Qeveria po bën gati rregullat e reja të kontrollit të bizneseve nga 1 janari 2027, me qëllim që të garantohet ulja e çmimit të karburantit pas zhvendosjes së taksës së qarkullimit tek taksat e mjetit. Gjithashtu edhe ulja e çmimeve të 54 produkteve ushqimore pas reduktimit të TVSH-së nga 20% në 6%.
“Së pari po mendojmë për një monitorim të tregjeve oligopol siç është tregu i hidrokarbureve. Po diskutohet nëse do të ketë një Bord Transparence permanent për të monitoruar çmimet e hidrokarbureve. Paralelisht po përdorim edhe teknologjinë për të analizuar çmimet nga prodhuesi, importuesi në treg, për të parë çmimet, që të reflektohet TVSH-ja”, tha Malaj.
Në komisionin e Ekonomisë, teksa iu përgjigj pyetjeve të deputetëve për paketën fiskale, Ministri i Financave Petrit Malaj sqaroi se ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga xhiro mbi 10 milionë lekë në mbi 5 milionë lekë, erdhi prej evazionit.
“Ka pasur raste të shkeljeve në bazë të kontrolleve të ushtruara nga tatime, duke qenë se fasha është e lartë krijonte hapësira për shmangie tatimore. Kemi llogaritur që në buxhet do të vijnë 4.5 miliardë lekë vetëm nga ulja e TVSH-së”, vijoi Malaj.
Po për të luftuar evazionin, Malaj tha se është drejt finalizimit ligji i ri për taksat vendore, për tarifën e apartamenteve që deklarohen bosh por që në fakt përdoren për qira ditore përmes AirBnB dhe Booking.
“Edhe në ligjin në taksat vendore, do të vendosim një taksë për apartamentet që janë bosh dhe do të jetë i detyruar ose ta deklarojë që e jep me qira afatshkurtër ose do ta deklarojë bosh, dhe do të paguaj taksën mbi pronën. Po punojmë me disa mekanizma”, tha Malaj.
Sa i takon ankesave të biznesit për rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, ministri sqaroi se kjo rritje do të aplikohet nga viti 2028.
“Bizneset do të përcaktojnë se çfarë do të bëjnë me fitimin e 2026-s dhe në momentin që ata marrin vendimin me 31 korrik që do ta shpërndajnë si dividend, dividendin do ta paguajnë brenda datës 20 gusht 2027. Tatim mbi dividendin do të jetë me normën aktuale me 8% se ky ligj hyn në fuqi nga 1 janari 2027, që do të thotë dividendin e fitimeve të 2027-s do ta paguaj në gusht të 2028-s”, sqaroi ministri.
Malaj bëri edhe një bilanc të paketës fiskale të këtij viti që kryesorja ishte “Paqja Fiskale”, prej së cilës janë çliruar nga borxhet 225 mijë biznese, të cilëve u janë falur 45.1 miliardë lekë borxhe tatimore dhe doganore.
“Sa i takon detyrimeve tatimore kanë përfituar 220 mijë subjekte, është falur një shumë prej 41.7 miliardë lekë, dhe është paguar një shumë prej 1.7 miliardë lekë. Tek borxhi doganor kanë përfituar 3217 subjekte, u është falur 3.4 miliardë lekë dhe kanë paguar 9.5 milionë lekë. Pra në total kanë përfituar 225 mijë subjekte. Për marrëveshjen e paqes fiskale kanë aplikuar 62 subjekte në toal, nga të cilat 19 kanë plotësuar kriteret dhe janë të shpërndarë në të gjithë vendin”, tha Malaj.
Hapja e basteve online shtyhet sërish, pasi qeveria po rishikon ligjin për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të shmangur problemet sociale. Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha në Komisionin e Ekonomisë se, megjithëse kuadri ligjor dhe VKM-të përkatëse janë përfunduar, bastet online do të hapen vetëm pas këtij rishikimi.
“Prej 7 vitesh në buxhet të shtetit nga bastet nuk ka fituar, nuk i keni të ligjëruara, dhe sot është plotësisht informal dhe të gjithë këtë faturë po ja faturoni biznesit të ndershëm”, tha Cara.
“Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të respektive. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme për të mos pasur probleme sociale. Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual do të fillojë operimi i lojërave të fatit”, tha Malaj.
Kuadri ligjor për bastet sportive online u plotësua me të gjitha aktet nënligjore 28 muaj pas miratimit të ligjit, në shkurt 2024, por ende nuk është hapur konkurrimi për licencat. Ligji parashikon dhënien e 10 licencave dhe lejon pjesëmarrjen vetëm online, përmes identifikimit me kartë identiteti. Pikat fizike të basteve u mbyllën më 1 janar 2019.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha në Komisionin e Ekonomisë se bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë do të paguajnë TVSH nga janari 2027, nga mbi 10 milionë lekë që është pragu aktual. Masa synon të kufizojë shmangien tatimore dhe pritet të sjellë 4.5 miliardë lekë në buxhet. Në përgjigje të pyetjeve të deputetit Erion Braçe, ai siguroi se bizneset nuk do të kenë kosto administrative shtesë, pasi softueri do të ofrohet nga administrata tatimore.
Braçe: Sa është shmangia tatimore që është bërë nga pragu i TVSH-së 10 mln lekë?
Malaj: Ka pasur raste të shkeljeve në bazë të kontrolleve të ushtruara nga tatime, duke qenë se fasha është e lartë krijonte hapësira për shmangie tatimore. Kemi llogaritur që në buxhet do të vijnë 4.5 miliardë lekë vetëm nga ulja e TVSH-së.
Braçe: Sa janë kostot e biznesit të vogël që futet në TVSH?
Malaj: Administrata tatimore i kanë ndërtuar modulet, që të minimizoje kostot për këto biznese. S’do kenë kosto për softuerë do të ofrohet nga administrata tatimore. sa i takon përllogaritjes së TVSH-së këtë e mundëson vetë sistemi i fiskalizimit. Nuk do të ketë kosto administrative.
Qeveria do të ndërhyj në një tjetër ligj, atë të taksave vendore, për të futur edhe taksën e apartamenteve bosh. Pjesë e ‘super-taksës’, do të jenë vetëm apartamentet që janë bosh në Tiranë, e që flitet për rreth 40 mijë prona që do ti nënshtrohen regjimit të ri të taksimit. Përmes kësaj lëvizje qeveria synon të frenojë informalitetin në tregun e qiradhënies ditore apo javore.
“Jemi duke punuar për të marrë një informacion më të zgjeruar nga AirBnB dhe Booking, për të ardhurat që realizojnë në Shqipëri, por edhe të ardhurat që fitojnë personat që lëshojnë këto apartamente me qira. Është një informacion sensitiv, ne do të kërkojmë informacion automatik nga bankat për të ardhurat që marrin nga këto platforma, por jo vetëm edhe nga Instagram, Facebook etj. Në momentin që marrim këtë informacion nga bankat do të jemi në gjendje të kryqëzojmë të ardhurat që marrin këto individë. Edhe në ligjin në taksat vendore, do të vendosim një taksë për apratamentet që janë bosh dhe do të jetë i detyruar ose ta deklarojë që e jep me qira afatkshkurtër ose do ta deklarojë bosh, dhe do të paguaj taksën mbi pronën. Po punojmë me disa mekanizma”, tha Malaj.








Komente
Komento