6 maj 2016, tre ish-presidentët, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi përmes një letre dërguar kreut të kuvendit dhe grupeve parlamentare, ku është theksuar se formula e zgjedhjes së presidentit të republikës, duhet të ndryshojë, dhe ai të zgjidhet  jo nga partitë politike por nga populli. “Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese dhe zgjedhore, është rast të theksojmë se çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës duket të jetë patjetër edhe çështje e trajtimit në ndryshimet e reja kushtetuese. Referuar praktikave të vendeve të tjera ish komuniste me ngjashmëri në traditë apo praktikë demokratike, (Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Rumania, Bullgaria, Polonia, etj, dhe së fundi edhe Moldavia) zgjedhja e Presidentit bëhet direkt nga qytetarët, pa ndryshuar natyrën parlamentare të sistemit republikan”-thuhej në letrën e tre presidentëve të fundit të vendit.

Në argumentin e tyre, thuhet se vetë Presidenti ka nevojë për mandat më të gjerë sesa mazhoranca e një partie apo koalicioni politik, ka nevojë për testim dhe mbështetje publike. “Zgjedhja e Presidentit direkt nga qytetarët rrit besimin e qytetarëve në sistemin politik e përfaqësues, sjell cilësi përfaqësimi, i jep fuqi dhe legjitimitet më të madh qytetar Presidentit dhe e ndihmon atë të ushtrojë më mirë dhe më me lidhje të fortë qytetare funksionet e tij kushtetuese”, thuhej ndër të tjera në letër.

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi