Lufta në Iran mund të jetë vërtetë drejt fundit. Të paktën kështu vlerëson eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ilir Aliaj, i cili në një intervistë për emisionin “Bota Report” në Report TV deklaroi se konflikti ka hyrë në një fazë vendimtare, mes luftimeve dhe përpjekjeve për negociata para datës 9 prill.
Sipas tij, palët janë në një moment negociatash, por kërkesat e forta e bëjnë të vështirë një zgjidhje të shpejtë të konfliktit që po del përtej pritshmërive të Shtëpisë së Bardhë.
“Jemi në një moment negociatash, ndoshta jo të drejtpërdrejta por secila palë ka kërkesa maksimaliste. Ngushtica e Hormuzit është një prej çështjeve kryesor. Është pak e vështirë për t’i afruar palët në negociata. Presidenti Trump është personazh i fortë në negociata por edhe iranianët po i përgjigjen fort. Trumpit i ka hasur sharra në gozhdë. Unë besoj që jemi në momentet ose javët e fundit të luftës” tha ai
Teksa shumë media kanë përfolur datën 9 prill si periudhën kur lufta mund të mbarojë, Aliaj shpjegon se kjo datë është zgjedhur për shkak të vizitës së planifikuar të Trumpit në Kinë, vend partner ekonomik i Iranit.
Ai thotë se konflikti ka sjellë edhe përfitime ekonomike për Iranin, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës.
“9 prilli është zgjedhur sepse Trump do të shkojë në Kinë dhe nuk do të shkojë andej ndërsa vendi është në luftë me një vend partner të Kinës. Para luftës, Irani ka eksportuar 1.1 milionë fuçi nafte në ditë ndërsa sot eksporton 1.5 milionë fuçi nafte në ditë. Sot çmimi i naftës është rritur, pra Irani po fiton më shumë” thotë ai
Ndërkohë lufta po kthehet në barrë për SHBA-të, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë politik. Kjo, sipas ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare, është një tjetër tregues që lufta nuk e ka të gjatë.
“Në javën e parë të luftës SHBA-të kanë shpenzuar 11 miliardë dollarë për luftën. Imagjinoni sa ka shkuar kjo kosto sot. Flitet që janë 200 miliardë dollarë të shpenzuara deri më tani. Nëse kjo luftë do të vazhdonte, shpenzimet do të ishin të jashtëzakonshme. Në nëntor do të jenë zgjedhjet për kongresin dhe senatin dhe republikanët do t’i humbasin që të dyja. Gjëja e parë që do të bëjnë demokratët është që të kërkojnë largimin e tij nga detyra dhe hetimin e presidentit. Kjo i vështirëson gjërat. Ka probleme të brendshme brenda republikanëve, qytetarët janë kundër luftës dhe ka rënie të popullaritetit të Trump” tha Aliaj.
Komente











